Ekonomi

Kërkohet rishikimi i buxhetit, BQK: Ekonomia e Kosovës e ndien krizën me rritjen e çmimeve

Autori: Gazeta inFokus 13:36 | 13 March 2022

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) po vlerëson se ekonomia e Kosovës pritet të ndiejë krizën përmes kanalit të rritjes së çmimeve si rrjedhojë e luftës në Ukrainë.

Derisa profesori i ekonomisë po kërkon nga qeveria, rishikimin e buxhetit 2022 dhe miratimin e pakos ekonomike për të subvencionuar ekonominë dhe qytetarët e vendit, ish-ministrja e Tregtisë thotë se nuk është koha që qeveria të mbledhë taksa, por duhet t’i shpërndajë ato.

Përveç rritjes së inflacionit, BQK-ja, si të rrezikuar po e sheh edhe Fondin e Kursimeve Pensionale –Trust.

-Advertisement-

“Duke pasur parasysh faktin se ekonomia e Kosovës ka volum të lartë të importeve nga vendet e BE-së dhe se lufta ndërmjet Ukrainës dhe Federatës Ruse do të ndikojë, sidomos në sektorin e energjisë, presim që edhe ekonomia e Kosovës të ndikohet përmes kanalit të çmimeve. Gjithashtu, zhvillimet e tilla ndikojnë edhe në tregjet e kapitalit, rrjedhimisht, në performancën e aseteve të trustit, por këto janë efekte të natyrës më afatshkurtër si rezultat i luhatjeve të tregjeve dhe në periudha afatmesme pritet të rikuperohen”, ka thënë zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti.

Për shkak të luftës në Ukrainë, ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami pos rritjes së çmimeve, shprehë drojën për mungesë të mallrave esencaile, grurit, miellit, vajit dhe sheqerit.

“Po përballemi me një valë të re të inflacionit, e cila ka shumë gjasa që të mos jetë vetëm inflacion, por në ditët e ardhshme të përballemi edhe me mungesë të produkteve, kjo besoj që do të jetë më problematike dhe do të jetë shqetësim tejet i madh për mirëfunksionimin komplet të industrisë, por edhe të institucioneve shtetërore”, thotë ajo.

Profesori në Fakultetin Ekonomik, Nagip Skënderi thotë se në këtë kohë krize me shtrenjtime të mëdha, qeveria duhet urgjent ta bëjë rishikimin e buxhetit 2022, në mënyrë që të miratohet një pako ekonomike për mbështetjen e qytetarëve dhe ekonomisë në vend.

“Në këtë kohë krize të rishikohet buxheti dhe projektet të cilat kanë qenë të planifikuara për projekte që janë të pritshme ose sekondare, të subvecnionohet më tepër bujqësia, ekonomia dhe në përgjithësi të mbrohet mirëqenia sociale e qytetarëve, sepse ka kategori të cilat janë me paga fikse, sidomos pensionistët, ish-luftëtarët, por edhe kategori të tjera të sektorit publik dhe privat të cilëve në këtë kohë iu nevojitet një mbështetje më e fortë nga ana e shtetit, ose ‘dorën intervenuese”, ka thënë ai.

Ai shton se qeveria nuk është e përgatitur për ta përballuar krizën e shkaktuar në Kosovë si rrjedhojë e agresionit rus në Ukrainë.

Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka thënë po ashtu se jeta e qytetarëve është papërballueshme dhe tash nuk është koha që qeveria të mbledhë taksa, por t’iu dal në ndihmë qytetarëve.

Ndërkaq, sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vazhdon rritja e inflacionit dhe indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit, është më i lartë në një mesatare prej 7.5 për qind në muajin shkurt 2022, krahasuar me muajin shkurt 2021.

Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit për bukë dhe drithëra 15.7%, mish 8.6%, qumësht, djathë dhe vezë 11.1%, vajra dhe yndyra ushqimore 32.1%, perime 13.8%, sheqeri me shtrenjtim 11.3 përqind dhe karburantet 28.2.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vrasja e Lulzim Fejzullahut, vjen reagimi i parë nga ministrja Haxhiu
-Advertisement-

Të tjera