Lajme

Kërkohet ndihma e institucioneve për t’i ruajtur tokat e brezit kufitar

Autori: Gazeta inFokus 16:46 | 23 May 2018

Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi do të bisedojë me misionin paqeruajtës të KFOR-it për të shtuar patrullimet e përbashkëta në zonën e Karaçevës në kufi me Serbi, ku aktualisht janë tri fshatra në të cilat nuk patrullon policia e Kosovës për shkak të një vendimi të KFOR-it në vitin 2014.

Ai gjatë vizitës që i bëri sot kësaj zone, është njoftuar nga afër me shqetësimet e banorëve lokalë rreth mungesës së patrullimeve nga ana e Policisë së Kosovës në kufirin me Serbinë.

I pari i rendit pas takimit me kryetarin e Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, tha se zgjodhi këtë komunë për ta vizituar të parën, në mënyrë që të informohet me shqetësimet e banorëve, por edhe të komunës për obligimet e kësaj ministrie në rrafshin e sigurisë.

-Advertisement-

“Kemi tri fshatra që janë të pamundura ta kenë kontrollin policor për shkak të një vendimi që është nxjerrë nga ana e komandantit të KFOR-it, Farina. Erdha për së afërmi të informohem për shqetësimet që kanë banorët e atyre fshatrave dhe në të njëjtën kohë shqetësimet që komuna ka për të përmbushur obligimet që kjo ka në rrafshin e sigurisë në përgjithësi”, tha Gashi.

Kreu i rendit shtoi se tashmë veç kanë marrë hapa konkretë për kthimin e patrullimit të Policisë së Kosovës edhe në tri fshatra që aktualisht nuk patrullohen për shkak të një vendimi të komandantit të KFOR-it në vitin 2014.

“Perimetri i kufirit është nën autoritetin e KFOR-it dhe realisht do të bisedoj me komandantin e KFOR-it për të shtuar patrullimet e përbashkëta në këtë zonë. Ka edhe zgjidhje tjera si alternativë ose plane tjera. Të shohim do t’iu informojmë me kohë cilat janë ato plane për të pasur ekipe tona patrulluese edhe në ato fshatra që aktualisht janë të pambuluara nga njësitet patrulluese të Policisë së Kosovës”, u shpreh Gashi.

Ndërsa, kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, u shpreh i kënaqur me vizitën e ministrit Gashi, meqë sipas tij, kjo pjesë e Kosovës është lënë anash.

“Ndihemi shumë mirë, jashtëzakonisht mirë, i falënderoj gjithashtu që janë të interesuar të dalin edhe në teren dhe të shohin ku qytetarët janë me të shqetësuar dhe kanë problemet. Diskutuam për mundësitë e bashkëpunimit, na premtuar për sa kanë mundësi dhe që janë në kompetencë të tyre që do të na përkrahin në këtë pjesë të Kosovës që pak jemi të lënë edhe anash”, tha Kastrati.

Ministri Gashi bashkë me kryetarin Kastrati dhe ushtruesin e detyrës së drejtorit të Policisë, Naim Rexha, kanë vizituar fshatin Karaçevë, ku janë informuar nga banorët e kësaj zone për problemet që kanë me shtetin serb rreth tokave në atë pjesë.

Përfaqësuesi i fshatit Karaçevë, Selver Lenjani, ka lutur të gjithë ata që duan t’i ruajnë tokat e brezit kufitar që të bëjnë diçka, pasi sipas tij, me marrëveshjen e Kumanovës janë copëtuar tokat e brezit kufitar.

“Kërkojmë nga ju që të përdorni autoritetin e juaj nga ministri, nga kryeministri i Kosovës, nga presidenti, nga kryeparlamentari, nga deputetë e Kuvendit që të marrin një vendim të prerë, decidiv për të ruajtur tokat shekullore etnike të banorëve të brezit kufitar. Përndryshe për t’iu adresuar Karaçevë-Prishtinë-Bruksel, Bruksel-Prishtinë-Karaçevë. Me Karaçevën ruhen 11 mijë kilometra katrorë. I nderuar nuk lëshojmë pe në rrugën bypass, nuk ka hyrje të Policisë së Kosovës, në rrugën e asfaltuar. Që nga viti 2001 janë probleme që nuk janë marrë institucionet e Kosovës”, tha Lenjani.

Ministri Gashi për gjendjen aktuale të sigurisë në atë pjesë është njoftuar edhe nga zyrtarët e Policisë së Kosovës, pika ndërlidhëse në fshatin Karaçevë.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Black Friday ne Artmotion
-Advertisement-

Të tjera