Kërkesa e Mitrovicës së Veriut dhe Leposaviqit për t’u kyçur në sistem të rrymës, flasin nga ZRRE
Autori: Gazeta inFokus 18:18 | 01 June 2023
Kërkesat e dy komunave veriore, Mitrovicës së Veriut dhe Leposaviqit, për kyçje në sistem dhe pagesën e energjisë elektrike për të gjitha institucionet e sektorit publik në këto komuna, po shqyrtohen nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë. ZRRE thotë se është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura ligjore që janë nën kompetencën e saj. Dy komunat e tjera, Zubin Potoku dhe Zveçani, ende s’kanë kërkuar diçka të tillë.
Pak ditë pas marrjes së detyrës, kryetarët e sapozgjedhur të komunave veriore, u janë drejtuar me kërkesa zyrtare Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe KOSTT’it, për energjinë e shpenzuar në këto komuna.
Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq dhe ai i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, kanë kërkuar nga këto institucione që t’i kyçin në sistem për të nisur pagesën e rrymës elektrike, në institucionet publike të komunës.
Atiq ka kërkuar që kjo të bëhet sa më shpejt.
“Kërkoj prej jush që të filloni sa më parë të ndërmerrni veprimet e nevojshme për kyçjen e të gjitha këtyre institucioneve, në mënyrë që komuna të mund të fillojë pagesën e energjisë së konsumuar”, thuhet në kërkesën e Atiq.
Ata kanë kërkuar nga autoritetet që t’i njoftojnë edhe për borxhin e grumbulluar të rrymës së shpenzuar.
“Sot ju drejtova KOSTT dhe ZRRE për të kyçur institucionet tona publike komunale në mënyrë që të fillojë pagesa e rregullt e energjisë elektike. Po ashtu autoritet duhet të na njoftojnë me borxhin e grumbulluar të rrymës së shpenzuar në mënyrë që t’i shlyejmë ato detyrime”, ka shkruar Hetemi.
Nga Zyra e Rregullatorit për Energjisë kanë deklaruar për Gazetën Express se po shqyrtojnë këto kërkesa dhe se janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura ligjore që janë nën kompetencën e ZRRE-së.
“Zyra e Rregullatorit për Energji, ka pranuar kërkesa zyrtare nga Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe Kryetari i Komunës së Leposaviqit. Kërkesa e kryetarëve ka të bëjë me ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme lidhur me kyçjen dhe pagesën e energjisë elektrike për të gjitha institucionet e sektorit publik të cilat bien në kompetencën e nivelit lokal. Zyra e Rregullatorit për Energji është në proces të shqyrtimit të kësaj kërkese dhe është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura ligjore që janë nën kompetencën e ZRRE-së”, kanë deklaruar nga ZRRE.
Për dallim nga Mitrovica e Veriut e Leposaviqi, dy komunat e tjera veriore nuk kanë bërë ende kërkesë për t’u kyçur në sistem.
“ZRRE-ja nuk ka pranuar kërkesa nga kryetarët e Zubin Potokut dhe Zveçanit”, thuhet në përgjigjen e ZRRE’së.
Gazeta Express ka provuar të marrë edhe një përgjigje nga KOSTT’i, por deri në momentin e publikimit të tekstit, s’kanë kthyer përgjigje.
Ndryshe, për 18 vjet me radhë, rrymën që kanë shpenzuar qytetarët në pjesën veriore të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – e kanë paguar qytetarët e pjesëve të tjera të vendit.
Vlera e rrymës së shpenzuar gjatë vitit 2022 në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, është mbi 63 milionë euro.
Në vitin 2021, kjo vlerë ka qenë rreth 42 milionë euro, e sipas një kalkulim të Institutit GAP rezulton se në periudhën 2010-2020, qytetarët në veri kanë shpenzuar mbi 132 milionë euro energji elektrike.
Shpenzimet janë paguar deri në vitin 2017 nga qytetarët e komunave të tjera të Kosovës e pastaj nga KOSTT dhe Qeveria e Kosovës.
Refuzimi për të paguar rrymën ka ardhur si pasojë e mosbindjes qytetare por edhe ndikimit të strukturave të ndryshme në veri, që kanë operuar nën dirigjimin e Serbisë.
Për t’i shlyer këto borxhe, qytetarët e pjesëve të tjera të Kosovës, kanë paguar fatura për 3.5 përqind më të shtrenjta.
Nga viti 2017 e këndej, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka kaluar përgjegjësinë e pagesës te institucionet e vendit. Po atë vit, Gjykata e Apelit ka kërkuar që konsumatorët që kanë paguar rrymën e shpenzuar në veri për 18 vjet, të kompensohen.
Më 18 prill, Gjykata Supreme e ka refuzuar kërkesën e ZRRE’së që të rishshyrtohet aktgjykimi i Apelit, duke thënë se konsumatorëve duhet t’u rikthehen mjetet.
Se kur dhe si do të bëhet kjo, nuk ka ende asnjë informatë zyrtare
Të tjera
-
Dogana kapi 15 mijë euro mall të padeklaruar në aeroport, gjatë javës
Dogana e Kosovës ka zbuluar dhe sekuestruar e mallra të padeklaruara në katër...
-
Bislimi në Poloni: Kosova në vitin 2024 – modeli i asaj se çfarë jemi në gjendje të arrijmë
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, gjatë ditës së dytë të vizitës zyrtare n...
-
Haradinaj: Kosova ka nevojë për mendësi të re qeverisëse, të bashkohemi për Kosovën fituese
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kritikoi ashp...
-
Supremja lanson udhëzuesin për matjen e dënimit
Gjykata Supreme ka lansuar udhëzuesin për matjen e dënimit, ku kryetari Fejzu...
-
Konfiskohet Lamborghini në Prizren, po e ngiste një 11-vjeçar
Gjatë ditës së enjte, gjatë patrullimit policor në fshatin Zhur është hasur n...
-
BE-Qeverisë: Për zbatimin e marrëveshjes për normalizim duhen hapa konkretë, jo veç deklarata
Bashkimi Evropian e ka mirëpritur gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për zbat...
-
Festohet njëvjetori i Zyrës së Këshillit Kombëtar Shqiptar në Novi Pazar
Zyra e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Novi Pazar sot feston një vjetorin e ha...
-
Ushtarët e Kosovës dhe të Shqipërisë ushtrojnë bashkë, synim i FSK-së integrimi në NATO
Në kuadër bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës...
-
Konjufca bisedon me delegacionin e Azisë Jugore për njohjen e Kosovës nga vendet mosnjohëse
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, priti në takim delegacionin n...
-
Stano mirëpret deklaratat e qeverisë për zbatim të marrëveshjes, por kërkon veprim
Bashkimi Evropian e ka mirëpritur gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për zbat...
-
Sërish dështon votimi i buxhetit në Prishtinë
Për të tretën herë ka dështuar votimi i buxhetit të Komunës së Prishtinës në ...
-
ASK: Deficit tregtar prej 10,4% në muajin tetor 2024, krahasuar me 2023-tën
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat ...