Lajme

KE, përplasje me Michel për Ballkanin: Jo afate, të përmbushen kriteret!

Autori: Gazeta inFokus 14:46 | 29 August 2023

Komisioni Europian iu përgjigj përmes zëdhënëses së tij, Dana Spinat propozimit të presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel, që viti 2030 të caktohet si afat deri kur vendet e tashme kandidate dhe BE-ja të jenë të gatshme për zgjerim.

KE-ja, tha Spinat, nuk është e përqëndruar në afate kohore në procesin e zgjerimit, por për t’i ndihmuar vendet kandidate të avancojnë në këtë proces.

“Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen në mënyrë specifike e ka thënë se sa të përkushtuar jemi ne që ta bëjmë të suksesshëm zgjerimin. Gjithmonë kemi thënë se zgjerimi është prioritet dhe kandidatët duhet të anëtarësohen kur të jenë gati. Kemi punuar nga afër me kandidatët për t’i ndihmuar që ata të realizojnë reformat”, u shpreh Dana Spinat, zëshënëse e KE-së.

-Advertisement-

Procesi, shtoi Spinat, duhet të mbetet i bazuar në merita dhe kandidatët duhet të lëvizin në përputhje me suksesin e tyre në përmbushjen e kritereve. Zëdhënësja përsëriti se suksesi në zgjerim kërkon që edhe kandidatët, por edhe vetë blloku të përgatiten për këtë gjë. Ajo sqaroi se krerët e BE-së do ta diskutojnë zgjerimin në samitin e Granadës në Spanjë, më 5 tetor 2023.

“Kemi instrumente për t’i ndihmuar kandidatët për t’u afruar me BE-në edhe para se të bëhen anëtare. Komisioni ka dëshmuar se është i përkushtuar që ta mbajë procesin e zgjerimit si prioritet”, u shpreh ajo.

Ajo shtoi se “nuk është në dijeni të ketë pasur kontakte mes Michelit dhe Ursula von der Leyen për këtë çështje”, para se ai të dilte me propozimin në fjalë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Thyhet REKORDI I ZBRITJEVE!
-Advertisement-

Të tjera