Lajme

KDI: Shumica parlamentare të mos bojkotojë seancat e Kuvendit

Autori: Gazeta inFokus 16:23 | 11 October 2024

Instituti Demokratike i Kosovës (KDI) ka thënë se bojkotimi i seancës së sotme të jashtëzakonshme nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe grupet tjera parlamentare që përbëjnë shumicën është në kundërshtim me vlerat e pluralizmit politik dhe procedurave parlamentare, dhe si i tillë e minon legjitimitetin e Kuvendit dhe proceset demokratike.

Në një reagim të lëshuar për media thuhet se opozita në demokraci luan një rol thelbësor përmes ofrimit të alternativave apo kundërshtimeve për politikat e shumicës parlamentare.

“Thirrja e një seance të jashtëzakonshme është instrument demokratik që i jep zë dhe mundësi opozitës për të diskutuar çështje që ajo i konsideron të rëndësishme, për të kërkuar llogaridhënie apo për të adresuar politika që sipas saj, janë të dëmshme ose të nevojshme”.

-Advertisement-

“Pjesëmarrja e të gjitha grupeve parlamentare, por sidomos e shumicës në debat është esenciale për funksionimin normal të demokracisë dhe për të ruajtur besimin publik në institucionet shtetërore. Kuvendi dhe debatet janë platformë që sigurojnë që të gjitha palët të kenë një zë në diskutimet apo vendimmarjen në temat që prekin interesin publik”, thuhet në reagim.

KDI më tepër thekson se pjesëmarrja e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, në seancat e jashtëzakonshme është thelbësore për të ruajtur kredibilitetin dhe neutralitetin institucional.

“Si përfaqësuesi më i lartë i këtij institucioni, ai duhet të ketë një rol mbipartiak dhe të tregojë përkushtim për të mbajtur Kuvendin funksional, duke garantuar që të gjitha grupet parlamentare, përfshirë ato opozitare, të kenë mundësinë të ushtrojnë rolin e tyre demokratik. Pjesëmarrja e kryetarit forcon kredibilitetin e parlamentit dhe ndihmon në mbajtjen e një balancimi të shëndetshëm të pushteteve, duke mbrojtur integritetin e procesit demokratik”.

“Në demokraci, deputetët, udhëheqësit institucionalë kanë përgjegjësinë të jenë të pranishëm dhe të marrin pjesë aktivisht në proceset parlamentare, sidomos kur situatat janë komplekse dhe të ndjeshme. Kjo forcon pluralizmin dhe pasuron debatin demokratik, duke e bërë procesin politik më transparent, duke rritur informimin e qytetareve dhe përfshirjën e tyre në proceset demokratike”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nëse doktor Mitrev do të përdorte hemofiltrimin me qëllim që të mashtruar pacientët, do t’i kishte mashtruar të gjithë 1738…
-Advertisement-

Të tjera