Fokus

Katër gra të vrara, viti tragjik 2022

Autori: Elvira Haxhiu 11:57 | 02 January 2023

Viti që po lëmë pas, sa i mirë, aq ishte edhe tragjik për gjininë femërore në Kosovë. Në 2022-ën e errët u vranë mizorisht katër gra, e këto vrasje u bënë nga familjarët, në të shumtën e rasteve nga vetë bashkëshortët e tyre. Tri prej tyre u vranë nga bashkëshortët dhe një grua në mbyllje të vitit u vra nga kunata e saj duke e rrahur e goditur atë.

Pra, në krahasim më vitet e kaluara, këtë vit numri i vrasjes së grave është dyfishuar. Derisa në vitin 2021 ishin dy raste, në 2022 ishin katër të tilla, ku tri prej tyre ndodhën në dy muajt e fundit të vitit, shkruan Gazeta Infokus.

Por jo vetëm vrasje. Viti 2022 është po ashtu viti i dhunës, dhunimeve e sulmeve seksuale. Nuk kalonte ditë e këtij viti që raporti i policisë të mos kishte të paktën 2 raste të tilla e më së shumti deri në 6 e 8, rrahje të grave nga familjarët, dhunime, e sulme seksuale. Që në këtë të fundit fatkeqësisht në të shumtën e rasteve viktimë ishin vajza të mitura.

-Advertisement-

Rastet që përfunduan tragjikisht janë ato që i dhanë ngjyrën e zezë këtij viti që po lëmë pas.

 

Vrasja e Lirie Qerimajt – Janar 2022

Në fillim të vitit 2022, përkatësisht më datë 5 janar, 51-vjeçari, Skënder Qerimaj, kishte vrarë bashkëshorten e tij, Lirie Qerimaj në fshatin Llaushë të Skenderajt.

Sipas prokurorisë, i dyshuari kishte nxjerrë armën nga xhepi i jaknes dhe kishte shtënë gjashtë herë në drejtim të viktimës. Derisa si pasojë e plagëve të marra viktima kishte ndërruar jetë gjatë rrugës për në Spitalin e Mitrovicës.

Pas rastit, i dyshuari ishte dorëzuar në polici dhe kishte lajmëruar se ka vrarë gruan e tij, i njëjti ishte arrestuar nga policia. Me urdhër të prokurorit Skender Qerimaj ishte ndaluar për 48 orë.

Katër ditë para se të vritej, Lirie Qerimaj, kishte raportuar dhunën e bashkëshortit në Stacionin Policor në Skenderaj, nga ku kishte kërkuar edhe urdhër-mbrojtje.

Gjithashtu, ajo në polici kishte raportuar se burri i saj ushtronte dhunë vazhdimisht ndaj saj.

“Sa shpesh më ka rrahë dhe më ka goditë me çka ka pasur në dorë, krejt syrin e kam pasur të mavijosur nga rrahja e tij në korrik të vitit 2021. Rastin nuk e kam raportuar në polici se po dyshoj mos ka ndonjë sëmundje mendore, e po i kalon gjithë kjo xhelozi që e ka. Por edhe me fëmijët është i egër, vetëm se fëmijët i rrijnë larg se nganjëherë kanë frikë nga ai”. Prej se jam martu kam probleme me burrë, dhunë fizike dhe psikike shpesh herë tenton të më largojë nga shtëpia….E njëjta ka rrëfyer se nuk është e pajtimit të ndahet nga bashkëshorti në rast se nuk ushtron dhunë ndaj saj. Njëherit ka deklaruar se ka nevojë për urdhër-mbrojtje dhe nuk e di se ku të shkoj në rast se burri nuk e lejon në shtëpi”, thuhej në dosjen e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës e cila u publikua në media.

Në shtator të këtij viti Gjykata Themelore në Mitrovicë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Skënder Qerimajt, duke e dënuar atë me dënim prej 24 vitesh burgim dhe 500 euro gjobë, për vrasje të bashkëshortes dhe tre vepra tjera penale.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Qerimaj për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” u dënua me 1 vit e 6 muaj burgim, për “Dhunë në familje” u dënua me 1 vit burgim dhe 500 euro gjobë, për  “Vrasje të rëndë”, u dënua me 22 vite burgim, kurse për armëmbajtje pa leje”, 1 vit burgim.

 

Vrasja e Sanije Godenit – Nëntor 2022

Në vrasje e rëndë ndodhi më 25 nëntor 2022 në Prishtinë, ku edhe në këtë rast viktimë ishte një grua e cila u vra nga bashkëshorti i saj.

Izet Godeni, 71-vjeçar ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, Sanije Godeni, pasi e kishte goditur me një mjet të mprehtë e që dyshohej se ishte sëpatë.

Pas kryerjes së vrasjes, i dyshuari ishte dorëzuar në polici dhe kishte deklaruar se kishte vrarë gruan e tij.

Nga Prokuroria Themelore e Prishtinës u njoftua se i dyshuari ishte ndaluar dhe se në vendin e ngjarjes ishte sekuestruar sëpata me të cilën dyshohej se ishte kryer vrasja.

“Prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, bashkë me njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes, me ç’ rast kanë ndërmarrë veprimet hetimore, si dhe në vendin e ngjarjes është sekuestruar sëpata me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, ndërsa me urdhër të prokurorit është dërguar për obduksion trupi i pa jetë”, thuhej në komunikatën e prokurorisë.

Derisa Gjykata Themelore në Prishtinë një ditë pas vrasjes ndaj të dyshuarit, Izet Godeni, caktoi masën e paraburgimit prej 1 muaj.

“Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit I.G e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, thuhej në komunikatën gjykatës.

 

Vrasja e Hamide Magashit – Nëntor 2022

Ende pa kaluar një javë nga vrasja e Sanije Godenit, ndodhi një vrasje tjetër në kryeqytet. Ishte vrasja e Hamide Magashit në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës para Klinikës së Gjinekologjisë.

35-vjecarja ishte në muajin e nëntë të shtatzënisë, kur u vra nga ish-bashkëshorti i saj, Sokol Halili me armë zjarri.

“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35-vjeçare”, kishte thënë zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Në korrik të këtij viti, Gjykata Themelore e Ferizajt kishte lëshuar aktvendim për urdhër mbrojtje ndaj Hamide Magashit, i cili urdhër ka qenë në fuqi deri më 13.03.2023. Mirëpo, edhe pse kishte urdhër mbrojtje, institucionet e vendit nuk arritën ta mbronin viktimën.

Pas kryerjes së vrasjes, i dyshuari ishte arratisur nga vendi i ngjarjes.

Pas dy ditësh, Policia e Kosovës kishte gjetur vendndodhjen e Sokol Halilit, mirëpo përkundër tentativës së zyrtarëve policorë që të negociojnë dorëzimin, ai kishte vrarë veten.

“Pas një pune intensive të të gjitha njësiteve të Policisë së Kosovës është arritur që të lokalizohet vendndodhja e vrasësit Sokol Halili. Përkundër tentativës së zyrtarëve policor që të negociojnë dorëzimin, dorasi vret veten”, kishte thënë Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

 

Vrasja e 67-vjeçares në Dragash – Dhjetor 2022

Në fund të vitit 2022, përkatësisht në muajin dhjetor, u vra edhe një grua. 67-vjecarja me inicialet S.D u vra nga kunata e saj në fshatin Kuk të Dragashit.

Fillimisht rastin Policia e Kosovës e kishte cilësuar si “Vdekje e dyshimtë”, por më pas rasti ishte rikualifikuar si “Vrasje e rëndë”, pasi e dyshuara me inicialet N.A në prezencën e avokatit mbrojtës e ka pranuar se ka kryer vrasjen.

“Pas ballafaqimit me prova të reja e dyshuara në prezencën e avokatit mbrojtës e ka pranuar se ka kryer vrasjen. Këtë veprim e ka bërë duke përdorur mjete të ndryshme të forta, të cilat më pas i ka fshehur. Nga njësitit e forenzikës janë sekuestruar prova të reja.  Me urdhër të Prokurorit te rastit  e dyshuara ndalet në ndalim policor për 48 orë.

Vepra penale është ri kualifikuar si vepër “Vrasje e rëndë””, thuhej në njoftimin e policisë.

Të mërkurën e 28 dhjetorit, Prokuroria Themelore në Prizren, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të të dyshuarës N.A.

“E pandehura N.A., me dashje ka privuar nga jeta anëtaren e familjes – motrën e bashkëshortit të saj, me të cilën ka bashkëjetuar në ekonomi të përbashkët familjare, në atë mënyrë që me datë 23.12.2022, rreth orës 10:00, derisa e ndjera ishte e shtrirë në njërën nga dhomat e shtëpisë, e pandehura me anë të një shkopi prej druri të modifikuar e godet disa herë viktimën në kokë dhe në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar gjakderdhje në tru, dhe si pasojë e këtij lëndimi e njëjta ka ndërruar jetë me datë 26.12.2022, rreth orës 05:30″, thuhej në njoftimin e prokurorisë.

Një ditë më pas, e dyshuara doli para gjykatës ku edhe aty e pranoi se e ka rrahur për vdekje viktimën S.D.

“Po e kam rreh vallahin, e kam rreh, mas 3-4 dite ka vdek… motër të burrit e kam pas, që 26 vjet u kanë në shpi teme, e kam ruajt, jam kujdesë”, tha e dyshuara para gjykatës.

Ndërkaq, Gjykata Themelore në Prizren ka pranuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren, duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, të dyshuarës N.A.

Shpresojmë që me vitin 2022 të mbesin mbrapa edhe vrasje të tilla gjakftohta dhe keqtrajtimi e dhuna ndaj grave. Urojmë që viti 2023 të sjellë frytet e luftës së vazhdueshme të grave për barazi dhe trajtim të barabartë.

E përveç shpresës për ditë e vite me të mira këto raste duhet të fillohen të trajtohen më seriozisht edhe nga organet e drejtësisë. Sepse jo rralle herë mos serioziteti i tyre, mos interesimi dhe mos kryerja e punës gjatë vitit 2022 ka sjellë pasoja tragjike në shoqëri./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vrasja e Lulzim Fejzullahut, vjen reagimi i parë nga ministrja Haxhiu

Të tjera