Lajme

Katastrofë në kufirin Shqipëri- Greqi, bllokohen për 4 ditë mijëra qytetarë (FOTO)

Autori: Isa Myzyraj 14:29 | 15 August 2020

Ajo që po ndodh në pikën kufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë, në Kakavijë, është duke u quajtur si një katastrofë humanitare.

Prej më shumë se 4 ditësh, mijëra qytetarë kanë mbetur të bllokuar në këtë pikë kufitare, ndërsa të premten situata doli jashtë kontrolli kur radha e makinave kaloi në më shumë se 20 kilometra, dhe sipas informacioneve në Shqipëri, të premten janë bllokuar rreth 4000 makina me mijëra qytetarë shqiptarë që po kalonin këtë pikë kufitare.

Edhe të shtunën, në këtë pikë kufitare ka ndodhur e njëjta situatë.

-Advertisement-

Mbi 20 kilometra ka qenë vargu i makinave deri në mesditë, raporton “Infokus”

Situata është bërë tragjike, kur paraditen e së shtunës, një fëmijë 10-vjeç, banues në Lezhë ka humbur jetën duke pritur, pasi një ambulancë e cila po transportonte në spital një të sëmurë e ka përplasur të miturin.

Qytetarët atje janë shprehur për mediat vendase se pritja është bërë e papërballueshme, sidomos në të nxehtin ekstrem, dhe nevoja për ndërhyrje është urgjente, pasi drejt Greqisë po udhëtojnë fëmijë dhe pleq.

Pse ndodhi kjo situatë?

Greqia është duke marrë masa të vazhdueshme në kuadër të parandalimit të përhapjes së koronavirusit, ku në shtetin grek deri më tani ka 6,632 raste të konfirmuara me 223 vdekje.

Së fundmi Greqia ka marrë vendim, që të gjithë qytetarët që hyjnë në territorin e saj  të kenë kryer testin e COVID 19, jo me vonë së 72 orë nga dita e udhëtimit dhe rezultati të jetë NEGATIV, dhe kjo situatë ka qenë e papritur pasi qytetarët nuk kanë qenë të mirëinformuar.

Gjithashtu, Greqia ka një limit të shtetasve që hyjnë në territorin e saj. Në Pikën kufitare të Kakavijës lejohen të hyjnë vetëm 750 shtetas, nga ora 06:00 e mëngjesit deri në orën 22:00 të mbrëmjes, dhe nga pika tjetër që lidh Shqipërinë me Greqinë, do të lejohen vetëm 300 shtetas.

Mijëra qytetarë shqiptarë janë duke shkuar nga Shqipëria në Greqi, për shkak të mbarimit të pushimeve, por edhe për shkak se Greqia është një shtet ku shqiptarët punojnë gjatë sezonit të verës.

Institucionet shqiptare në alarm, ushtria dhe Forcat e Ndërhyrjes së shpejtë, zbresin në kufi:

Të premten, të gjitha institucionet e Shqipërisë janë vënë në alarm për shkak të situatës së krijuar në pikën kufitare.

Policia, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), Forcat Shqiponja, Forcat Delta (Njësia Speciale) dhe Ushtria kanë zbarkuar në Kakavijë, për të marrë nën kontroll situatën e rënduar, por kur kanë kaluar më shumë se 24 orë, situata është ende e rëndë.

Ushtria ka dërguar autoambulanca, dhe policia ka shpërndarë ushqim dhe ujë për qytetarët e bllokuar atje.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar të shtunën në mesditë, duke thënë se kjo është një situatë e rëndë, ndërsa thotë se Shteti Shqiptar nuk ka asgjë në dorë, shkruan Gazeta Infokus

“Por fakti është se në këtë rast, nuk bëhet fjalë për asnjë lloj padrejtësie apo diskriminimi ndaj shqiptarëve, siç thonë “patriotët” që luftojnë për dinjitetin e atdheut nga ajfoni i tyre. Këtu është fjala për një regjim të ri kontrollesh kufitare, me tamponimin e detyrueshëm të kujtdo që kalon kufirin e Greqisë, qoftë shqiptar, qoftë suedez apo britanik, shtetas këta që si gjithë të tjerët i nënshtrohen testimit në çdo aeroport të vendit fqinj. Madje edhe vetë shtetasit grek kanë të njëjtin detyrim dhe të njëjtin trajtim.”-ka thënë ndër të tjera kreu i qeverisë në Shqipëri.

Nga ana tjetër, Partia Demorkatike në Shqipëri, partia më e madhe e opozitës (jashtëparlamentare) duke e quajtur një krizë humanitare, ka thënë se përgjegjëse për këtë situatë është qeveria e kryesuar nga socialisti Edi Rama, për shkak që sipas PD, Shqipëria është futur në listën e zonave të kuqe, pikërisht për shkak të situatës së koronavirusit, dhe paaftësisë së qeverisë për ta menaxhuar atë.

“Është në përgjegjësinë e qeverisë që Shqipëria u shndërrua në zonë të kuqe COVID, pasojë e të cilës është edhe kjo krizë humanitare në kufi. Është në përgjegjësinë e qeverisë që Shqipëria u shndërrua në zonë të kuqe COVID, pasojë e të cilës është edhe kjo krizë humanitare në kufi.”-tha Partia Demokratike në Shqipëri./Gazeta Infokus/

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Coffee Show B2B në Zagreb nga Devolli Corporation

Të tjera