Fokus

Kaq qytetarë hoqën dorë nga shtetësia kosovare në vitin 2022

Autori: Elvira Haxhiu 17:48 | 28 December 2022

Më shumë se 4 mijë e 400 qytetarë kanë hequr dorë nga shtetësia Republikës së Kosovës në vitin 2022.

Këtë për Gazetën Infokus e ka konfirmuar Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës përmes një përgjigje me shkrim, ku thuhet se që nga 1 janari e deri më 30 nëntor të vitit 2022 nga shtetësia kosovare janë liruar gjithsej 4 mijë e 423 qytetarë.

Vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit që po lëmë pas numri i qytetarëve që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës është 2 mijë e 210.

-Advertisement-

“Gjatë periudhës 01.01.2022-30.06.2022, nga shtetësia e Republikës se Kosovës janë liruar gjithsej 2,210 persona”.

Ndërkaq, në vitin e kaluar 4 mijë e 938 persona kanë hequr dorë nga shtetësia kosovare.

Por, cila është arsyeja kryesore që qytetarët po heqin dorë nga shtetësia kosovare?

Arsyeja kryesore që qytetarët lirohen nga shtetësia kosovare është se shumë shtete të Bashkimit Evropian nuk e lejojnë dy shtetësinë, duke përfshirë edhe disa nga shtete që nuk janë pjesë e BE-së.

“Arsyet pse personat heqin dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës, është pasi që shumë shtete të Bashkimit Evropian nuk e lejojnë dy shtetësinë përfshirë këtu edhe disa shtete që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian, duke pas parasysh që një numër i madh i shtetasve tanë jetojnë tashmë me vite në këto shtete e një numër i madh edhe kanë lindur në këto shtete dhe si rezultat i saj kanë fituar të drejtën e Fitimit të Shtetësisë dhe janë të obliguar të lirohen nga shtetësia e mëparshme në rast se dëshirojnë ta fitojnë shtetësinë e atij vendi”, thuhet në përgjigjen e MPB-së për Infokus.

Ndërkaq, që nga fillimi i muajit janar e deri në fund të nëntorit të këtij viti, 546 persona kanë fituar shtetësinë e Kosovës.

Kurse në vitin 2021, 421 persona kanë marrë shtetësinë kosovare, pra 125 më pak se këtë vit./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
KosovaMed përmbyll vitin me sukses – dhuron donacione për QKMF-në e Junikut

Të tjera