Javë kyçe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë
Autori: Gazeta inFokus
11:57 | 23 October 2023
Kjo javë shihet si afati kur Kosova dhe Serbia duhet ta bëjnë hapin kyç në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, duke pranuar disa kërkesa dhe propozime që ua kanë paraqitur të shtunën pesë emisarë të lartë perëndimorë.
Kështu pohojnë burimet diplomatike në BE, por pa dhënë hollësi se cilat janë propozimet konkrete që u janë prezantuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Megjithatë, thonë se “afati për t’u deklaruar nuk është i gjatë, është shumë i shkurtër, më së largu deri të enjten, kur në Bruksel takohen shefat e shteteve apo qeverive të BE-së në samitin e Këshillit Evropian”.
Në një komunikatë të Qeverisë së Kosovës u tha se “të pesë emisarët ofruan planin e tyre të ri për ecjen përpara, për çfarë kryeministri shprehu falënderimet dhe vlerësimet e tij”.
As aty nuk u dhanë detaje se për çfarë plani bëhet fjalë.
Sipas komunikatës, Kurti tha se prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Kosovën është siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit.
Kurti edhe Vuçiq pritet të jenë në Bruksel të enjten dhe, nëse do të ketë përparim nga ta, atëherë në konkluzat e samitit të BE-së pritet të përfshihet një porosi për Kosovën dhe Serbinë dhe procesin e dialogut.
Disa burime diplomatike në Bruksel thonë për Radion Evropa e Lirë se kërkesat për Kosovën kanë të bëjnë me pranimin e një drafti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa ato për Serbinë me respektimin pa kushte të obligimeve nga aneksi i pranuar në Ohër për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Të shtunën, në Prishtinë dhe Beograd qëndruan përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, përfaqësuesi i lartë i Francës, Emanuel Bonne, i Gjermanisë, Jens Plotner, dhe i Italisë, Alessandro Cattaneo.
Temë diskutimi ishte vazhdimi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Përfaqësuesit e dy vendeve janë takuar për herë të fundit më 14 shtator, por pa ndonjë përparim.
Dhjetë ditë pas ka ndodhur sulmi një Banjskë, kur grupe të armatosura kanë sulmuar policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter. Kosova ka bërë përgjegjëse Serbinë për këtë sulm dhe ka thënë se nuk do t’u kthehet bisedimeve pa u ndëshkuar shteti fqinj.
Serbia e ka mohuar përfshirjen dhe ka thënë se është duke e hetuar sulmin edhe vetë.
Situata në Kosovë dhe bisedimet e saj me Serbinë janë temë diskutimi edhe në takimin e sotëm të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian në Luksemburg.
Për këtë pritet të flasë përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.
Ministrat pritet të njihen edhe me vizitën që pesë përfaqësuesit e lartë perëndimorë kanë zhvilluar në Kosovë dhe Serbi.
Gjatë kësaj jave, edhe vetë Lajçak pritet t’i njoftojë përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për përparimin në këtë proces.
Situata në Kosovë dhe normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi ka qenë, po ashtu, temë e diskutimeve në samitin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, që është zhvilluar të premten.
Si SHBA-ja, ashtu edhe BE-ja kanë bërë thirrje për zbatimin “e shpejtë dhe pa kushte” të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe për kthimin e palëve në dialog./REL

T� tjera
-
Kuvendi drejt seancës së re, Kryesia mblidhet më 23 nëntor
Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mbajë mbledhjen e radhës të hënën, duke f...
-
IKKL dhe MPJD me memorandum për promovimin ndërkombëtar të fakteve mbi kri*met e luf*tës në Kosovë
Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë dhe Ministria e Punëve t...
-
Mblidhet PDK, Çitaku: Javën e ardhshme vijnë strategjia shtetërore për apelin dhe iniciativa e re ligjore për Dhomat e Specializuara
Partia Demokratike e Kosovës mbajti sot një takim të përbashkët të Kryesisë, ...
-
Aktakuzë ndaj tre personave në Suharekë, Prokuroria e Prizrenit jep detaje
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave me ini...
-
Asociacioni i Komunave i reagon Kurtit: Boll ma me përçmime, uluni me kryetarët, dëgjoni hallet e mbani premtimet
“Unë jam i bindur se në Kosovë jetohet shumë më mirë si qytetar i Republikës ...
-
Isni Kilaj tregon se shujtat në Hagë ua kanë sjellë të ngrira
Ish-komandanti i UÇK-së, Isni Kilaj, i cili u lirua më 17 nëntor nga Gjykata ...
-
Nën kërcë*nimin e thi*kës i mori 7660 euro punonjëses, aktakuzë ndaj një personi në Gjakovë
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me ini...
-
Shiroka Pula pret në takim ambasadoren e Suedisë, flasin për integrimin evropian të Kosovës
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, priti në takim ambasadoren e Sue...
-
Merret vendimi për rrënimin e objekteve pa leje në oborrin e QKUK-së
Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka përfunduar verifikimin e pronësisë s...
-
Vrasja e Triumf Rizës, Gjykata Themelore i dënon me nga 18 vite burg Ilir e Rrahim Abdullahun
Gjykimi ndaj Ilir Abdullahut i njohur me nofkën “Liza” dhe Rrahim Abdullahu i...
-
Gjini pret Prattipatin: Aleanca do të jetë e pakompromis në mbrojtjen e demokracisë
Kreu i Aleancës, Ardian Gjini, ka pritur sot në takim të Ngarkuarën me Punë n...
-
Gazeta zvicerane zbulon të kaluarën kriminale të Rrahman Hotit, tregon se si e vrau gruan para 13 vitesh në St.Gallen
Gazeta zvicërane “Blick” ka dhënë detaje të tjera për të kaluarën kriminale t...



































