Lajme

Jahjaga gjatë konferencës rajonale të grave kujton Dianën, Zejnepen dhe Dafinën të vrara nga bashkëshortët

Autori: Gazeta inFokus 15:39 | 19 May 2017

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka qenë pjesë e Konferencës Rajonale të Grave Gjyqtare dhe Prokurore.

Jahjga gjatë fjalimit të saj ka thënë se gratë në Kosovë janë të diskriminuara në punësim, në vendet e tyre të punës, në trashëgiminë e pronës, transmeton Infokusi.com

Ajo ka përmendur rastin e Diana Kastratit dhe Zejnepe Berishës të cilat u vranë nga bashkëshortët  e tyre dhe rastin e Dafina Zhubit që dyshohet të jetë vrare nga i dashuri i saj.

-Advertisement-

Fjalimin e plotë të Jahjagës mund ta gjeni më poshtë

Të nderuara zonja,

Kam kënaqësinë të jem sot këtu me ju për të diskutuar për kontributin e grave në drejtësi.

Megjithatë, nuk mund të flasim për kontributin e grave në drejtësi pa trajtuar drejtësinë karshi grave në Kosovë.

Së fundi ky trajtim i tyre nga sistemi i drejtësisë na lë shpeshherë të trishtuara, të pafuqishme, me një ndjenjë të thellë të padrejtësisë.

Shkelja e të drejtave të tyre, të drejta këto të garantuara me ligj të shkruar ndaj sfondit të krijimit të një Kosove demokratike, të barabartë për të gjithë qytetarët e saj, bëhet në shumë sfera të jetës.

Ato janë të diskriminuara në punësim, në vendet e tyre të punës, në trashëgiminë e pronës.

Së fundi i kemi parë të mposhtura nga vdekja si pasojë e dhunës në familje. Dhe ndonëse këto raste nuk janë as të parat e fatkeqësisht as të fundit, trajtimi i tyre ka qenë i padrejtë dhe iu ka kushtuar atyre me jetë.

Pra, një sistem i tërë i drejtësisë, i ndërtuar për t’i mbrojtur qytetarët e saj, i mveshur me legjitimitet për të zbatuar dhe respektuar ligjin, i ka dështuar shumë gra të Kosovës.

Diana Kastrati, e vrarë nga bashkëshorti i saj. Ai edhe pas pesë vitesh gjendet në arrati duke mos u përballur dhe dënuar me krimin që e ka kryer. Institucionet për mbrojtjen e rendit dhe ligjit dështuan ta mbronin jetën e Dianës, edhe pse ajo ka kërkuar ndihmë.

Zejnepe Berisha, me vite viktimë e dhunës në familje, është rrahur dhe therrur me thikë deri në vdekje nga bashkëshorti i saj. Ai ka marr dënim me vetëm 12 vjet burgim për këtë vrasje.

Dafina Zhubi, vajza nga gjakova me shtetësi zvicerane, u gjet e vdekur në një banesë në Prishtinë. Për të u tha se kishte bërë vetëvrasje, konstatim i sistemit tonë gjyqësor që e liroi nga dyshimet për vrasje të dashurin e saj. Ky përfundim u hodh poshtë nga një ekspertizë mjekësore nga Zvicra, duke na lënë me shumë pikëpyetje për konceptin e drejtësisë në këtë vend.

Dhe kushedi sa raste të tjera, të palajmëruara, të fshehura.

Mënyra se si drejtësia në Kosovë i ka trajtuar këto raste, tregon që gratë në Kosovë nuk mund të llogarisin në këtë sistem që t’i mbrojë ato.

Ne kemi problem me raportim, se gratë nuk e raportojnë gjithmonë dhunën. Por është shumë dekurajuese për 50% të popullatës tonë që nuk gjen ndihmë edhe atëherë kur kjo ndihmë ishte “kronikë e një vdekje të paralajmëruar.”

Rast tjetër ku gratë i ka dështuar sistemi ynë i drejtësisë është e drejta e tyre për të trashëguar pronën e krijuar në familje.

Si e trajtojmë ne këtë problem? Deri tani kryesisht përmes fushtava vetëdijësuese të inkurajuara nga donatorët dhe partnerët tanë ndërkombëtar të cilët investojnë që dy dekada në krijimin e një shteti më të drejtë.

E kemi trajtuar edhe në tryeza të shumta ku shpesh pjesëmarrës janë njerëzit që me vite, nëse jo me dekada, e kanë toleruar ndërtimin e një sistemi të padrejtë.

Njerëzit që e kanë pasur përgjegjësinë të krijojnë prokurori dhe gjyqësor të pavarur, strukturë që nuk e ka të ngërthyer në vete diskriminimin gjinor, të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm që shtypjes së tillë të të drejtave të gjysmës së popullatës të Republikës së Kosovës duhet ti jepet fund përmes forcës së ligjit.

Ndihem e obliguar ta përsëris atë që e kam thënë para disa muajsh për rastin e Shyhrete Berishës, të mbijetuarës së masakrës së familjes Berisha nga Suhareka, sepse gjendja e saj nuk ka ndryshuar:

Shyhretja, si shumë gra të Kosovës, e ka paguar shtrenjtë çmimin e lirisë.

E plagosur fizikisht dhe e vrarë emocionalisht, Shyhretja ka mbijetuar fare rastësisht, e lënë për të vdekur, e mbuluar me trupat e pajetë fëmijëve e bashkëshortit të saj në kamionin ku forcat serbe i kishin ngarkuar ata.

Pak nga ne kishim menduar që dy dekada pas luftës, Shyhretes, që po luftonte me ngulm për t’u hapur varre për t’i qarë fëmijët e saj, e po kërkonte drejtësi për vrasësit e familjes së saj, do t’i ngarkohej edhe një betejë tjetër për drejtësi.

Dyshoj që ta ketë menduar edhe ajo që një ditë dyert e shtëpisë ku kishte nisur e krijuar familjen deri në ato momente të kobshme që e kishin privuar përjetë nga ajo lumturi, do t’i mbyllen në emër të normave, të burrnisë, të traditës. Asaj është duke ju mohuar e drejta mbi pronën, bashkë-ndërtuese e të cilës ishte.

Janë gratë e Krushës, që lufta i la të vetme. Ato me forcat e tyre kanë krijuar biznese të suksesshme, që ja dolën të rimëkëmen. Shumica prej tyre përballen me konteste pronësore me burra të farefisit, të cilët nuk detyrohen të paraqiten as në gjykata.

Dhe 85% e grave të Kosovës që u mohohet kjo e drejtë.

Si mund te perballemi me keto statistika? Këto gra kanë emra dhe fytyra. Më nuk është arsyetim të themi se këto janë normat e shoqërisë kosovare. Në mungesë të funksionimit të gjyqësorit, ne thirremi në një libër të shkruar para se të ekzistonte koncepti i shtetit demokratik.

I rikthehemi Kanunit të shkruar në shekullin 15 jo për shkak të traditës, por për shkak të mungesës së shtetit ligjor.

Sot kemi shtet. Dhe ju jeni ata që duhet ti ndryshoni proaktivisht normat. Ju, me ligj jeni të thirrur të vendosni drejtësi.

Dhuna ndaj gruas, kurrë nuk duhet të jetë krim që amnistohet.

Dua ta shfrytëzoj rastin të flasë edhe për një kategori të cilës iu është mohuar drejtësia. Si shoqëri dhe shtet, e kemi një shancë historike që të provojmë ta përmirësojmë këtë lëshim – që të sigurojmë drejtësi për mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Ju ftoj që të ndërtoni raste përmes përjetimeve të tyre, që ato do ti rrëfejnë gjatë procesit të verifikimit tash me fillimin e punës së Komisionit qeveritar që synon identifikimin e të mbijetuarve dhe rehabilitimin e tyre. Nuk kemi më kohë për të humbur.

Prokurore dhe gjyqtare të nderuara, ndryshimet pritet të ndodhin nga ju.

Juve u është besuar detyra fisnike që të siguroni drejtësi për viktimat e diskrimitimit dhe shtypjes së çfarëdo lloji. Kjo nuk kufizohet vetëm te gratë, por të gjithë jemi të vetëdijshëm për diskriminimin strukturor dhe shoqëror me të cilin ato përballen.

Unë asnjëhere nuk do të kërkoj drejtësi të njëanshme të përcaktuar në përkatsi gjinore, por besoj thellë që ndryshimi i raporteve gjinore në Kosovë, sot me diskrepanca të shumta mes empancipimit të suksesshëm të gruas dhe kanunit, bëhet me aplikimin sistematik të forcës së ligjit.

Prania juaj në sistemin e drejtësisë është e domosdoshme sepse ju nuk keni nevojë për kontekstualizim të sfidave tona shoqërore. Ju e dini mirë se sa i ashpër mund të jetë ky ambient.

Por, unë kam besim që Kosova po ndryshon, që gratë po e gjejnë forcën dhe zërin e tyre për të qenë ndryshimi i nevojshëm për krijimin e një shteti të drejtë.

Ju faleminderit!”/INFOKUSI

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!
-Advertisement-

Të tjera