Lajme

Ja çka thotë Xhavit Drenori për garën për të parin e Drenasit

Autori: Gazeta inFokus 15:25 | 20 August 2017

Xhavit Drenori me iniciativën Vizioni për Drenasin, do të synojë pësëri kreun e kësaj komune, pas zgjedhjeve të fundit ku doli i treti pas Ramiz Lladrovcit të PDK-së, dhe Isa Xhemajlaj nga Nisma për Kosovën.

Ai në një prononcim për lajmi.net e ka konfirmuar se në këto zgjedhje Vizioni për Drenasin do ta ketë edhe listën e kandidatëve për asamble komunale.

“Po do të jem kandidat për kryetar të Drenasit,dhe njëkohësisht edhe për asamble komunale me listë të plotë”, ka thënë Drenori.

-Advertisement-

Tutje ai ka theksuar se me Lëvizjen Vetëvendosje nuk kanë arritur një bashkëpunim edhe në nivel lokal, pasi nuk kanë mundur të regjistrohen si parti politike.

“ Ndërsa me Vetëvendosjen ne e kemi pasur një bashkëpunim në nivel nacional, por s’kemi mundur të bëjmë koalicion pasi Vizioni për Drenasin nuk ka mundur të regjistrohet si parti, dhe edhe në këto zgjedhje do të jemi vetëm si iniciativë”, ka bërë të ditur kandidati për kryetar të Drenasit.

Drenori ka thënë se pret një garë të fortë në zgjedhje, pasi numri i kandidatëve është më i madh, dhe sipas tij gara do të bëhet edhe më interesante.

“Numri më i madh i kandidatëve mua po më bën të lumtur pasi do të jetë mundësia më e mirë për qytetarët e Drenasit të zgjedhin kandidatin që do ta udhëheq qytetin. Minimumi mund të jenë 7-8 kandidatë dhe po them që kjo do ta bëj garën edhe më interesante”, ka thënë ai.

Sipas kandidatit nga Vizioni për Drenasin, kryetari aktual Ramiz Lladrovci edhe pse ka pasur vullnet për të kryer punët në këtë qytet nuk ka arritur si pasojë e qeverisjeve të kaluara.

“Janë dy argumente të forta që ne si Vizion për Drenas të fitojmë dhe besojmë se do të kemi ngritje të madhe. E para është që Lladrovci, 75% të punëve ai nuk ka mundur t’i kryejë dhe ky është argument i fortë që Lladrovci nuk është i denjë të vazhdojë edhe më tutje të jetë në krye të Drenasit”, ka thënë ai për lajmi.net

Kurse, si argument tjetër Drenori e ka përmendur edhe bashkëpunimin e Nismës me PDK-në në nivel nacional çka sipas tij do ta dobësoj kandidatin, Isa Xhemajlaj.

“Në anën tjetër edhe kandidati që ishte i dyti nga Nisma me koalicionin e madh në nivel nacional, ka pësuar një debakël të madh, votuesit nuk e votuan atë pasi ka qenë edhe në garë për deputet , dhe tjetra është që ata ishin bashkë me Aleancën e në këto zgjedhje AAK-ja kandidon me kandidatin e vet”, ka theksuar Xhavit Drenori.

Për kryetar të Drenasit partitë ende nuk kanë dalur me emra zyrtarë, kurse garë e ashpër është duke u zhvilluar në degën e PDK-së ku po përfolen tre emra.

Naim Bazaj, Bislim Zogaj, dhe Ramiz Lladrovci nga Partia Demokratike e Kosovës po synojnë postin e të parit të Drenasit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Hapet shkolla e mesme profesionale në Qytetin e Ferizajit
-Advertisement-

Të tjera