Lajme

Ish-shefi i Policisë mbështet Kurtin në vendimin për targa, s’pajtohet me BE-në se akti është i njëanshëm

Autori: Samire Jaha 16:02 | 23 September 2021

Autoritetet e Kosovës, që nga e hëna janë duke e zbatuar një masë të reciprocitetit me Serbinë. Prej kësaj dite, brenda territorit të Kosovës nuk po lejohen veturat që bartin targat e Serbisë, pa e paguar taksën prej 5 euro për tabela të përkohshme, shkruan Gazeta Infokus.

Pas këtij vendimi të Qeverisë, qytetarët serbë kanë bllokuar me kamionë pikën kufitare në Jarinjë në shenjë revolte ndaj këtij vendimi.

Në lidhje më këtë ish-drejtori i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj ka thënë për Gazetën Infokus se nuk është dakord me deklaratën e Bashkimit Evropian që kanë theksuar që ky vendim është një akt i njëanshëm.

-Advertisement-

Ai shtoi se ky vendim është një veprim i drejtë i Qeverisë dhe më në fund kryeministri Kurti e njohu marrëveshjen e Brukselit që e ka kritikuar gjithmonë në të kaluarën.

“Fillimisht, unë nuk pajtohem me deklaratën e Bashkimit Evropian që theksuan që ky është një akt i njëanshëm, pasi që në konkluzionet e një grupi operacional për lejimin e lëvizjes, pika e 16 e parasheh që Republika e Kosovës e rezervon të drejtën që në Konsultim me Bashkimin Evropian të aplikojë tabelat e përkohshme, pra reciprocitetin. Prandaj, unë mendoj që ky vendim nuk është i njëanshëm por është veprim i drejtë i Qeverisë”  ”, tha Qalaj për Gazetën Infokus.

Ndërsa sa i përket situatës, Qalaj tha se për të është paksa e tensionuar, pasi që aty ka protestues dhe ka një bllokim të rrugëve që realisht e cenon lëvizjen dhe e bllokon tërësisht.

Sipas tij Policia e Kosovës është duke kryer një punë mjaftë të mirë dhe se ata presin vendimin e Qeverisë për të vepruar më tutje.

“Policia jonë është aty prezentë duke mbajtur rendin, duke u kujdesur që të mos kenë ndonjë incident, edhe pse po ka shumë provokime në drejtim të Policisë, mirëpo ata janë shumë profesional. Ndërsa, unë i përgëzoj për punën e tyre dhe jam shumë i sigurt që policët janë duke pritur vendimin Qeverisë se si të veprojnë më tutje”, tha ai për Gazetën Infokus.

Gjithashtu Qalaj i cili aktualisht është anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), tregoi që PDK-ja, ka qenë dhe do të jetë gjithmonë përkrahëse sa i përket vendimeve që janë në interes shtetëror.

“Si anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, mund të them se PDK-ja e ka mbështetur që nga fillimi marrjen e këtij vendimi dhe kërkon që ky vendim të zbatohet deri në fund, jo vetëm këtë vendim, por të gjitha vendimet që janë në interes shtetëror”, shtoi Qalaj për Infokusin.

Kujtojmë që me këtë vendim, Qeveria e Kosovës ka thënë se ka vendosur masën e reciprocitetit për targat e Serbisë, pasi një gjë të ngjashme Serbia e ka aplikuar për veturat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet.

Kryeministri Kurti ka thënë se “veprimet e ndërmarra sot nuk kanë për qëllim të cenojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve serbë apo të provokojnë ndonjë destabilizim.

“Si kryeministër ju siguroj se veprimet e ndërmarra sot nga organet kompetente për zbatimin e kësaj nuk janë drejtuar kundër qytetarëve serbë, nuk kanë për qëllim të cenojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve serbë apo të provokojnë çfarëdo destabilizimi. Pres nga të gjithë ta kuptojnë drejt se sot nuk po ndodh asgjë e jashtëligjshme, sot po fillon zbatimi i një marrëveshjeje me të cilën është pajtuar edhe Serbia”, tha Kurti në një seancë të parlamentit.

Ndërsa Bashkimi Evropian i bëri thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të ndërmarrin masa për t’i ulur tensionet në veri të Kosovës./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
EURO 2024 dhe Serie A, dy ekskluzivitetet absolute të Artmotion këtë vit

Të tjera