Ish-sekretarja amerikane e shtetit Albright në librin e saj flet për këmbëngulësinë e Thaçit për pavarësi
Autori: Gazeta inFokus 19:53 | 27 July 2020
Në librin e saj të kujtimeve “Madam Secretary” ish-sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright flet për takimet e saja me delegacionin e Kosovës, gjatë bisedimeve në Rambouillet, ku theks të veçantë vë në njohjen e saj me Hashim Thaçin – presidentin e tanishëm të Kosovës.
Më poshtë është një pjesë e shkëputur nga libri i saj:
“Delegacioni shqiptar prej 16 vetash përfshinte liderin politik të moderuar Ibrahim Rugova, redaktorin e respektuar të gazetave Veton Surroi, shkollarin Rexhep Qosja, dhe përfaqësues të partive tjera politike, të pavarur, si dhe UCK-në. Papritur, delegatët zgjodhën si udhëheqës një komandat 29-vjecar të UCK-së, Hashim Thaçin, me të cilin kishim pasur pak kontakte fare. Pozicionimi i Thaçit dukej të reflektonte kundërshtimin e vazhdueshëm të qëndrimit të Rugovës, i cili i përgjigjej këtyre kundërshtimeve pothuajse në heshtje. Kur një nga diplomatët tanë e pyetën Rugovën se pse ishte aq i ngurtë, ai u përgjigj ‘kështu e kam stilin’.
Në ditën e pestë bisedova me Hashim Thaçin, i cili ishte ende në Kosovë. Ai raportoi se Prishtina ishte si ‘qytet i vdekur’ ndërsa listoi një sërë rajonesh ku forcat e sigurisë po vrisnin njerëz. Ai tha se 60 mijë shqiptarë kishin ikur nga qyteti verior i Mitrovicës dhe që diku gjysme milioni kosovarë ishin pa kulm mbi kokë. Thaçi na apeloi që ta nisim shpërndarjen e ndihmave humanitare nga ajri, por Pentagoni thoshte se kjo nuk ishte e përshtatshme për shkak që aeroplanët tanë, për të shmangur ndonjë rrezik të gjuajtjeve, duhet të fluturonin shumë lartë.
Në anën tjetër, në Rambouillet e nisa një nga shumë takimet me delegacionin shqiptar. Termi ‘laralara’ mund t’i krijohej këtij grupi, i cili varironte nga Rugova enigmatik, tek Surroi pragmatik dhe Thaçi problematik.
Pas takimit të përgjithshëm, u takova veçmas me Thaçin në një dhomë të ftohtë bodrumi. Aty dhe në takimet e radhës, më bënte përshtypje mosha e re dhe mungesa e tij e përvojës, që dukej se e bënte edhe kokëfortë edhe entuziast për t’i kënaqur të tjerët. Me Rugovën isha ndier sikur po i adresohesha një kolegu ekscentrik akademik. Thaçi ishte më shumë si një student me potencial brilant dhe një tendencë për t’i sjellë detyrat me vonesë. Nën marrëveshjen tonë, UCK do të çarmatosej dhe të pushonte çfarëdo roli të pavarur ushtarak. E dija që kjo nuk do të ishte lehtë e pranueshme për Thaçin, përkundër premtimit të NATO-së që ta mbushnin vakumin e sigurisë. Atë pasdite të parë, e inkurajova të mendonte për organizata të tjera ushtarake që kishin transformuar vetveten në parti politike. Thaçi u përgjigj se priste që delegacioni shqiptar ta nënshkruante marrëveshjen por që do të merrte kohë që guerilët të përshtateshin. Duke u munduar ta mbaj parashikimin e Thaçit i thashë ‘jam e kënaqur me përkushtimin tënd për të nënshkruar’. ‘Besoj se një marrëveshje mund të arrihet por nuk varet vetëm nga unë, apo UCK-ja, apo edhe delegacioni. Mund të ketë vështirësi’, më tha.
Gjatë javës e thirra Thaçin, i cili kishte thënë se do të donte që më shumë nga sugjerimet e shqiptarëve të ishin pranuar. Në përgjithësi, sidoqoftë, mbetej optimist. Duke u kthyer në Francë, të shtunën në mëngjes u takova shkurt me delegacionin shqiptar qoftë bashkë qoftë individualisht. Kosovarët thanë se do ta mbështesnin marrëveshjen kornizë kur të dy palët të takoheshin me ministrat e jashtëm të Grupit të Kontaktit atë pasdite. Pasi që serbët ende nuk i kishin adresuar ende çështjet e sigurisë, kosovarët kishin mundësinë e artë për ta izoluar Milloshevicin. Prisja me bindje të plotë ta shfrytëzonin atë rast. Pastaj ndodhi takimi. Dhoma ishte e vogël dhe ngjeshur. Ministrat e jashtëm u ulën së bashku si një panel gjykatësish në një anë të një tavoline të gjatë druri. Nga fillimi i sesionit e kisha një ndjenjë inkuizitive. Nga fundi edhe u bë. Liderët e delegacionit shqiptar u rehatuan përballë nesh. Thaci, në dukje jo-rehat, zuri ulësen qendrore.
Ata kishin premtuar të përgjigjeshin pozitivisht, por kur erdhi momenti, Thaçi nuk dha përgjigje direkte. Kjo i hapi rrugë ministrit të jashtëm italian Lamberto Dinit, që gjithmonë kishte qenë kritik i madh i UCK-së. Ai i bënte presion Thaçit jo vetëm që ta pranonte kornizën por edhe ta tërhiqte mbështetjen ndaj referendumit për pavarësi. Kjo ishte e padrejtë. Propozimi që e kishim zhvilluar u kërkonte kosovarëve ta shtynin, por jo ta braktisnin, aspiratën e tyre për pavarësi. Përsëri Dini shtynte Thaçin të përgjigjej me po ose jo në atë që për Thaçin ishte propozim i papranueshëm. Si rezultat, Thaçi as nuk e përkrahu kornizën dhe as nuk dha përgjigje direkte. Delegatët e tjerë të tij – Surroi, Rugova e Qosja – ishin ulur si cung, Surroi sepse nuk mendonte që i takonte të fliste, Rugova sepse e kishte ‘stil’ dhe Qosja sepse mendonte se Thaçi po e bënte gjënë e duhur.
E shtuna duhej të ishte dita e fundit e bisedimeve, por u pajtuam për tri ditë shtesë. Teksti nuk ishte as gati i kryer dhe na duhej kohë t’i ndryshonim votat. Thaçi nuk ishte anëtari i vetëm i delegacionit të tij që kishte rezerva. Për shkak të kohës që kishim kaluar duke u munduar t’i bindnim serbët, shqiptarët kishin nisur të mos ndiheshin rehat. Ata po dëgjonin njerëzit nga jashtë që u thoshin të mos u besonin as evropianëve e as neve. Brengoseshin që gjuha që po u thuhej ta pranonin do të ishte barrierë e përhershme për pavarësinë. Kishin hezitime edhe për çarmatosjen.
Rezultati ishte progres. Kur filluam të shtunën në mbrëmje, nëntë anëtarë kishin votuar kundër. Të hënën vetëm Thaçi vazhdonte kundërshtimin. Ai përbënte problem të veçantë sepse ishte vështirë ta angazhoje në specifika. Lideri i UCK-së kishte parë Jamie Rubin tek denonconte Milloshevicin në televizion dhe kishin ndërtuar një miqësi mes vete. Tash Thaçi i kishte thënë Jamie-t se frikësohej për jetën e tij.
Pas fiaskos të së shtunës, provoja një varg taktikash. I thashë së pari se çfarë lideri i mirë potencial ishte. Kur e para nuk funksionoi, i thashë që ishim të zhgënjyer në të dhe se nëse mendonte që do t’i bombardonim serbët edhe nëse shqiptarët e refuzonin marrëveshjen, e kishte gabim. Kurrë nuk do të mund ta merrnim mbështetjen e NATO-së ashtu. ‘Në anën tjetër,’ i thashë ‘nëse thua po dhe serbët thonë jo, NATO do t’i bombardojë deri sa forcat serbe të dalin dhe NATO të hyjë në Kosovë. Do të keni siguri. Dhe do të jeni në gjendje të vetëqeverisni.’ Thaçi mu përgjigj se qëllimi i vetëm i UCK-së kishte qenë lufta për pavarësi, dhe vështirë do të dorëzoheshin. I thashë ‘nuk keni nevojë të dorëzoheni, por duhet të jeni realistë. Kjo marrëveshje është tri-vjeçare. E dimë që Milloshevici është problemi. Por situata mund të duket ndryshe pas tri vitesh. Ky është shansi i juaj. Kapeni, sepse mund të mos keni shanse tjera më kurrë.’ Edhe pse qartazi i hutuar dhe gati në lot, Thaçi nuk thoshte po”.
Të tjera
-
Parashikimi i motit për të shtunën
Për të shtunën parashikohet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me reshje lok...
-
Raportohet se një nga viktimat në Gjermani është fëmijë
Anëtari i Këshillit Federal Gjerman, Reiner Haseloff ka reaguar pas sulmi...
-
Mërgimtarët po vijnë, kjo është situata në pikat kufitare
Fundviti po na bashkon me mërgimtarët. Mijëra bashkatdhetarë kanë marr...
-
Publikohet momenti i sụlmit në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg të Gjermanisë
Sipas mediave gjermane ka shkuar në 11 numri i të vdekurve pas sulmit ku ...
-
Kush është i dyshuari që shkaktoi tragjedinë në Magdeburg – publikohen pamjet e arrestimit të tij nga policia gjermane
Një veturë është përplasur me një turmë njerëzish në një treg Krishtlindjesh ...
-
Osmani reagon pas sụlmit në Magdeburg: Populli i Kosovës qëndron krah atij të Gjermanisë!
Një sulm ka ndodhur sonte në Magdeburg të Gjermanisë, ku një qytetar hyri me ...
-
Sulmi në tregun e Krishtlindjeve në Gjermani, Bild: Të paktën 11 të vdẹkur e 80 të plagosur
BILD raporton duke u thirrur në burime se në sulmin në tregun e Krishtëlindje...
-
Makina u fut mes turmës, viktima dhe dhjetëra të plagosur në Gjermani, reagon Scholz
Të paktën një person ka humbur jetën dhe rreth 80 të tjerë janë plagosur, pas...
-
Hovenier e konfirmon se FBI po e heton sụlmin në Ibër-Lepenc
Ambasadori amerikan në Kosovë Jeff Hovenier, ka bërë të ditur se sulmin terro...
-
Fundjavë me mot të ndryshueshëm, paralajmërohen ngrica
Fundjava në Kosovë pritet të karakterizohet nga mot i ndryshueshëm. Sipas ...
-
Hovenier: Plotësisht e vërtetë se kemi pasur dallime serioze me Qeverinë Kurti
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka përsëritur qëndrimin...
-
Kurti publikon foto me Ramën: Kur bëhemi bashkë, edhe punët janë më të mira edhe e rritin imazhin e kombit shqiptar
Kryeministri Albin Kurti ka publikuar fotografi nga ceremonia e nënshkrrimit ...