Ish-kryeprokurori i Shqipërisë shpallet në kërkim ndërkombëtar
Autori: Gazeta inFokus 15:29 | 08 October 2021
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar procedurat ligjore dhe ka shpallur në kërkim ndërkombëtar emrin e Adriatik Llallës.
Më 22 shtator, policia shkoi për të zbatuar urdhrin e arrestit si masë e vendosur nga Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, por Adriatik Llalla, nuk ishte në shtëpi.
Ndërkohë sipas burimeve zyrtare për Albanian Post, pasi nuk u gjet në banesën e tij, policia e shpalli në kërkim kombëtar.
Vendimi për dënimin e ish-kryeprokurorit, qëndroi në këmbë edhe pas apelimit që ai i bëri çështjes rishtazi.
Dy vjet burg dhe pesë vjet përjashtim nga çdo post dhe funksion publik.
Është ky dënimi që ish-kreu i Prokurorisë, duhet të kryejë.
Avokati i tij, Sokol Hazizaj, pasi doli nga seanca gjyqësore e 22 shtatorit, ku Llalla nuk ishte sërish i pranishëm për arsye të pretenduara shëndetësore, deklaroi publikisht, se nuk kishte dijeni mbi vendodhjen e ish-kryeprokurorit.
Madje, ai shtoi se kishte disa kohë që nuk e kishte parë. Hera e fundit kur kishte kontaktuar, ishte me rastin e dhënies së një raporti mjekësor, ku shkruhej se Llalla, e kishte të pamundur të merrte pjesë në seancë, pasi vuante nga një sëmundje e pashërueshme.
Një sëmundje, e cila Llallën, minimalisht, nuk e ka lënë në shtëpi. Maksimalisht, ka hipoteza se ai mund të jetë jashtë shtetit, edhe pse e kishte të ndaluar të lëvizte, deri në marrjen e vendimit ndaj tij.
Ndërsa, avokati i tij, vijon historinë e njëjtë: Kjo masë e marrë ndaj klientit, do të apelohet sërish.
Por “saga” Llalla, rrënjët e fillimit i ka disa vjeçare.
Akuzat ndaj Llallës
Do të ishte Prokuroria e Durrësit, ajo që do të regjistronte procedimin e parë penal për ish-kryeprokurorin Llalla.
Në mars të 2018-ës, mbi të do të rëndonin katër akuza.
E para ishte ajo e pastrimit të produkteve të veprës penale, më pas e shpërdorimit të detyrës, mosdeklarimit të të ardhurave, si dhe mosdeklarimit të shumave të të hollave në kufi.
Më pas, u kalua për kompetencë tek ish-Krimet e Rënda dhe SPAK. Ai u akuzua nga SPAK-u për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”.
Ish-prokurori u gjykua për veprën penale të fshehjes sё pasurisё. Ndërkohë, ishte vendosur dhe njё hetim pёr pastrimin e parave.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme vendosi për sekuestrimin e pesë pasurive të paluajtshme të ish-kryeprokurorit. Ky vendim erdhi pas një kërkese të SPAK-ut.
Në përfundim të hetimit, SPAK vlerësoi se, ndaj tij, provohej vetëm akuza e “mosdeklarimit të pasurisë”.
Pasi përfundoi mandatin e kryeprokurorit, Llalla dha dorëheqjen nga sistemi dhe nuk iu nënshtrua vettingu-t.
Ndërsa Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli atë non grata, duke i ndaluar atij dhe familjes hyrjen në SHBA.
Apel pas Apeli
Më 20 maj 2021, Adriatik Llalla do të dënohej nga Gjykata e Posaçme me dy vjet burgim dhe pesë vjet përjashtim nga çdo post publik.
Ky vendim do të vinte pasi në shkurt 2021, Gjykata e Lartë pati vendosur të sekuestronte disa pasuri të ish-kryeprokurorit.
Por ai nuk do ta pranonte vendimin dhe do ta apelonte më 3 qershor 2021. Seanca e radhës, u caktua në korrik.
Megjithatë, në çështjen e 16 korrikut të vitit 2021, avokati mbrojtës i Llallës, Hazizaj, u bë shkak për shtyrjen e vendimit. Ai mungoi pa arsye, për çka u gjobit edhe me 20 mijë lekë.
Seanca u shty me dy javë, për në 30 korrik, po ajo sërish nuk u zhvillua. Shkak u bë sërish mungesa e ish-kryeprokurorit, por këtë herë, ai e arsyetoi mungesën me gjendjen shëndetësore jo të mirë.
Më 9 shtator, avokati Hazizaj paraqiti disa prova të reja në mbrojtje të klientit të tij. Këto prova gjithsesi, GJKKO-ja nuk i pranoi. Ndaj, për një vendim përfundimar, çështja u shty më 22 shtator.
Llalla sërish nuk ishte në seancë, me pretendimin se ishte në gjendje të keqe shëndetësore.
Pikërisht 22 shtatori, do të ishte edhe vula e Apelit, i cili përtej mungesës së ish-kryeprokurorit, e la në fuqi dënimin ndaj tij, duke i hapur rrugë policisë për të zbatuar vendimin e arrestimit.
Një dënim që erdhi, por jo me arrestim, pasi Llalla nuk gjendej në banesë.
Peshku i parë i madh
Ndër mbështetësit kryesorë të Reformës në Drejtësi në Shqipëri, kanë qenë SHBA-të. Fillimisht me ambasadorin Donald Lu, e më pas me pasardhësen e tij, Yuri Kim, SHBA-të ka ushtruar trysni të fortë për të parë arritjet e kësaj reforme.
Do të ishte ambasadori Lu, ai i cili do të përpunonte fillimisht termin “peshqit e mëdhenj” në rrjetën e drejtësisë.
Por do të ishte Kim, ajo e cila do të shihte frytet e para të drejtësisë së re.
Pikërisht vendimi i 22 shtatorit, i cili lë në fuqi masën për Llallën, e ka bërë ambasadoren t’i adresohet qytetarëve nëpërmjet Tweeter-it.
“Është mirë kur shohim drejtësinë e vënë në vend ndaj zyrtarëve të korruptuar”, shkruan Kim.
Ndërsa inkurajimi i saj për prokurorët, që të vazhdojnë punën e nisur, nuk mungon kurrsesi, duke theksuar se askush nuk është mbi ligjin.
Gjithsesi, një reagim i radhës duhet parë, nëse mungesa e arrestimit të Llallës, do të jetë shkas për një tjetër mesazh të ambasadores ndaj drejtësisë.
Të tjera
-
Një veturë që po kërkohej nga shteti gjerman gjendet në Vushtrri
Një veturë e cila ishte në kërkim nga shteti gjerman është gjetur dhe sekuest...
-
Vdes personi i cili ishte duke u trajtuar jashtë vendit pas një aksidenti në Serbovc
Një person i cili është aksidentuar më 20 nëntor, ka ndërruar jetë ditën e dj...
-
Ministri Peci publikon mesazhin e një personi që e ofendoi rëndë
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka publikuar mesazhin e një personi i cili e...
-
Gjuajtje me ạrmë në Koliq të Prishtinës
Policia e Kosovës ka njoftuar për të shtëna me armë zjarri në fshatin Koliq t...
-
Gjakovë: I dyshuari shkakton aksidentin dhe ikë nga vendi i ngjarjes
Një aksident trafiku ka ndodhur në fshatin Devë të Gjakovës. Një person ka...
-
Zhduket një grua në Podujevë
Një grua është raportuar e zhdukur në Obranqë të Podujevës. Në raport thuh...
-
Patën mosmarrëveshje në rrjete sociale 7 persona të përfshirë në rrạhje e plạgosje me thịkë në Lipjan
Një rast i rëndë ka ndodhur të hënën në fshatin Resinoc të Lipjanit ku pas nj...
-
Presidentja Osmani në Kolumbi, ndan thirrje për eliminimin e dhunës ndaj grave
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nisur vizitën e saj zyrtare në Kolumb...
-
Dy kosovarë dyshohet se janë arrestuar nga Serbia
Ushtria serbe raportohet se i ka arrestuar të premten dy persona nga Podujeva...
-
Kur do të hapet Ura e Ibrit ?
Takimi i radhës mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të S...
-
Gashi shprehet i nderuar që u prit nga miku i tij, Konjufca në Prishtinë
Gjatë ditës së djeshme, në Kosovë për vizitë zyrtare erdhi kryetari i parlame...
-
Manastiri i Graçanicës si këmbimore, thyen eurot për dinarë
Janë kulte fetare e veprimtaria e tyre do të duhej të ishte predikimi i fesë,...