Lajme

Ish-auditorët “auditojnë” Fushë Kosovën me kamera

Autori: Gazeta inFokus 22:23 | 16 July 2023

Komuna e Fushë Kosovës po kritikohet se ka shpërblyer me tender personin i cili ka lidhje me nënkryetarin e ri të kësaj komune. Pronari i kompanisë ishte ish zëvendës i Besnik Osmanit, në kohën kur ky i fundit ishte Auditor i Përgjithshëm. Opozita thotë se kanë ngritur zërin vazhdimisht për këtë tender, derisa zëdhënësi Ali Topalli thotë se nuk ka informacion për një gjë të tillë, e cila sipas tij, mund të jetë edhe e rastësi.

10 ditë pasi Besnik Osmani është emëruar si nënkryetar i Fushë Kosovës, kjo komunë e ka shpërblyer me një tender ish-bashkëpunëtorin e tij.

Këtë kontratë e ka fituar kompania “E Connect”, me pronar Ilir Salihun, i cili ka qenë zëvendës i Besnik Osmanit, në kohën kur ai ishte Auditor i Përgjithshëm.

-Advertisement-

Tenderi në vlerë prej gjysmë milioni euro parasheh vendosjen e kamerave në hapësirat publike të Fushë Kosovës dhe fshatrave të kësaj komune.

Kanal10 ka kontaktuar edhe nënkryetarin e kësaj komune për të pyetur për afërsinë e tij me pronarin e kompanisë “E CONNECT”.

Në një përgjigje me shkrim, Osmani thotë se sapo ka filluar punën dhe se nuk ka asnjë informacion për diçka të tillë.

“Unë s’kam asnjë informacion lidhur me këtë çështje. Unë sapo kam filluar punën. Për të gjitha informatat ju lutem drejtohuni te Kryetari i Komunës.”, tha Osmani, nënkryetar i Komunës së Fushë Kosovës.

Por, edhe Burim Berisha, ka sugjeruar që përgjigja të kërkohet në Zyrën e Prokurimit, duke thënë se ajo është kompetente për këtë proces.

Ndërkohë, zëdhënësi i komunës, Ali Topalli ka thënë se nuk ka informacione nëse fituesi i tenderit ka lidhje me nënkryetarin, derisa ka shtuar se një gjë e tillë mund të jetë edhe rastësi.

Televizioni ka kontaktuar edhe kompaninë “E CONNECT”, mirëpo të njëjtit kanë refuzuar të përgjigjen në rastin kur është pyetur në lidhje me tenderin e fituar.

Ndërkaq, akuza me procesin e kësaj kontrate kanë hedhur nga opozita në Fushë Kosovë.

Habib Mekolli nga Vetëvendosje thotë se fillimisht dyshimet ishin për vlerën e madhe të tenderit, por sipas tij, më pas e kanë kuptuar se atë e ka fituar një ish-bashkëpunëtor i udhëheqjen komunale.

Ndryshe, Besnik Osmani ka qenë Auditor i Përgjithshëm gjatë periudhës 2016-2021, ndërkaq zëvendës i këtij gjatë kësaj kohe ka qenë Ilir Salihu, që tash drejton edhe kompaninë “E Connect”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rëndësia e komunikimit efektiv midis Familjes dhe Kopshtit
-Advertisement-

Të tjera