Lajme

Isa Mustafa për dialogun Kosovë-Serbi: Kurti nuk ka treguar aftësi që ta drejtojë këtë proces aq sa duhet

Autori: Gazeta inFokus 22:47 | 22 May 2023

Qeveria e Kosovës thotë se për të krijuar një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb, do të shtyjë përpara një model kroat për pakicat kombëtare.

Ky “nivel i vetëmenaxhimit” parashihet me një marrëveshje që Kosova dhe Serbia arritën në Ohër, më 19 mars, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve.

Se a mund të gjejë zbatim në Kosovë modeli kroat i Asociacionit, ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se një gjë e tillë do të ishte e mirëpritur.

-Advertisement-

“Nëse bindet Serbia dhe BE-ja që kjo është një zgjidhje që funksion, është mirë që edhe kjo të ofrohet si zgjidhje në tavolinë dhe të bëhet përpjekje. Është mirë të provojë këtë Kurti, ta argumentojë dhe të gjendet një zgjidhje  e cila është zgjidhje e mirë”, ka thënë ai.

Në një intervistë për RTV Dukagjini, të transmetuar në emisionin “Debat Plus”, Mustafa  ka thënë se është pritur që Kurti të fokusohet në çështjet e brendshme, por i është imponuar që dialogu të jetë prioriteti i parë.

Sa i përket dialogut, sipas tij Kurti nuk ka treguar aftësi që ta drejtojë këtë proces aq sa duhet.

“Pushteti aktual përfshirë presidencës, qeverinë, parlamentin ka dështuar në këtë aspekt sepse me veprimet e bëra në vitin 2022 në veri të vendit e kanë sjellë procesin në atë gjendje që më për dialogun të mos flitet si për një zgjidhje për Kosovën por të flitet vetëm si një çështje e trajtimit të komunitetit serb në Kosovë dhe të stabilitetit dhe të paqes dhe problemi është spostuar për 7-8 vjet më vonë atë që ne kemi pasur në tavolinë si çështje të njohjes reciproke nga Serbia”.

Ai pati edhe një koment për ikjen e qytetarëve nga vendi.

“Sa i përket çështjeve të tjera në politikën e jashtme, nuk kemi njohje. Po lexoj që rekordi i ikjes ka qenë në vitin 2015 kur unë kam qenë kryeministër, ka qenë rekord por i organizuar sepse kemi pasur një hapje të një kanali të ikjes përmes Serbisë në Hungari”, shtoi Mustafa.

“Atëherë ne kemi biseduar edhe me vendet e BE-së që të kthehen ata dhe kemi pasur një kthim prej 70- për qind të atyre që e kanë lëshuar vendin, tash nuk ka kthim dhe nuk është ikje normale sepse njerëzit po gjejnë vende pune atje, Bislimi mund ta quajë ashtu por neve realisht po na zvogëlohet numri të rinjve në Kosovë dhe është tragjike për ne sepse edhe si potencial i zhvillimit ekonomik ne do të kemi pasoja në të ardhmen”, ka theksuar ai.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!
-Advertisement-

Të tjera