Lajme

Intervistë ekskluzive me Dr. Rijad Imeri: A ishte tërmeti ndëshkim apo sprovë e Zotit për shqiptarët?!

Autori: Gazeta inFokus 19:23 | 04 December 2019

Dionisa dhe Enis Lala ishin vetëm 2 vjeç kur tërmeti vdekjeprurës që goditi Shqipërinë javën e kaluar, shembi pallatin mbi trupin e tyre.

Të dy fëmijët bashkë me gjashtë anëtarët e tjerë të familjes Lala nuk jetojnë më.

Por, qytetarët kanë ngritur një pyetje me rëndësi pas këtij rasti, shkruan gazeta inFokus.

-Advertisement-

Si ka mundësi që Zoti, të cilin besimtarët e njohin për të mëshirshëm ua mori jetën fëmijëve të pafajshëm?

Për pyetje si kjo dhe dilema tjera të mëdha të qytetarëve, gazeta inFokus ka intervistuar Dr. Rijad Imerin.

Imeri, ka specializuar në fushën e tefsirit – komentimit dhe interpretimit të Kuranit dhe për lexuesit ai përgjigjet nëse ekziston parajsa dhe ferri edhe për besimtarët e feve tjera përveç islamit.

Çfarë ndodhë me miliarda budist, të krishterë e besimtar tjerë? Ku shkojnë ata pas vdekjes pavarësisht veprave të tyre?

Në këtë intervistë, ai fletë edhe për sprovat që thuhet se Zoti ua bënë njerëzve me pasuri, tragjedi në familje e varfëri.

Përse duhet të ndodhë diçka e tillë në vend se të jenë të gjithë të lumtur dhe të barabartë në botë?

Nga vdekjet, vrasjet në emër të fesë e deri tek debatet më të mëdha të njerëzimit gjatë historisë për prejardhjen e njeriut dhe ekzistimin e një fuqie të mbinatyrshme me emra të ndryshëm, më poshtë mund të gjeni përgjigje në intervistën me Dr.Rijad Imerin.

inFokus: Si dëshmohet tek njerëzit ekzistenca e Zotit?

Imeri: Zoti i ka dhuruar njeriut kapacitet mendor të mjaftueshëm për të arritur deri te e vërteta, pra për ta kuptuar ekzistimin e një fuqie mbinatyrore e cila është burim e çdo gjëje dhe ky është hapi i parë drejt njohjes së Zotit.

Mjafton që njeriu ta ngrit kokën e tij dhe t’i shoh me shikimin e tij të thjeshtë miliona yje të cilat e kanë zbukuruar qiellin, ta shoh diellin e hënën të cilat lindin e perëndojnë me precizitet të jashtëzakonshëm, t’i shoh retë, shiun, borën, breshrin, e pastaj t’i shoh kodrat e pyjet, t’i shoh bimët të cilat janë krijuar nga e njëjta tokë dhe i njëjti shi, por secila e ka shijen, pamjen, aromën e ndryshme, t’i shikoj kafshët dhe llojllojshmërinë e tyre, peshqit në lumenj e detëra, pastaj t’i shoh njerëzit, dhe dalëngadalë të rikthehet te vetja e tij dhe ta pyes veten a thua a mund të jetë kjo vetëm një rastësi në këtë gjithësi?!

Por nëse avancohet pak njeriu në shikimin e tij, dhe përdor teleskopin dhe shikon në gjithësi do të shoh magjinë e universit, yje e planetë e galaktika të pafund, dhe sa më shumë që avancohet njeriu në teknologji aq më shumë impresionohet nga ky sistem i sofistikuar dhe aq i avancuar sa që logjika e njeriut nuk mund ta pranoj “rastësinë” në tërë këtë univers.

A mund të jetë rastësi që as një njeri i vetëm mos ta ketë ADN-në e njëjtë me ndonjë tjetër në ekzistimin e mbi 7 miliard njerëzish, gjurmët e gishtërinjve, gjurmët e syrit dhe veçoritë e të menduarit, e të logjikuarit e po ashtu dhe ndjenjat e tij!

Nëse marrim edhe e studiojmë krijesën edhe më të vogla që ekziston në planetin tonë do ta gjejmë precizitetin dhe ndërlikueshmërinë në organizmin e tij, sa që është e pa mundur të vije nga asgjëja dhe pikërisht për këtë thotë Zoti i madhëruar: ”Allahu nuk turpërohet të sjell si shembull (të fuqisë së krijimit të tij) qoftë edhe një mushkonjë apo diçka edhe më të imët se ajo…” (Kuran 2:26) Pra sa do që të jetë e imët krijesa do ta gjeni aty madhështinë e Krijuesit.

Dhe po e përfundoj me një thënie të filozofit islam Mustafa Mahmud: ”Bindja se jeta jonë është rezultat i një shpërthimi kozmologjik i cili ndodhi rastësisht, i ngjan bindjes se një shpërthim në shtypshkronjë mund të shkaktoj rastësisht radhitjen e shkronjave dhe si rezultat të formoj një libër poezisht më të bukur se ato të Shekspirit.”

Të gjitha këto dëshmi kah do që të rrotullohet syri i njeriut dhe në vet syrin e njeriut nuk e arsyetojnë asnjë person i cili posedon logjikë të shëndosh që të mos besoj në ekzistimin e kësaj fuqie absolute që e quajmë: Zot, Hyjni, Allah.

“Në tokë ka argumente për ata të bindurit. Po edhe në veten tuaj, a nuk jeni kah i shihni”(Kur’an 51:20-21)

inFokus: A i shërben Zoti vetëm të mirëve?

Imeri: Kjo pyetje është e formuluar gabimisht, ngase Zoti nuk i shërben askujt, por ne i shërbejmë Zotit. Zoti shpalli ligje dhe e frymëzoi njeriun me udhëzimin e Tij përmes njerëzve më të përzgjedhur mbi sipërfaqen e tokës, Profetëve të tij, përmes të cilëve i udhëzoi njerëzit kah e mira dhe e drejta, që jo vetëm një person, a një shoqëri të bëhet e mirë, por kjo e mirë ta përfshijë tër njerëzimin dhe kjo e mirë të ketë efektet e saja edhe tek krijesat tjera që na shoqërojnë mbi këtë planet.

Thotë Zoti I madhëruar: ”Unë asesi nuk jam zullumqar për robërit ( krijesat e mia)”(Kur’an 50:29)

 

inFokus: A është Zoti i mëshirshëm dhe i mirë për të gjithë?

Imeri: Mëshira e Zotit ka përfshirë çdo gjallesë mbi sipërfaqen e tokës dhe ajo nuk përkufizohet vetëm tek njeriu, thotë Muhamedi a.s.: ”Allahu e ka zbritur vetëm një pjesë të mëshirës së Tij në tokë mbi xhindët e njerëzit, kafshët e insektet, me të ndjejnë dashuri ndaj njëri tjetrit dhe mëshirohen ndër vete, dhe me të ndjenë dashuri egërsira ndaj të voglit të saj…”

Kurse libri i shenjtë i myslimanëve fillon me “Në emër të Zotit, të Gjithmëshirshmit, Mëshirëplotit” që çdo kush i cili e lexon këtë libër do ta gjej Zotin e tij të Gjithmëshirshëm.

Ne jetojmë me mëshirën e Zotit dhe qindra mijëra mirësi të Tij na rrethojnë në çdo moment, notojmë në to në çdo moment, sikurse peshku që noton në ujë, e sikur të mos ishte kjo mëshirë, do të përfundonte edhe vet ekzistenca jonë.

 

inFokus: Si ka mundësi që Zoti të jetë i mëshirshëm dhe si në rastin e tërmetit në Shqipëri t’ua merr jetën e fëmijëve të pafajshëm?

Imeri: Së pari ndjejmë dhimbje për çdo viktimë të këtij rasti i cili i ka tronditur thellë zemrat tona, duke lutur Zotin që t’i mëshiroj të vdekurit, t’i shëroj të lënduarit, t’i qetësoj të traumatizuarit dhe t’ua lehtësoj gjendjen e të pastrehëve.

Kurse kur flasim për mëshirën e Zotit, ajo është shumë e qartë në këtë ndodhi dhe në çdo tjetër, por nëse nuk ndalemi të analizojmë e logjikojmë do ta quajmë Zotin si “të padrejtë” “kriminel” etj…siç veprojnë disa njerëz.

Së pari kjo botë nuk ka kuptim vetëm se me ekzistimin e botës tjetër, ndryshe normat e moralit, mirësjelljes, e mira nuk do të kishte kuptim, nëse nuk do të ekzistonte Parajsa, ku çdo e mirë në të do të shpërblehet edhe nëse në këtë botë kthehet me të keq, po ashtu ekzistimi i Ferrit është sinjal se çdo kush i cili i ka ikur dënimit në këtë botë, e pret atë një gjykatë supreme, ku do të jap llogari për çdo krim sa do i vogël dhe sekret të jetë ai.

Pra derisa një fëmijë apo një person i mirë udhëton për botën tjetër, ai po udhëton drejtë Parajsës (Xhenetit) dhe këtu fshihet mëshira më e madhe e Zotit. Përderisa i quajmë të mëshirshëm e bujar njerëzit që i kanë hapur dyert e shtëpive të tyre për t’i pritur të pastrehët për disa ditë, a thua nuk duhet ta quajmë të gjithëmëshirshëm Zotin i cili i hapi portat e qiellit që t’iu ofroj këtyre fëmijëve vendstrehim në Parajsat e tij të përhershme?!

E dyta vdekja është mëshirë për njeriun, ngase sikur të mos dilte shpirti dhe të përfundonte jeta nëse të bien tonelata rrënoja mbi trupin tënd dhe të copëtohet çdo kockë e trupit tënd dhe ta ndjej njeriu këtë tmerr gjatë gjithë jetës së tij, kjo do të ishte një vuajtje që fjalori i njeriut nuk mund ta përshkruaj e as logjika e tij ta perceptoj, e as zemra e tij ta ndjej atë. Porse Zoti me mëshirën e Tij nuk e ngarkon askënd përtej kapacitetit të përballimit të dhimbjes, në atë moment që tejkalohet kufiri i përballimit të dhimbjes, urdhërohet shpirti të dal nga trupi i njeriut dhe kjo gjithsesi është mëshirë.

  • E treta Zoti i shpërblen me mëshirën e Tij edhe ata familjarë që i mbijetuan tërmetit dhe ua zëvendëson me të mirat e kësaj bote dhe të botës tjetër për durimin e tyre. Kur Zoti i cakton dikujt jetën i dërgon edhe shkaktarët e saj, e kur ia cakton vdekjen i dërgon po ashtu shkaktarët e saj. Megjithatë Zoti me mëshirën e tij i shpërblen në këto raste ata që u munduan ta shpëtojnë një jetë njeriu, sikur ta kishin shpëtuar gjithë njerëzimin.
  • E katërta zakonisht në tragjedi edhe zemrat më të ngurta zbuten, edhe njerëzit më koprrac u dalin në ndihmë vëllezërve e motrave të tyre, dhe e gjithë ky solidaritet padyshim se e ka një epiqendër e ajo është mëshira e Zotit, e cila ka marr formën e saj më të bukur në mesin tonë. Lus Zotin që të zgjas kjo ndjenjë e vëllazërisë dhe bashkimit, që ta ndjejmë vazhdimisht se jemi një komb dhe jemi një popull unik.
  • E pesta nga mëshira e Zotit është se njeriu mëson nga lëshimet e tij në çdo fatkeqësi, qoftë në aspektin personal apo shoqërorë, dhe vijnë këto sprova që ne të avancohemi, si në aspektin infrastrukturor po ashtu në aspektin organizativ.

 

inFokus: Përse Zoti ju ka dhënë pasuri të madhe njerëzve që nuk janë besimtar?

Imeri: Zoti nuk i ka veçuar vetëm jobesimtarët me pasuri, ngase ka nga jobesimtarët që vdesin urie, sikurse ka nga besimtarët të pasur dhe të tillë që jetojnë në kushte ekstreme. Porse kjo botë është botë sprove, dhe njeriu sprovohet në forma të ndryshme, një prej tyre është edhe pasuria. I pasuri (pa marr parasysh a është besimtar apo jo) do të pyetët para Zotit si e fitoi pasurinë e tij dhe si e shfrytëzoi atë, pra sa më shumë që të jetë keqpërdorimi i pasurisë aq më shumë shtohet dënimi dhe sa më i madh të jetë përdorimi i pasurisë në dobi të njerëzimit aq më i madh do të jetë edhe shpërblimi i Zotit, ndërsa sa më e vogël që të jetë pasuria aq më e vogël do të jetë edhe përgjegjësia.

Në këtë botë Zoti i madhëruar ka caktuar ligje universale në fitimin e pasurisë, dhe nëse i zbatojnë ato besimtarët apo jobesimtarët do të arrijnë tek pasuria, pra nuk është kusht arritja tek pasuria besimi, por është angazhimi, mirë menaxhimi, drejtësia, largpamësia, strategjia, planifikimi e kështu me radhë, kurse ka zbritur ligje hyjnore me të cilat i ndalon njerëzit të arrijnë tek pasuria në mënyrë jo të drejtë, siç janë korrupsioni, hajnia, plaçkitja, mashtrimi, shantazhi etj. Dhe përderisa njeriu mundohet ta fitoj pasurinë e tij në mënyrë të drejtë ai shpërblehet për çdo djersë të tij dhe kjo është pjesë e adhurimit në kuptimin e gjerë të tij. Ngase Zoti e do njeriun produktiv dhe e ka urdhëruar me një gjë të tillë.

 

inFokus: Shpesh thuhet se Zoti i sprovon njerëzit me pasuri, tragjedi në familje e varfëri. Përse duhet të ndodhë diçka e tillë në vend se të jenë të gjithë të lumtur dhe të barabartë në botë?

Imeri: Sprovat e Zotit i kanë dimensionet e tyre të shumta, që ndoshta nuk do të mjaftonte një libër voluminoz t’i përfshinte ato, por do të mundohem shkurtimisht të përgjigjem.

Njeriu në natyrën e tij, çdo gjë që është rutinë tek ai e humb shijen dhe vlerën e saj, për këtë nuk ia dimë rëndësinë shëndetit përderisa nuk na godit ndonjë sëmundje, nuk ia dimë vlerën familjes përderisa nuk e humbim ndonjë anëtarë të familjes sonë, nuk ia dimë vlerën pasurisë përderisa nuk e shijojmë varfërinë, nuk ia dimë vlerën udhëzimit përderisa nuk e shijojmë devijimin, nuk ia dimë vlerën drejtësisë për derisa nuk i shijojmë rezultatet e padrejtësisë dhe korrupsionit. Sikur të ishim të gjithë të barabartë atëherë nuk do të kishte lumturi, ngase nuk do të kishim nevojë për njëri tjetrin, nuk do t’ia dinim vlerën njëri tjetrit, për këtë plaku ka nevojë për të riun, i dobëti për të fortin, i varfëri për të pasurin, i sëmuri për të shëndoshin dhe kështu me radhë. Në këtë gjë fshihet lumturia jonë si shoqëri, kur e plotësojmë njëri tjetrin, e vlerësojmë dhe respektojmë njëri tjetrin dhe e mbrojmë njëri tjetrin. Kurse nëse ndahemi në shtresa shoqërore, siç dëshmon historia njerëzore, ajo asnjëherë nuk sjell lumturi, vetëm se përçarje dhe vuajtje.

 

inFokus: Përse duhet të ndëshkohet njeriu për besimin në Zot, derisa Zoti nuk ka nevojë për besimin tonë duke qenë i plotfuqishëm?

Imeri: Është e vërtetë se Zoti nuk ka nevojë për besimin tonë, por mosmirënjohja është një krim i cili nuk falet. Imagjino nëse ju mi dhuroni 1 milion euro dhe unë dal dhe them para masës këto para mi ka dhuruar tjetër kush e jo ti, ose vet i kam fituar, kjo është një krim, ngase kjo gjë nuk kërkon më shumë se sa një mirënjohje ndaj jush dhe një falënderim. Kurse Zoti ka krijuar qiejt dhe tokën dhe na ka ofruar çdo mirësi të tij që të vazhdojmë jetën mbi to, edhe vet oksigjenin që e thithim në çdo moment, dhe shkon njeriu dhe i përulet një guri i cili nuk flet, një druri të tharë, apo një kafshe e cila është më e ultë se vet njeriu, kjo është përbuzje dhe mosmirënjohje ndaj dhuruesit si dhe nënvlerësim dhe poshtërim i vetës tënde si njeri dhe i logjikës tënde. Besimi në Zot në anën tjetër na orienton se si ta mbrojmë vetën e mos t’i bëjmë padrejtësi vetes në asnjë mënyrë e po ashtu as tjetrit, qoftë ai njeri, apo kafshë apo insekt dhe të jetojmë në harmoni me njëri tjetrin.

Thotë Zoti i madhëruar:” Ata (njerëzit) nuk na bënin dëm Neve ( me devijimin e tyre), por i bënin padrejtësi vetës së tyre” ( Kur’an 2:57)

 

inFokus: Derisa të gjitha fetë kryesore janë të ardhura nga Zoti, si shpjegohet që luftërat dhe vrasjet janë të shkaktuara pikërisht prej ideologjive fetare?

Imeri: Udhëzimet dhe feja e Zotit është një, por devijimet e njerëzve janë të shumta të cilat pastaj i kanë përvetësuar dhe me to janë munduar të përafrohen te Zoti, apo të i realizojnë interesat e tyre të ulëta dhe dashakeqe.

Pikërisht këto devijime janë shkaktarët kryesorë në formimin e ideologjive vëllavrasëse, dhe kjo është esenca se pse Zoti vazhdimisht ka dërguar profetë, të cilët arrijnë shifrën përgjatë historisë njerëzore në 124.000 profetë, të cilët i dërgoi që tua përkujtonin njerëzve ligjet e Zotit dhe të mos pasojnë devijimet e njerëzve dhe interesat e ngushta, por shpeshherë edhe vet profetët ishin cak i sulmeve, keqtrajtimeve dhe jo rrallëherë edhe mbytjeve të tyre. Këtë krim e regjistron Kur’ani, ku Zoti thotë:” E sa herë që u erdhi ndonjë i dërguar me çka nuk u pëlqeu juve, a nuk u bëtë kryelartë dhe disa prej tyre i përgënjeshtruat e disa i mbytët?!”(Kur’an 2:87)

Edhe në ditët e sotit, njeriu i cili mundohet t’ua sqaroj të vërtetën njerëzve radikal bëhet cak i sulmeve të tyre, e kur forca gjendet në duart e tyre, vjen deri te ekzekutimi i menjëhershëm! Pikërisht kur unë e publikova një shkrim kundër Ebu Bekër el-Bagdadit disa persona nuk lan akuzë pa ma drejtuar mua, derisa disa më prekën edhe në nderë, dhe ua përmenda atyre se flamuri i ISIS-it e tregon të vërtetën e tyre, çdo gjë në të është e zezë përveç fjalës “la ilahe ila Allah” “Nuk ka zot tjetër pos Allahut” kjo është me të bardha ngase nuk u takon atyre.

Pra krimet në emër të fesë janë të ndaluara dhe nuk ka krim më të madh se të bësh një krim në emër të Zotit i cili e ndalon krimin dhe padrejtësinë në çdo formë.

 

inFokus: Nëse gjithçka në jetën e njeriut është e paracaktuar përse duhet të ekzistoi shpërblimi dhe ndëshkimi?

Imeri: Në çdo gjë që është përcaktuar nga Zoti nuk do të ketë dënim e as shpërblim, por aty ku ka vullnet dhe mundësi zgjedhjeje aty ka edhe përgjegjësi. P.sh. Njeriu nuk do të shpërblehet e as dënohet pse ka lindur në një familje, e as në një vend, e as që ka gjatësinë e caktuar, e as që ka ngjyrë të lëkurës të ndryshme! Një shembull aktual, vëllezërit tanë në Shqipëri nuk janë përgjegjës pse ka ndodh tërmeti, por janë përgjegjës se si sillen në këto momente të vështira me ata që janë prekur nga ky tërmet, nëse ata u kanë dalë vëllezërve të tyre në ndihmë secili nga ta do të fitoj shpërblimin e Zotit sipas angazhimit të tij, por nëse ka pas lëshime të qëllimshme nga arkitektët apo ka pas manipulime në lejendërtimin e banesave jo sipas standardeve të parashikuara, ata do të jenë përgjegjës para drejtësisë Hyjnore, edhe nëse i ikin drejtësisë njerëzore.

 

inFokus: A ekziston parajsa dhe ferri edhe për besimtarët e feve tjera përveç islamit. Çfarë ndodhë me miliarda budist, të krishterë e besimtar tjerë? Ku shkojnë ata pavarësisht veprave të tyre?

Imeri: Parajsa (Xheneti) apo Ferri (Xhehenemi) nuk janë vetëm për myslimanet, por këto vlejnë për të gjithë njerëzimin që nga njeriu i parë deri te njeriu i fundit, por besimi në to apo jo është çështje e lirë që Zoti e ka lënë për njeriun. Në këtë botë njeriu asnjëherë nuk dënohet se pse nuk beson në Zot apo në shpërblimin dhe dënimin e tij, ngase atëherë nuk do të kishte liri të zgjedhjes, por vjen dënimi i Zotit në këtë botë para botës tjetër nëse njeriu bën krime të tmerrshme dhe bën trazira në tokë.

Dhe këtë liri të besimit Zoti qartë e potencon në librin e Tij:” E ti thuaj: “E vërteta është nga Zoti juaj, e kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë.”(Kur’an 18:29)

Por ku do të shkojnë njerëzit e besimeve tjera? Dijetarët Islam qysh herët i ka preokupuar kjo çështje, dhe përgjigjen e tyre e kanë gjetur tek fjala e Zotit:” Kush e udhëzon veten në rrugën e drejtë, ai e ka udhëzuar veten e tij, e kush devijon e ka humbur veten e tij, askush nuk do ta bartë barrën e tjetrit. E Ne nuk dënojmë para se t’ia dërgojmë ndonjë lajmëtar.”(Kur’an 17:15)

Pra nëse dikujt i ka ardhur e vërteta (lajmëtari, Islami) në formën e drejtë dhe të qartë dhe e ka refuzuar atë, e ka luftuar atë me të gjitha mundësitë që i ka poseduar, duke e kuptuar se kjo është e vërtetë, dhe asnjëherë nuk është penduar për to, ky person do të dënohet me zjarr të përjetshëm. Ashtu siç ka qen Ebu Xhehli që i ka thënë Muhamedit a.s.: Unë e di se ti je profet i Zotit, por nuk të besoj, se pse prej fisit tënd doli një profet e prej fisit tim jo, kurse ne çdoherë kemi garuar në mes vete.”

Ndërsa atij personi që i ka ardhur e vërteta jo në formën e duhur, pra i ka arritur në formë të shëmtuar, qoftë nga pasuesit e së vërtetës apo nga kundërshtarët e saj, ose nuk ka dëgjuar fare për të vërtetën ai person do të jetë në mëshirën e Zotit, e disa dijetarë kanë thënë se ata do t’i nënshtrohen një sprove në botën tjetër dhe nëse e kalojnë do ta fitojnë Parajsën, nëse jo do ta humbin atë. Kur themi që do të jenë në mëshirën e Zotit, mbështetemi në fjalët e Zotit ku do t’i drejtohet Ai Isait (Jezusit):” Dhe kur All-llahu tha: “O Isa, bir i Merjemes, a ti njerëzve u the: “Më besoni mua dhe nënës time dy zota pos All-llahut!?” (Isai) Tha: “Larg asaj të mete je Ti (o Zoti im). Nuk më takon mua ta them atë që s’është e vërtetë. Ta kisha thënë unë atë, ti do ta dije. Ti e di çfarë ka në mua, e unë nuk e di çfarë ka në Ty. Ti je më i dijshmi i të fshehtave!” Unë nuk u kam thënë tjetër atyre, pos asaj që Ti më urdhërove; ta adhuroni All-llahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj, dhe sa isha ndër ta, kam qenë përcjellës i tyre, e pasi që më more mua, Ti ishe roje (dhe dëshmues) i tyre. Ti je dëshmitar për çdo send!” Nëse i dënon ata, në të vërtetë ata janë robër Tu, e nëse u falë atyre, Ti je i gjithëfuqishmi, i urti.“( Kur’an 5:116-118) Pra Isai (Jezusi) po i le ata në mëshirën e Zotit, kështu që ne nuk mund të themi asgjë përveç që kriminelët pa marrë parasysh a janë mysliman apo jo mysliman ata do të dënohen në Ferrë, kurse bamirësit asesi nuk do të jenë në një nivel me kriminelët.

 

inFokus: A mundet me qene dikush besimtar edhe me pas dyshime?

Imeri: Po, njeriu mund të jetë besimtar dhe të ketë dyshime të ndryshme, pasi që edhe niveli i besimit tek njerëzit nuk është i njëjte, po ashtu niveli i dijes së tyre nuk është i barabartë. Për këtë dijetarët janë më të devotshëm se të tjerët në besimin e tyre, ngase fenë e tyre e pasojnë me bindje dhe argumente e jo symbyllurazi, pikërisht për këtë thotë Zoti:”Allahut ia kanë dronë nga robërit e Tij dijetarët”(Kur’an 35:28)

Por ka dyshim pozitiv i cili të nxitë të hulumtosh dhe meditosh, ka shumë citate Kur’anore që janë shpallur në këtë stil e që nxisin për meditim më të thellë, dhe ka dyshim negativ i cili të bën neglizhent apo të devijon nga e vërteta dhe kjo është arma më e fortë e djallit që e shfrytëzon kundër njeriut me cytjet e vazhdueshme.

inFokus: Nëse ekziston vetëm një Zot, përse ka shumë fe në botë?

Imeri: E ceka më herët që çështja e besimit është çështje e lirë sipas bindjes dhe vullnetit të njeriut, që askush nuk guxon të të detyroj të jesh besimtar me zor, sikurse askush nuk guxon sipas Kur’anit të të mbys apo keqtrajtoj pse nuk je besimtar, kjo është prej gjërave elementare në Fenë Islame. Përkundrazi në Kur’an të gjithë ata që ushtruan dhunë ideologjike ishin jobesimtarë të cilët i digjnin njerëzit për së gjalli apo i mbysnin ata vetëm pse ishin besimtarë, një gjë të tillë e ka përjetuar edhe populli ynë gjatë periudhës së komunizmit.

Dhe përderisa Zoti e ka lënë çështjen e besimit të lirë, llojllojshmëria e feve do të ekzistoj aq sa do të ekzistoj pluralizmi ideorë.

“Sikur të dëshironte Zoti yt, do t’i bënte njerëzit të një feje”(Kur’an 11:118) Vullneti i Zotit ishte që njerëzit të jetojnë në një pluralizëm ideologjish, por secilin njeri Zoti e ka pajisur me një “aparat deteketues” pra me logjikën e tij, që ta shfrytëzoj atë në hulumtim dhe meditim e mos të iu bindet një ideologjie apo feje pa argumente të qarta e të fuqishme dhe mos të pasoj asgjë verbërisht, ngase ky pasim i verbër një ditë do ta dërgoj në humnerë edhe nëse njeriu është në rrugën e drejtë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fito 50 € për dyshekun e vjetër dhe merr dyshkeun e ri Cloud për vetëm 549 €

Të tjera