Intervista e Thaçit – përjetim apo presion? (2)
Autori: Gazeta inFokus 12:23 | 02 September 2023
Dikush mund të pyesë se ç’e lidh intervistën e Thaçit me Kinën. Fakti që Kina për arsye historike dhe gjeografike (relievi i ashpër) s’mund të bëjë aleancë me Rusinë, Iranin. Indinë e lë atë të ekspozuar para Superfuqisë së SHBA-së me aleatët e saj të Azisë Lindore që i rrinë përballë Kinës. Pastaj, rënia e rritjes ekonomike në Kinë e dobëson atë në rrafshin ndërkombëtar, përfshirë kontributin e saj në disfavor të shqiptarëve në Këshill të Sigurimit të OKB-së. Një dobësim i Kinës në arenën ndërkombëtare do të thotë forcim i SHBA-së dhe fitore e fuqizim i shqiptarëve në rajon dhe Evropë. Dhe intervista e Thaçit vjen në një kohë kur Kina ka ngelur vetëm spektatore përballë ekspozimit të Rusisë si kërcënuese e demokracisë dhe Evropës dhe ku Ukraina po e rrëzon mitin se Rusia është e pamposhtshme ushtarakisht.
Pamundësia e Kinës për t’u bërë Superfuqi
Siç e thashë në numrin e parë të këtij artikulli, ajo që ia lehtësoi shumë SHBA-së përballjen me Rusi në Ukrainë është fakti që rritja ekonomike e Kinës kishte filluar të bjerë ashtu siç në fakt ende është duke rënë. Bile lufta në Ukrainë i la pothuaj tërësisht nën hije të saj lojërat olimpike dimërore në Kinë, përmes të cilave Kina po mundohej t’i tregonte botës mrekullinë dhe pse jo madhështinë e saj. Në vitet e ardhshme Kina do të përballet me kriza të brendshme. Përqendrimi i rritjes ekonomike kryesisht në eksporte ka bërë që shumica e shtetit kinez të mos e përjetojë fare rritjen dyshifrore ekonomike të gjertanishme. Kjo ka bërë që pabarazia ekonomike mes pjesës kontinentale dhe asaj bregdetare të jetë ekstreme, saqë hiq më larg se 50 km nga Shangai varfëria është kronike dhe pse jo ekstreme.
Mbërthyerja nga krizat e brendshme do ta lodhë shtetin kinez ashtu sikundër që do ta dekurajojë t’i rrisë investimet në flotë ushtarake detare, diçka që SHBA do ta shihte me sy shumë kritik e sidomos në Indo-pacifik, ku SHBA po ridinamizon dhe rifuqizon partneritetet rajonale pikërisht për ta parandaluar dhe rrethuar Kinën që të mos e shtrijë më shumë ndikimin në Indo-pacifik, nga ku do të mund të rrezikohej më pas siguria nacionale në krahun perëndimor të SHBA-së saktësisht siç ishte rrezikuar nga Japonia gjatë Luftës së Dytë Botërore.
E tëra kjo i mundëson SHBA-së një luftë të gjatë me Rusi në Ukrainë, natyrisht duke e mbajtur Kinën nën vëzhgim të rreptë dhe të rrethuar nga Japonia, Tajvani, Koreja Jugore, Azia Juglindore dhe Australia si pararojë të kufijve të SHBA-së. Përderisa SHBA rrezikun nga Kina e sheh në ujëra (detëra e oqeane), rrezikun nga Rusia e sheh në tokë. E rreziku në detëra e oqeane është shumë më i madh për SHBA, ngase këtë gjë e ka përjetuar SHBA gjatë Luftës së Dytë Botërore kur i qe dashur të luftonte në dy fronte njëkohësisht, në lindje të SHBA-së kundër anijeve dhe nëndetëseve gjermane dhe në perëndim të SHBA-së kundër atyre japoneze. Fuqizimi i flotës ushtarake detare japoneze, australiane, koreano-jugore krahas asaj të SHBA-së nuk lë kurrfarë vendi për panikë. Kaq për Kinën.
Rënia graduale e Rusisë si fuqi rajonale
Nuk do mend që lufta në Ukrainë e kishte ekspozuar mjaftueshëm Rusinë para botës si agresore ndaj Evropës dhe rrjedhimisht edhe si sponsorizuese të Gjykatës Speciale së drejtuar kundër Kosovës dhe vetë Perëndimit, ky i fundit si mbështetës i pakontestueshëm i projektit të pavarësimit të Kosovës si dhe Shqipërisë. Rënia e komunizmit, humbja e republikave sovjetike bashkë me pavarësimin e ish-republikave jugosllave si dhe pavarësimin e Kosovës sipas kushteve të Perëndimit, nga Rusia po shiheshin dhe vazhdojnë të shihen si humbje e peshës ruse në Ballkan dhe njëkohësisht rritje e asaj amerikane, pra rrjedhimisht perëndimore. Nuk është e rastësishme rritja e antiamerikanizmit në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut diçka që SHBA është duke e parë me shumë shqetësim.
E Rusia përmes Serbisë me po të njëjtat taktika politike e diplomatike që i kishte ndërmarrë kundër Kosovës, qe munduar ta fuste dhe Ukrainën në të njëjtën grackë ndërkombëtare sikurse ia kishte dalë me Kosovën. Për Rusinë është jetike që Ukraina të ngelet nën ndikimin e saj dhe që kufiri me NATO-n të jetë te kufiri polako-ukrainas. Ndërsa për SHBA, është jetike që Rusia të jetë sa më larg kufirit të NATO-s, mundësisht të kufiri Ukrainë-Rusi. Ukraina është në qendër të të gjitha këtyre zhvillimeve, prandaj lufta ishte e pashmangshme.
Ndërkohë që rezistenca e jashtëzakonshme e Ukrainës së mbështetur fuqishëm nga Perëndimi kundër armatës ruse, argumenton mjaftueshëm projeksionet perëndimore që Rusia do ta humbasë atë luftë, pavarësisht se sa do të mund të zgjaste ajo. Tanimë ushtria ukrainase ka filluar të godasë caqe deri në Moskë dhe kjo tregon për fuqizimin gradual të aftësisë goditëse të saj. Rënia e bashkëpunimit energjetik dhe ekonomik mes Evropës dhe Rusisë, do të ketë pasoja fatale afatgjata për ekonominë tanimë në rënie të lirë të Rusisë. Jo më kot thuhet “kush kujt i bën gropën, bie vetë në të.” Dhe Rusia – më konkretisht kryetari rus – tanimë do të jetë vetë në bankën e të akuzuarve për krime lufte në Ukrainë. Kaq për Rusinë.
Shpërbërja e BE-së
Dalja e Britanisë së Madhe nga BE dhe ridinamizimi i aleancave mes vetë Perëndimit e dobësoi edhe më shumë BE gjersa i rriti valencën SHBA-së në Evropë. Interesi jetik i SHBA-së ishte që përmes luftës në Ukrainë ta prishte një aleancë në ngjizje e sipër mes BE-së dhe Rusisë sipas kushteve ruse. Tash e tutje SHBA do ta zhvillojë Evropën Lindore dhe atë Jugdlindore, ndaj edhe ka filluar t’i vendosë bazat e saj ushtarake në këto dy rajone për ta parandaluar rrezikun rus. Zhvillimi i Evropës Lindore dhe Juglindore do t’i shërbejë SHBA-së që të nxisë nga brenda reformat në Rusi. Zhvillimi i madh që pritet të ndodhë në Evropën Lindore dhe Juglindore që nga Vendet Baltike e deri në Bullgari e Turqi do të jetë muri i fortë ekonomik joshës përballë Rusisë në rënie sikurse që ishte deri në vitin 1990 mes Berlinit Perëndimor dhe atij Lindor si dhe vetë Gjermanisë Perëndimore përballë asaj Lindore.
Dalja e Britanisë së Madhe nga BE, e la këtë të fundit nën lidershipin politik francez dhe ekonomik gjerman. Agresioni rus në Ukrainë e rriti natyrshëm valencën e Gjermanisë ashtu siç e kishte rritur para themelimit të NATO-s. Bashkimi Evropian mund të funksionojë vetëm duke i lejuar Gjermanisë tregun dhe Francës politikën. Ri-armatosja e Gjermanisë ka filluar ta prishë këtë balancë. Gjithsesi, çdo zhvillim i Evropës Lindore dhe asaj Juglindore është interes i pastër gjerman, ngase Gjermania është e varur nga eksporti (mbi 50% të GDP-së e eksporton). Çdo lidhje e Evropës Juglindore me Turqinë është interes i pastër ekonomik i Gjermanisë dhe anasjelltas për Turqinë. As njëra e as tjetra nuk i prishin punë SHBA-së, ndërkohë që Francës e Rusisë shumë.
Por, riarmatosja e Gjermanisë bashkë me shijimin e një Evrope më të fortë Lindore dhe Juglindore e detyroi Francën që të kërkojë alternativa tjera. Përqendrimi në rritje i Francës në Mesdhe me Greqinë në epiqendër për ta kundërbalancuar Turqinë nuk po kalon pa pasoja edhe në raportet më të fundit mes Greqisë dhe Shqipërisë. Përqendrimi i Francës në Lindje të Mesme përfshirë Izraelin, po bëhet po ashtu për ta kundërbalancuar Turqinë, e cila sipas SHBA-së do të duhej ta rriste ndikimin në Lindje të Mesme dhe Azi Qendrore për ta kundërbalancuar Iranin.
Duke e pasur Ukrainën e Poloninë si vende shumë më proamerikane sesa që janë sot Gjermania dhe Franca, atëherë SHBA përqendrimin do ta ketë sa më afër Rusisë për ta shtyrë këtë të fundit sa më shumë kah lindja. Një rritje bashkëpunimi mes Gjermanisë dhe Turqisë duke e shfrytëzuar Ballkanin si urë është interes para se gjithash amerikan vetëm sa për ta shtyrë Rusinë kah lindja por jo edhe që të bëhet një aleancë e fuqishme mes Gjermanisë dhe Turqisë, ngase një aleancë e tillë do t’i sfidonte interesat e SHBA-së në Evropë.
Jo rastësisht Gjermania kishte nisur në 2014 Procesin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor. Gjermania po e bënte këtë pikërisht pse po e shihte zbehjen e perspektivës evropiane për Ballkanin Perëndimor. Një Proces i Berlinit i suksesshëm do të thoshte për Gjermaninë zhvillim i Ballkanit Perëndimor dhe depërtim në Turqi. Dhe Franca këtu do të bëjë çmos që ta mbajë Turqinë sa më larg BE-së, në fakt sa më larg Gjermanisë. Fuqizimi i raporteve me Serbinë po e pengonte lidhjen ekonomike Gjermani-Turqi me Ballkanin Perëndimor si urë lidhëse. Fakti që Turqia më së shumti eksporton në Gjermani dhe Gjermania më së shumti në Turqi krahasuar me vendet tjera të BE-së, i konfirmon lidhjet e fuqishme ekonomike mes Gjermanisë dhe Turqisë, pavarësisht retorikës politike mes këtyre dy vendeve.
Pavarësisht fillimit të shpërbërjes dhe rirreshtimeve, BE formalisht do të duket e bashkuar dhe në sinkron me SHBA, vetëm se për SHBA është jetike zhvillimi i Evropës Lindore dhe Juglindore për ta futur nën kontroll Pellgun e Detit të Zi, çka praktikisht do të thoshte vdekje e Rusisë në anën perëndimore të Detit të Zi. Prandaj, SHBA, duke e parë se sa e ngathtë dhe e përçarë është BE, po mundohet që sa më shpejtë ta përmbyllë problemin e Kosovës dhe të Bosnjës e Hercegovinës për ta larguar kështu përfundimisht Rusinë nga Ballkani Perëndimor dhe për t’i dhënë dimension zhvillimi ekonomik rajonit, sepse pa zhvillim ekonomik nuk ka qëndrueshmëri dhe rrjedhimisht as siguri. Kaq për BE-në.
Dimensioni ekonomik i SHBA-së në Ballkan
Zbehja nëse jo edhe vdekja e perspektivës evropiane për Ballkanin Perëndimor sidomos nga viti 2010-2022 dhe depërtimi i Rusisë e Kinës gjithnjë e më thellë në rajonin tonë, e kishin detyruar SHBA-në që qysh në shtator 2020, ende pa u tërhequr nga Afganistani, t’i jepte shpresat e para për një dimension zhvillimi ekonomik të Ballkanit Perëndimor, si rezultat i të cilit mu në Shtëpi të Bardhë qe nënshkruar Marrëveshja e Uashingtonit për Normalizim Ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë, diçka që evropianët e ndikuar prej rusëve e kinezëve po e detyronin qeverinë populliste të Kosovës, tërësisht anti-UÇK dhe në esencë antiamerikane, që ta refuzonte zyrtarisht në Kuvendin e Kosovës Marrëveshjen e Uashingtonit, ashtu siç e njëjta politikë populliste kishte refuzuar çdo gjë amerikane përfshirë pavarësinë dhe simbolet e Kosovës sa ishte në opozitë.
Ç’është e vërteta evropianët as sot nuk janë të interesuar që SHBA të fitojë terren ekonomikisht dhe politikisht në Ballkan Perëndimor dhe Evropë, kjo për faktin se zhvillimi i shteteve të fuqishme aziatike po ua zvogëlon evropianëve qasjen në tregje globale, prandaj evropianët po mundohen që të fitojnë tregje të reja sado të vogla ngase shumica e tyre varen nga eksporti, mbi 50% e GDP-së së BE-së eksportohet. Refuzimi i Marrëveshjes së Uashingtonit, marrëveshje kjo që ishte parandalim i energjisë ruse në rajon dhe teknologjisë kineze kundrejt faktorizimit të Shqipërisë dhe Kosovës, me apo pa vetëdije çonte ujë te projeksionet ruse që Kosova e Shqipëria të mos pavarësoheshin energjetikisht kinse për ruajte mjedisi siç na e kërkojnë edhe sot evropianët duke na thënë se duhet hequr dorë nga energjia e hidrokarbureve.
Ndërsa e vërteta është se energjia hidrokarbure (naftë, gaz e thëngjill), do të jetë energjia primare në glob deri së paku në vitin 2050. Sipas Paul Scherrer Institute (PSI) të Zvicrës që parasheh skenaret globale energjetike në variantin më pak mjedisor lloji i energjisë që do të përdoret më së shumti deri në vitin 2050 është në këtë radhitje duke filluar nga më e rëndësishmja: 1) Gazi natyral, 2) Thëngjilli, 3) Nafta, 4) Biomasa, 5) Ripërtëritëse, 6) Nukleare dhe 7) Hidro, ndërsa sipas të njëjtit institut në variantin më shumë mjedisor lloji i energjisë që do të përdoret më së shumti deri në vitin 2050 është në këtë radhitje duke filluar nga më e rëndësishmja: 1) Gazi natyral, 2) Nafta 3) Biomasa, 4) Thëngjilli, 5) Nukleare, 6) Ripërtëritëse, dhe 7) Hidro.
Nëse Kosova ka rezerva të jashtëzakonshme thëngjilli, i cili mund ta bëjë Kosovën lider të rajonit për prodhimin e gazit të përfituar nga thëngjilli dhe nëse Kosova bën shpime të thella për naftë e gaz siç e thotë Geri Selenica, Drejtues i Qendrës Shqiptare për Studime Strategjike, si dhe nëse konfirmohen rezervat e mëdha të naftës e gazit në Shqipëri, atëherë duhet pyetur evropianët se pse në vendet e tyre paskan drejtë ta shfrytëzojnë energjinë e gazit, naftës e thëngjillit bile të eksportojnë sa të munden, ndërsa Shqipëria e Kosova s’paskan të drejtë?! Ishte sekret publik që Rusia përmes presionit mbi evropianët e varur nga energjia ruse në emër të disa standardeve mjedisore që as vetë BE s’i respektonte po e parandalonte pavarësimin energjetik të Shqipërisë dhe Kosovës. Dhe ishte pikërisht energjia ajo që po bëhej mollë sheri në Evropë.
Ndaj, agresioni rus në Ukrainë, i detyroi evropianët që të prisheshin me rusët dhe të ktheheshin kah SHBA. Kjo automatiksht e rriti peshën e Shqipërisë. Vetë fakti që pas agresionit rus në Ukrainë, Shqipërisë iu hapën negociatat për anëtarësim në BE dhe iu mundësuan veprime politike të paparamendurara më parë në Këshill të Evropës për të kërkuar shfuqizimin e rezolutës që kishte miratuar Raportin e Dick Martyt kinse për trafikim organesh nga UÇK i cili raport ngërthente dhe territorin e Shqipërisë, flet shumë për goditjen politike dhe rrjedhimisht diskreditimin ndërkombëtar që po përjetonte Gjykata Speciale e bashkë me të dhe vetë Rusia me disa aleatë të saj evropianë, që në esencë kanë ngelur antishqiptarë.
E kjo goditje politike ndaj Rusisë sigurisht që po i sillte avantazhe Perëndimit me në krye SHBA-të dhe rrjedhimisht vetë të ardhmes së Kosovës në veçanti dhe shqiptarëve në përgjithësi. Fakti që s’ka më arrestime tjera nga Gjykata Speciale, tregon më së miri për ndaljen e hovit të saj. Fakti që të gjithë kryeprokurorët e Speciales vazhdojnë të jenë amerikanë flet shumë për kujdesin amerikan që gjërat në Speciale, ku Rusia me Serbinë kanë dërguar dosje të shpifura, mos të degradojnë kundër vetë SHBA-së dhe NATO-s që kishin mbështetur luftën çlirimtare të Kosovës kundër Serbisë pushtuese. Tanimë ka një përcepsion që në Gjykatën Speciale ka kryesisht riciklim dëshmitarësh nga ish-Tribunali i Hagës, Gjykatave të UNMIK-ut, EULEX-i dhe atyre të Kosovës, flet shumë humbjen e peshës së kësaj krijese politike nën maskën e drejtësisë. (vazhdon)
Të tjera
-
Parashikimi i motit për të hënën
Për të hënën parashikohet të mbajë mot i vranët, ku pritet depërtimi i një ci...
-
Donald Trump emëron gjeneralin Keith Kellogg si të dërguarin e tij special për Ukrainën dhe Rusinë
Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka zgjedhur Gjeneralin Keith Kellogg si të...
-
Kurti ua lypë mërgimtarëve 74 mijë vota: Paramendojeni çka bojmë me na i dyfishu ju votat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota...
-
Bedri Hamza takon profesorin e tij: Ato që i thotë, ka me i realizu, se ia njoh karakterin dhe mentalitetin
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, në rrjetet e tij...
-
Kush është fajtori kryesor për moskalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare?
Ani pse pas një takimi të Albin Kurtit më kreun e PDK-së, u votuan disa marrë...
-
“Ka qenë i veçantë, një djalë i sjellshëm, i urtë, me të gjitha notat 5-she, ato që i premton edhe i realizon”, profesor Xhaferi vlerëson lart nxënësin e tij Bedri Hamzën
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij,...
-
Bejta falënderon stafin e Komunës së Prishtinës për punën e palodhshme: Viti tjetër, edhe me më shumë suksese
Kandidatja për deputete nga LDK, Fiknete Bejta, ka publikuar disa fotografi n...
-
Pasaporta e Kosovës në mesin e 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se viti 2024 ka qenë viti...
-
Kërkohet ndihmë për 16-vjeçarin nga Istogu që vuan nga Leukemia, ka nevojë për shërim jashtë vendit!
Familja Dani nga Kërrnina e Istogut kërkon ndihmë për shërimin e djalit ! ...
-
Incidenti në Novi Sad, mijëra njerëz protestọjnë kundër regjimit të Vuçiqit
Studentët, të cilët prej javësh i kanë bllokuar fakultetet në Universitetin e...
-
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar...
-
Java nis me reshje bore – Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Moti nga e hëna parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme b...