Sport

Interi, në Champions bashkë me Atalantën. Milani mbetet në Europa League

Autori: Gazeta inFokus 07:19 | 27 May 2019

Një mrekulli e Handanoviç pas golit të Nainggolanit dhe erdhi kapitullimi i Empolit. Ajo e “San Siro”-s ishte e vetmja që mund të ndryshonte diçka në fatet e garës më të ethshme të viteve të fundit në Serie A, për një vend në Champions League: asaj mes dy skuadrave milaneze, Inter e Milan, por edhe Atalantës së shqiptarëve Berisha dhe Gjimshiti.

Interi mposhti 2-1 Empolin në një ndeshje që u siguroi zikaltërve biletën për në Champions, në dëm të kushërinjve të Milanit, që nga ana e tyre mposhtën 3-2 Spalin, por pak vleu i gjithë ai mundim.

Atalanta kishte gjithçka në duart e saj dhe fatin nuk e la t’i ikte tej, në një ndeshje ndaj Sassuolos që pati pak nga të gjitha. Kaluan në avantazh miqtë e më pas u përmbys rezultati nga bergamaskët, që fituan 3-1. Por gjithçka u vendos në fundin e pjesës së parë, kur pasi arbitri kishte vërshëllyer dy herë, shpërtheu një sherr masiv mes futbollistëve të dy skuadrave. Nga sherri u ndëshkua me të kuq autori i golit të Sassuolos, Berardi, ndërkohë që në pjesën e dytë, një tjetër lojtar mik la fushën e lojës përpara kohe.

-Advertisement-

Pra, Atalanta dhe Inter në Champions; Milan, Lacio dhe Roma në Europa League, ndërsa Empoli bëhet skuadra e fundit që certifikon rënien nga elita. Serie A uli siparin e një sezoni emocionues me betejat e fundit për Europën që vlen, aty ku do të mbetet jashtë në mënyrë të bujshme sërish spondi kuqezi i Milanos.

Formacioni i trajnerit Gattuso mundi me vështirësi Spalin 3-2, por pavarësisht transfertës së suksesshme, nuk mundet dot të futet në Champions prej fitoreve të rivalëve. Çalhanoglu dhe dy herë Kessie, një gol prej të cilëve me penallti, mjaftuan për të kaluar vendasit pa asnjë motivim, por nuk mjaftuan që Milan të përmbushë objektivin sezonal.

Inter mundi 2-1 Empolin, por të pranishmit në stadium vuajtën llogari dramatike për Championsin. Një gol i bukur nga Keita Balde, një konkluzion pas vallëzimit mes mbrojtësve, ngriti peshë “San Siro”-n dhe më pas Mauro Icardi, me të gjitha gjasat në ndeshjen e fundit me fanellën zikaltër, humbi edhe një penallti që mund të kushtonte shumë. Barazimi i Empolit tronditi Interin çerek ore nga fundi, por vetëm rrjeta e Nainggolan kualifikoi zikaltrit në turneun elitar kontinental.

Atalanta mundi 3-1 Sassuolon, në një ndeshje që e nisi keq, por përmbysi disavantazhin e Berardit. Me Berat Gjimshitin nga minuta e parë, skuadra nga Bergamo mbizotëroi falë rrjetave të Zapatës, Gomez dhe Pasaliç.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vrasja e Lulzim Fejzullahut, vjen reagimi i parë nga ministrja Haxhiu
-Advertisement-

Të tjera