Lajme

Instituti Riinvest: Pas pavarësisë, Kosova investoi vetëm 4 përqind të fondeve në arsim dhe shëndetësi

Autori: Gazeta inFokus 20:16 | 30 January 2019

Kosova ka një ngarkesë të vogël të borxhit publik, i cili arrin mbi 1 miliard euro ose afër 17 përqind të GDP-së. Pjesa më e madhe e fondeve, rreth 70 përqind, është investuar në infrastrukturë, derisa vetëm 4 përqind në shëndetësi dhe arsim. Kurse, futja e garancioneve në kuadër të borxhit publik rrezikon vendin që t’i kufizojë vendit mundësinë për të hyrë borxh përgjatë periudhës 2023-2025, përcjell inFokus.

Kështu u tha me rastin e publikimit të punimit studimor “Menaxhimi i Borxhit Publik”, gjatë sesionit të parë të “Riinvest Debates”, ku u vu në pah se rritja që ka pësuar borxhi publik gjatë vitit 2012 kërkon vëmendje të shtuar të Qeverisë për ta transformuar këtë borxh në rritje ekonomike dhe mirëqenie sociale.

Drejtori ekzekutiv i Institutit Riinvest, Alban Hashani tha se përmes kësaj platforme, synojnë ngritjen e cilësisë të informimit për çështjet ekonomike në qarqe të ndryshme shoqërore.

-Advertisement-

Hashani: Synojmë të ngrisim nivelin akademik për çështje ekonomike
“Në këtë mënyrë, po synojmë që të ngrisim nivelin akademik e profesional për çështje kryesore ekonomike, që të sigurohet gjithashtu edhe rekomandimi dhe një feedback objektiv dhe konstruktiv për institucionet publike, dhe politikbërësit si dhe të rritet cilësia e informimit të opinionit publik dhe qarqeve të tjera shoqërore. Debatet do të organizohen në baza mujore dhe si të tilla ato do të trajtojnë një temë specifike në secilin muaj”, u shpreh Hashani.

Profesori Muhamet Mustafa, i cili prezantoi edhe raportin “Menaxhimi i Borxhit Publik”, tha se është tejet e rëndësishme të bëhen të ditura ecuritë aktuale lidhur me borxhet publike.

Ai foli edhe për rreziqet të cilat ndërlidhen me këtë temë, ku sipas tij një ndër to është favorizimi i konsumit vijues në llogari të investimeve dhe mos sigurimi që norma e interesit të borxhit të jetë më e vogël sesa norma e rritjes ekonomike. Siç tha ai, problematike mbetet rritja e bondeve.

Mustafa u shpreh se institucionet përkatëse duhet të kenë patjetër një strategji për menaxhimin e borxhit.

Mustafa: Kosova ka mbi 1 miliard euro borxhe

“Sot Kosova ka mbi 1 miliard euro borxhe, sipas gjendjes në fund të shtatorit 2018, e që është diku 17 përqind e GDP-së. Ky nuk është ndonjë ngarkim i madh, sepse shumica e vendeve në botë kanë më tepër borxhe, mirëpo nëse shihni dinamikën e rritjes së borxhit në Kosovë, e shihni se GDP-ja prej 2013-ës dhe 2017-ës është rritur 1.17 herë, dmth. 17 përqind. Kurse, borxhi publik është rritur 2 herë, borxhi i jashtëm u rritë 1.3 herë, por borxhi i jashtëm më shumë se 3 herë e gjysmë. Do të thotë kemi një dinamikë bukur dis-harmonike, e cila mund të krijojë probleme në perspektivë”, tha ai.

Ai tha se programi i borxhit ka disa elemente kufizuese, ku tha se kritike është ajo mbi çka është supozuar ky program i Bankës Botërore, sipas të cilit thuhet se do të ketë rritje prej 5-6 përqind.

Ai tha se mbetet problematike futja e garancioneve në borxhin publik, gjë që e bënë problematike mundësinë e Kosovës për të marrë borxhe.

Mustafa: Kosovës mund t’i kufizohet mundësia për të hyrë borxh

“Shpejt mund të ballafaqohemi me një garancion të ri prej 350 milionëve për Kosovën e Re. Dhe, me këtë, kur ja shtojmë borxhit të planifikuar deri më 21-shin, këtë garancion, atëherë borxhi i Kosovës sa është tash 1 miliard, në 2021 do të bëhet 2.3 miliardë, do të mbërrijë 28 përqind të GDP-së dhe mundësia për të marrë borxhe do të ishte problematike, nëse nuk ndryshohet korniza fiskale dhe programi. Do të thotë që nga viti 2023-2025, Kosovës mund t’i kufizohen në mënyrë drastike mundësitë për të hyrë borxh”, u shpreh ai.

Ndërsa hulumtuesja Antigona Uka u shpreh se Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia kanë pasur trend të rritjes të borxhit. Ndërsa bëri të ditur të dhënat e borxhit ndërkombëtar sipas sektorëve.

Uka: 70 përqind e fondeve ndërkombëtare janë investuar në infrastrukturë

“Në periudhën 2009-2018 janë kontraktu fonde prej afro 610 milionë euro. Prej tyre afro 70 përqind janë investuar në infrastrukturë, siç janë rrugët 37 përqind, infrastrukturë ujore 19 përiqnd, hekurudhë 13 përqind, ndërsa në sektorin e energjisë 11 përqind, në sektorin e bujqësisë 6 përqind, atë publik 5 përqind. Ndërsa renditen në nivel më të ulët shëndetësia dhe arsimi, me afro 5 përqind së bashku dhe të tjerat kemi 4 përqind”, tha ajo.

Më pas, në debatin që u zhvillua lidhur me menaxhimin e borxhit publik, profesori në Fakultetin Ekonomik, Valentin Toci, u shpreh se gjithmonë duhet të maten rreziqet e borxhit publik.

Kurse, Agim Demukaj nga Banka Botërore tha se Kosova qëndron në një situatë shumë të mirë. Sipas tij, ekziston edhe strategjia afatmesme e borxhit në Kosovë, ndërsa nuk ekziston asnjë rrezik nga borxhi publik për periudhën afatmesme.

Ndërsa Luan Shllaku nga KFOS, u shpreh se çështje të tilla duhet që sa më shpesh të debatohen, në mënyrë që të mos ketë hapësirë për keqinformim të opinionit për tema ekonomike.

Raporti “Menaxhimi i borxhit publik në Kosovë” vë në pah se borxhi publik ka arritur një intensitet dhe dinamikë dukshëm më të lartë sesa GDP-ja, ndaj PBSH-së. Andaj, strategjia e menaxhimit të tij duhet të zhvillojë edhe komponentin afatmesëm dhe afatgjatë të implikimeve të tij në konfiguracionin e tij makroekonomik, në qëndrueshmërinë fiskale dhe efekteve në rritjen ekonomike e mirëqenien sociale.

Raporti rekomandon se huat publike mund të përdoren vetëm për projekte që janë përgatitur mirë me studime fizibiliteti dhe kapacitete zbatuese, sipas metodologjisë standarde ndërkombëtare.

Ndryshe, debate si ky i sotmi, instituti Riinvest do të organizojë në baza mujore, ndërsa pritet që në kuadër të tyre të trajtohen një mori temash që lidhen me çështje të rëndësishme ekonomike.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera