Ekonomi

INDEP: Vendimi i ZRRE-së i ndikuar politikisht dhe një arrnim i paqëndrueshëm i krizës aktuale

Autori: Gazeta inFokus 16:01 | 08 February 2022

Instituti për Politika Zhvillimore INDEP, ka reaguar lidhur me vendimi e Zyrës së Rregullatorit për Energji për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë, shkruan Gazeta Infokus.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” nga ky institut kanë thënë se vendimi i ZRrE-së për strukturën tarifore është i dëmshëm për sektorin e energjisë dhe i ndikuar politikisht.

“Zhvendosja e bllok tarifës nga 600 në 800 dhe mos aplikimi i shkallëzimit të tretë tarifor nuk i kontribuon aspak efiçiencës së energjisë. Për më tepër, subvencionimi selektiv dhe jo linear vetëm sa do të rrisë konsumin energjetik në vend”, thuhet në reagimin e INDEP.

-Advertisement-

Gjithashtu, nga INDEP kanë thënë se një vendim i tillë nuk i ndihmon tranzicionit energjetik dhe e vazhdon bllokimin artificial të sektorit të energjisë në vend.

“Vendimi i ZRRE-së bjen në kundërshtim me vlerësimet e vet Rregullatorit dhe realitetin e sektorit të energjisë në vend. Në arsyetimin e vendosjes së bllok tarifës në 600 kW, vet ZRRE-ja kishte deklaruar që në fakt sasia mbi 600 kWh është sasia e energjisë që ka nevojë të importohet dhe e cila e ngarkon sistemin. Zhvendosja e bllokut në 800 kWh përjashton pothuaj të gjithë konsumatorët nga incentiva për të kursyer energjinë”, thuhet në postim.

Ndërkaq, Instituti për Politika Zhvillimore i ka bërë thirrje Rregullatorit të pavarur të energjisë që të rishikojë këtë vendim dhe të ofrojë zgjidhje nga prizmi profesional dhe jopolitik.

“Vendimi i sotëm dëmton tregun energjetik, profesionalizmin dhe pavarësinë e Rregullatorit. Vazhdon një avaz të vjetër të nxitjes së konsumit të mëtutjeshëm, dekurajimit të dekarbonizimit dhe bllokimit të tregut të Kosovës”, kanë thënë nga INDEP.

Bordi i ZRrE-së sot ka aprovuar rritjen e çmimit të rrymës për konsumatorët që tejkalojnë konsumin mbi 800 kilovat.

Vendimi do të zbatohet nga muaji mars i këtij viti./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin
-Advertisement-

Të tjera