Lajme

Inaugurimi i Thaçit, rriti shpenzimet e Presidencës

Autori: Gazeta inFokus 10:45 | 21 June 2017
Presidenca e Kosovës e ka nisur vitin 2016 me një buxhet prej 1,631,433 euro.  Por ky buxhet ka ndryshuar në ndërkohë. Ai është rritur për hiq më pak se 452,626€ apo për 28%.Kjo rritje, siç ka ardhur në përfundim Zyra Kombëtare e Auditimit, ishte bërë pas rishikimit buxhetor, donacioneve të jashtme dhe në pajtim me vendimet e Qeverisë.

Në kuadër të kësaj,  buxheti final për paga dhe mëditje në krahasim me buxhetin fillestar ishte rritur për 96,099€. Kësaj rritje të shpenzimeve i ka “kontribuuar” shtimi i pensionit për ish- presidenten Atifete Jahjaga, shkruan AktivPress.

Shumë më tepër, Presidenca i ka rritur shpenzimet për mallra dhe shërbime.

-Advertisement-

“Buxheti final për mallra dhe shërbime në raport me buxhetin fillestar ishte rritur për 368,150€. Rritja ishte rezultat i rishikimit buxhetor, vendimeve të qeverisë, si dhe granteve të përcaktuara të donatorëve. Realizimi i buxhetit ishte në masën 96% të buxhetit final.Krahasuar me vitin 2015 shpenzimet janë rritur për 275,610€”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Këto shpenzime, thuhet se kanë të bëjnë me rritjen e udhëtimeve zyrtare jashtë vendit për shkak të aktiviteteve të shtuara të Presidentit, shpenzimet e ndryshme intelektuale dhe këshillëdhënëse si dhe shpenzimeve me rastin e inaugurimit të Presidentit.

Por, Presidenca e ka ulur një linjë të shpenzimeve.

Bëhet fjalë për shpenzimet komunale.

Ato janë zvogëluar për 10,608€ si rezultat i rishikimit të buxhetit dhe vendimit të Qeverisë për kursime buxhetore.

Një ulje e ndjeshme e shpenzimeve është vërejtur edhe të subvencionet dhe transferet.  Në raport me buxhetin fillestar, shpenzimet në këtë linjë janë zvogëluar për 1,015€.

Auditorët kanë gjetur disa mangësi sa i përket përdorimit të automjeteve.

“ZPK-ja nuk kishte përgatitur ndonjë raport sa i përket shpenzimeve të servisimit dhe larjes së automjeteve. Ndërsa sa i përket shpenzimeve të derivateve kishte përgatitur raporte individuale, mirëpo shënimet nuk ishin plotësisht të sakta. Në katër (4) raste ne vërejtëm mospërputhje ndërmjet të dhënave të raportuara dhe dëshmive mbështetëse”, thuhet në raport, përcjellë AktivPress.

Auditorët kanë evidentuar edhe vonesa në pagesën e faturave.

“Gjatë testimeve tona kemi vërejtur që në tri (3) raste faturat/obligimet ndaj furnitorëve në vlerë 22,511€ ishin paguar pas afatit kohor ligjor”, thuhet në raport.

Në Presidencë janë gjetur edhe raste të mosraportimit të obligimeve të papaguara.

“Në tri (3) raste faturat/obligimet ndaj furnitorëve në vlerë prej 14,751€ nuk ishin përfshirë në raportet mujore të obligimeve”, kanë shënuar auditorët.

Përgjithësisht, Presidenca thuhet se ka bërë progres në zbatimin e rekomandimeve nga viti paraprak.

Nga gjashtë rekomandimet që i ishin dhënë në vitin 2015, tri janë zbatuar plotësisht, dy janë në proces të zbatimit, ndërsa një nuk është zbatuar./AktivPress

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Black Friday ne Artmotion
-Advertisement-

Të tjera