Lajme

Hyzer Rizani prezanton programin për Lipjanin: Interesi i qytetarit do të jetë busull e punës sime

Autori: Gazeta inFokus 19:03 | 02 October 2021

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Malishevës, Hyzer Rizani përmes një video-adresimi ka prezantuar programin e tij dhe PDK-së për qeverisjen e Lipjanit për katër vitet e ardhshme.

Rizani në paraqitjen e tij virtuale përballë qytetarëve tha se Komuna e Lipjanit ndonëse gjendet në pjesën qendrore të Kosovës, në udhëkryqin e rrugëve më të rëndësishme të saj, ka mbetur në udhëkryq, e pazhvilluar dhe me shumë probleme esenciale.

“Ne jemi të vendosur që ta kthejmë mbarë Lipjanin. Ta bëjmë komunën tonë shembull të transparencës dhe llogaridhënies në raport me qytetarin. Ta bëjmë Lipjanin qytet bashkëkohor. Duke ofruar alternativën më të mirë qeverisëse. Me projekte të qarta dhe të realizueshme. Ne kemi planprogram konkret dhe zotohemi se do të ofrojmë shërbime cilësore për qytetarët tanë, pa dallim. Përgjatë qeverisjes sime si kryetar i Komunës së Lipjanit do të vendos disiplinë dhe rregull në çdo hallkë të qeverisjes.”, është zotuar ai.

-Advertisement-

Duke thënë se Lipjanit nuk i duhet një kryetar që punon vetëm në kohë fushate, Rizani u bëri thirrje qytetarëve që më 17 tetor të votojnë numrin 177 për mirëqenie, zhvillim, për jetë më të mirë e qeverisje të organizuar.

“Nga 17 tetori, me ekipin tim, ne do të qeverisim bashkë me ju. Me ndershmëri, kompetencë e profesionalizëm. Mbi të gjitha, me përkushtim e dashuri për Lipjanin. Për një Lipjan me plan zhvillimor në arsim dhe edukim, me shkolla moderne dhe digjitale. Pa ndërhyrje të politikës. Me cilësi e meritokraci. Me objekte të reja shkollore. Me çerdhe të reja, përfshirje të fëmijëve të moshës 3-5 vjet në edukimin e hershëm. Prandaj ju ftoj të bashkoheni me ne dhe ekipin tonë për ta bërë Lipjanin qytet të qëndrueshëm ekonomikisht. Bujqësia, mjedisi dhe turizmi do të jenë në qendër të interesimit dhe angazhimit të komunës sonë. Do të angazhohemi vazhdimisht për krijimin e një klime të favorshme ekonomike. Ne do të hartojmë një strategji të re për zhvillimin ekonomik lokal në bashkëpunim me komunitetin e biznesit dhe palët tjera të interesit. Do të krijojmë Zyrën për tërheqjen e investimeve të huaja dhe krijimin e lehtësirave për bizneset e reja. Do të funksionalizojmë zonën industriale në Kërqevë dhe zonën ekonomike te QMI-ja. Lipjani do të bëhet me qendër inovative dhe këshilluese.”, tha ai.

Rizani u zotua se gjatë qeverisjes së tij do të themelohet qendra informative turistike në sheshin “Adem Jashari”, do të zhvillohet turizmi rural, do të ndërtohet Shtëpia e Kulturës, do të mbështeten bizneset e reja, do të përmirësohen kushtet për klubet sportive, do të forcohet pozita e gruas në nivel lokal, si dje do të ruhen e kultivohen vlerat e së kaluarës.

“Qytetarë të Lipjanit, bëhuni bashkë rreth numrit 177. Është numër që ka ekipin dhe listën më të mirë të kandidatëve për anëtarë të Kuvendit. Synimi ynë është ta përmirësojmë kualitetin e jetës suaj. Busull e punës sime do të jetë interesi i qytetarit. Ujë i pijshëm 24 orë, rrjet modern i kanalizimit, infrastrukturë bashkëkohore rrugore. Është oferta dhe zotimi im për ju. Përtej çdo partie, unë angazhohem për Lipjanin dhe për qytetarët e tij. Më 17 tetor, e keni mundësinë unike ta votoni numrin 177, për projekte, ide, zgjidhje e alternativa. Për Lipjanin me të ardhme më të mirë për fëmijët tanë. Për Lipjanin me perspektivë. Për nxitje në punësim. Për rregullim urban. Për gjelbërim. Për shëndet publik. Për arsim digjital.”, potencoi ai.

Linku i video-adresimit në Facebook:

Linku i video-adresimit për TV:

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt

Të tjera