Lajme

Hoxhaj: Kosova ta marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE

Autori: Gazeta inFokus 22:00 | 06 February 2018

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka deklaruar se strategjia për zgjerim e BE-së e publikuar sot në Bruksel është një dokument i rëndësishëm meqenëse ofron një kornizë serioze për zgjerimin e BE-së në drejtim të Ballkanit.

Ai tha në RTK se kjo strategji është një dokument i rëndësishëm që ofron perspektivë edhe për Kosovën ku përmendet avancimi i Kosovës, ndonëse përmendi se për Kosovën nuk ofron një plan kohor.

Hoxhaj tha se pritjet e tij kanë qenë më të mëdha për Kosovën , duke përmendur statusin e kandidatit. Ai tha se Serbia nuk e meriton një trajtim të tillë, sikurse është paraparë në këtë strategjinë për zgjerim të BE-së.

-Advertisement-

Ai tha se për Kosovën është me rëndësi që së bashku me shtetet e tjera është pjesë e politikës së zgjerimit, dhe raporti ynë kontraktual me Bashkimin Evropian përmes zbatimit të MSA-së e bën anëtarësimin tonë të pandalshëm.

“Pritjet tona kanë qenë dhe janë që kjo strategji të jetë me të vërtetë udhërrëfyes në rrugën drejt anëtarësimit, duke ofruar një kalendar kohor dhe faza konkrete të avancimit të pozitës së Kosovës. Ne në vazhdimësi kemi kërkuar qasje të balancuar, çka edhe kemi arritur deri në një farë pike”, tha ai.

Zv. Kryeministri tha se strategjia është e rëndësisë së veçantë meqë vëmendje e posaçme i jepet dialogut Kosovë – Serbi.

Është mëse e vërtetë shtoi ai që stabiliteti i rajonit varet nga normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi që do të përmbyllte dialogun e Brukselit me njohje të ndërsjellët dhe anëtarësim të Kosovës në OKB.

Prandaj, tha ai, qartësia e BE-së në raport me dialogun dhe politika e saj e kushtëzimit është jetike për ta përmbyllur njërën ndër sfidat më vështira historike në Ballkanin Perëndimor.

Përshpejtimi për ta anëtarësuar Serbinë kur ka zhvilluar vazhdimisht politikë destruktive në raport me Kosovën dhe rajonin pasqyron më shumë një politikë të favorizimit sesa të realitetit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E treta e verteta, shpallet fituesi I trete I Lojes Shperblyese se Artmotion?

Të tjera