Lajme

Hoxhaj: “Ballkani i Hapur” i krijon Kosovës momentumin e ri që të dëshmojë se Serbia është problemi në rajon, e jo ne

Autori: Gazeta inFokus 17:45 | 20 July 2022

Ish-kryediplomati kosovar dhe zyrtari i lartë i PDK-së, Enver Hoxhaj, aktualisht është ndoshta politikani i vetëm kosovar që flet mirë për iniciativën e “Ballkanit të Hapur”. Hoxhaj në një intervistë për “Balkan Insight” ka thënë se po të ishte në pozicion për të vendosur për Kosovën, atëherë do të dëshironte që t’i bashkohej nismës “Open Balkan”, themelues i së cilës është edhe kryeministri shqiptar, miku i ngushtë i Hoxhajt, Edi Rama.

Hoxhaj ka thënë se pjesëmarrja e Kosovës me simbole shtetërore do të krijonte një situatë të re për politikën kosovare.

“Nëse do të isha në pozicionin [për ta bërë këtë], do të dëshiroja të merrja pjesë dhe të përballesha me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, vende që e kanë njohur Kosovën, me dilemën se si do të uleshim të gjithë në tavolinë: me flamuj, etiketa emrash apo çfarë. Kjo do të krijonte një momentum të ri për Kosovën për të ndjekur një politikë gjithëpërfshirëse rajonale dhe do të tregonte se ne nuk jemi problemi, por problemi është te Serbia”, thotë Hoxhaj.

-Advertisement-

Hoxhaj është mik i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, një prej avokuesve më të mëdhenj të idesë për “Open Balkan”.

Enver Hoxhaj në cilësinë e u.d të kryetarit të PDK-së, kishte qenë politikani i parë nga Kosova që më 27 korrik të vitit 2021 e kishte uruar Edi Ramën për fitoren në zgjedhjet parlamentare.

“E uroj mikun tim shumë të çmuar, kryeministrin Edi Rama për fitoren e madhe dhe të rëndësishme në zgjedhjet në Shqipëri. Fitorja e Edit është fitore edhe e Shqipërisë për shkak të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor dhe një provimi të madh që kanë dhënë shqiptarët ditën e diel. Fitorja e kryeministrit Rama dhe PS, tregon për punën dhe reformat e prekshme që ka bërë ai gjatë këtyre dy mandateve në Shqipëri. Uroj që rrugën e nisur për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Edi Rama ta përmbyllë gjatë këtij mandati të tretë që ia besuan shqiptarët”, kishte shkruar Hoxhaj, transmeton express.

Se raportet Hoxhaj-Rama janë të mira e dëshmojnë edhe takimet mes dy politikanëve. Hoxhaj para 9 muajsh kishte qëndruar për vizitë në Tiranë ku edhe ishte takuar në kryeministri me Edi Ramën. Përveç kësaj, javë më parë gjatë promovimit të librit të tij, Hoxhaj e kishte pasur kryeministrin shqiptar mysafir nderi në promovim.

Por a është Enver Hoxhaj politikani i vetëm kosovar që e përkrah iniciativën “Ballkani i Hapur”?

Në ditët e para, kur kjo iniciativë ishte emëruar si “Mini Schengen”, kishte një kundërshtim masiv në Kosovë. Kundër ishin edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, qëndrimi i të cilëve ndryshoi në momentin kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kishin përfshirë në Marrëveshjen e Washingtonit.

Kreu i tanishëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në një intervistë për ATV gjatë muajit qershor ka thënë se nisma “Ballkani i Hapur” nuk është në interes të Republikës së Kosovës, derisa është shprehur në favor të “Procesit të Berlinit”

“Procesi i Berlinit është interes për Kosovën, ndërsa Ballkani i Hapur nuk është, është projekt politik nuk është projekt ekonomik”, kishte deklaruar Abdixhiku, derisa kishte treguar se ka mospajtime me qasjen “për shpalljen tradhtare të Shqipërisë”

Qëndrim skeptik për këtë iniciativë ka edhe kreu i PDK-së, Memli Krasniqi. Ai gjatë qershorit ka thënë se “Ballkani i Hapur” nuk e ofron platformën në të cilën Kosova do të kishte sigurinë që do të trajtohej në mënyrë të drejtë.

Krasniqi kishte deklaruar që çdo shtet duhet t’i shoh interesat e veta duke shtuar se në Kosovë ekziston një konsensus për mos përfshirje në këtë nismë.

Derisa nga Qeveria dhe Presidenca janë shprehur në vazhdimësi kundër kësaj iniciative. Kurti dhe Osmani kanë thënë se “Procesi i Berlinit” është platforma e vetme për Kosovën.

Për iniciativën ende s’ka një qëndrim të unifikuar të ndërkombëtarëve. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përkrahin hapur teksa kërkojnë gjithpërfshirje, derisa kohëve të fundit sinjale pozitive ka treguar edhe Bashkimi Evropian, duke thënë se e përkrahin por me kusht që të bëhet brenda rregullave të Brukselit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fillon aplikimi për Global Engineer Girls Kosova

Të tjera