Lajme

Hoti: Deklarimet se është ndalur “gjạkḍerdhja financiare” janë mashtrim i Kurtit

Autori: Gazeta inFokus 11:16 | 17 July 2024

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se kurrë nuk janë shpenzuar kaq shumë mjete për ndërmarrjet publike sesa gjatë Qeverisë Kurti, duke shtuar se deklarimet se është ndalur “gjakderdhja financiare” dhe janë mbyllur “vrimat e buxhetit”, janë “mashtrimi i radhës” i kësaj qeverie.

Hoti i është referuar raportit për buxhetin për vitin 2023, ku thotë se për vitet 2021-2023 janë paguar 520 milionë euro për ndërmarrjet publike. Sipas tij, me këto mjete do të mund të ndërtohej një bllok i ri energjetik në KEK, centrali me gaz, apo të përmbyllej projekti madhor i Ibër-Lepencit.

“Deklarimet se është ndalur “gjakderdhja financiare” dhe janë mbyllur “vrimat e buxhetit” është mashtrimi i radhës i Kurtit dhe VV-Guxo. Sipas raportit të buxhetit për 2023 (faqe 29), për vitet 2021-2023 janë paguar 520 milionë euro për entitete publike (102 mil në 2021, 233 mil në 2022 dhe 185 mil në 2023). Kurrë nuk janë shpenzuar kaq shumë mjete për ndërmarrjet publike. Me gjithë këto mjete do të mund të ndërtohej një bllok i ri energjetik në KEK, centrali me gaz, apo të përmbyllej projekti madhor i Ibër-Lepencit, për të cilin është iniciuar master plani në qeverinë paraprake”, ka shkruar Hoti.

-Advertisement-

Ai i ka bërë thirrje Auditorit që të analizojë, siç e ka quajtur ai “rrjedhje masive të buxhetit të shtetit”.

“Disa herë kam bërë pyetje parlamentare në Kuvend, me shkrim dhe me gojë, për të parë listën e plotë të subvencioneve për ndërmarrjet publike. As Ministri i Financave që është përgjegjës për buxhetin, e as Ministrja e Ekonomisë përgjegjës për ndërmarrjet publike, nuk kanë kthyer përgjigje. Këta do të mbahen përgjegjës për këto abuzime me buxhetin, herët a vonë. Këta gjithmonë nuk do të jenë në pushtet për të pamundësuar qasjen e deputetit në mënyrën si shpenzohen taksat e kosovarëve. Auditori duhet me kujdes të analizojë këtë rrjedhje masive të buxhetit të shtetit. Këto dhe çështje të tjera sot do të diskutojmë në Komisionin për Buxhet me Ministrin e Financave”, thuhet në postimin e tij.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova hap degën më te re në qytetin e Suharekës
-Advertisement-

Të tjera