Lajme

Hoti: Bashkimi kombëtar ndodh me integrim në BE, tjerat janë populizma

Autori: Gazeta inFokus 19:03 | 04 February 2021

Kandidati për kryeministër nga LDK-ja, Avdullah Hoti, në një tubim zgjedhor në Junik ka folur për idenë e bashkimit kombëtar duke thënë se shqiptarët do të bashkohen vetëm duke u integruar bashkë në Europë.

Ai aludoi në deklaratat e Ramush Haradinajt dhe Albin Kurtit që proklamojnë bashkimin me Shqipërinë.

“Shteti i Kosovës është i përhershëm dhe bashkimi shqiptar ka më ndodhë. Krejt shqiptarët kanë me u bë bashkë në integrimet europiane. Ata që, në këtë regjion të Kosovës në veçanti, lëshojnë këso farë metafora dhe populizma, e dinë shumë mirë se si bëhen këto punë. Ata e dinë se si e kanë lënë qeverinë, si i e kemi gjetur qeverinë dhe si është dashur të veprojmë ne për t’i nxjerrë me fytyrë edhe ata”.

-Advertisement-

“Nga dita e parë e deri më tash s’kemi eksperimentuar me shtetin e Kosovës dhe s’kemi lejuar askënd që të eksperimentojë. Për disa javë i kemi hapur krejt dyert e botës demokratike. Kemi rregulluar plot telashe që na kanë lënë në të kaluarën. Kemi punuar me secilën prej qeverive të BE-së dhe jam i bindur se do të bëjmë progres gjatë këtij viti”.

Hoti iu tha junikasve se europianët i besojnë LDK-së si parti e trashëguar nga Ibrahim Rugova.

“Neve na besojnë kur shkojmë në Francë, Itali, SHBA e gjithkund sepse jemi LDK e Rugovës dhe e dinë çfarë trashëgimie politike ka kjo parti”.

Ai po ashtu tha se Qeveria e Kosovës në krye me të arriti të bëjë realitet ëndrrën e para 30 vjetëve që ushtarët kosovarë të bashkohen me ata amerikanë në misione paqeruajtëse.

“Janë gratë dhe burrat intelektualë, ushtarakët dhe punëtorët, që e kanë ideuar shtetin e Kosovës para 30 vjetëve dhe s’i kemi ndërruar parimet dhe qëndrimet. Kemi treguar se si udhëhiqet vendi dhe sot e kërkojmë besimin e qytetarëve për të vazhduar më tutje duke iu treguar atë që kemi bërë deri tash”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Intervistë: Dr. Gorazd Konjanovski – Klinika Zhan Mitrev ka luajtur një rol kyç në vendosjen e themeleve në kardiokirurgji dhe…
-Advertisement-

Të tjera