Lajme

Homazhe në Ditën e Lirisë, Kurti: Nuk mund ta paramendojmë durimin e qetësinë në politikë pa presidentin Rugova

Autori: Gazeta inFokus 09:26 | 12 June 2022

Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti me rastin e Ditës së Lirisë kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe i veprimtarit Adem Demaçi. Nga aty Osmani e Kurti ua kanë uruar qytetarëve 12 Qershorin, Ditën e Lirisë.

Pas homazheve, presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti janë deklaruar edhe për media.

Në fjalën e saj, para mediave presidentja Vjosa Osmani tha se “Arkitekti i Pavarësisë Ibrahim Rugova e bëri të qartë vullnetin e popullit të Kosovës para gjithë botës, duke ndërtuar ura miqësie të cilat edhe sot e kësaj dite i shërbejnë Kosovës për të ecur përpara”.

-Advertisement-

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti u shpreh: “ Ne sot shënojmë çlirimin e vendit, paqen në Kosovë dhe kujtojmë ata që kontribuan, punuan, sakrifikuan dhe u flijuan që ne të jemi edhe të gjallë edhe të lirë edhe me mundësi për përparim. Nuk mund ta paramendojmë humanitetin, durimin, qetësinë në politikë pa presidentin Ibrahim Rugova, i cili para se të bëhej president ishte intelektual i angazhuar, nacionalist i cili dha kontribut të jashtëzakonshëm për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës”.

Më pas të dy bënë homazhe edhe te veprimtari Adem Demaçi, nga aty presidentja e vendit tha:

“Ashtu siç e thash pak më parë kur e nderuam presidentin Rugova për lirinë e Kosovës për paqën që sot e gëzojmë, janë sakrifikuar mijëra e mijëra burra e gra të Republikës sonë, siç e dini 3 mijë dëshmorë kanë rënë gjatë luftës së fundit në Kosovë, 13 mijë civilë janë vrarë dhe ende i kemi edhe shumë qytetarë të zhdukur me dhunë nga lufta e fundit. Mirëpo veprimtari Adem Demaçi është mishërimi më i mirë i kësaj sakrifice që është bërë për dekada të tëra, prandaj edhe jemi sot këtu për të nderuar këtë sakrificë të tij dhe shembullin që ia dha Kosovës duke treguar se liria e Kosovës ishte shumë më e rëndësishme sesa liria individuale. Prandaj sot përkulemi para veprës së tij…”, u shpreh Osmani, transmeton Gazeta Express.

Kurti e quajti Mandela i Evropës, Adem Demaçin.

“Rezistenca dhe qëndresa e shqiptarëve pas Luftës së Dytë Botërore nuk mund të paramendohet pa Adem Demaçin…Shqiptarët ishin të burgosurit politik kryesor në Jugosallavi. Baca Adem me 28 vitet e tij në burg ka shërbyer për popullin si ndërgjegja e këtij vendi edhe jashtë këtij vendi…Madela i Evropës ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për çlirimin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës….Gëzuar e urime 12 Qershori”, tha Kurti ndër të tjera.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita po tërheq klientë seriozë në Panarin IMM, në Këln të Gjermanisë
-Advertisement-

Të tjera