Heshtje para zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut
Autori: Gazeta inFokus 16:27 | 23 April 2024
Sot në Maqedoninë e Veriut është heshtje para zgjedhjeve presidenciale që mbahen nesër, por nga ana tjetër vazhdon pa pengesa fushata e zgjedhjeve parlamentare të cilat mbahen pas dy javësh.
Në garën presidenciale janë shtatë kandidatë. Maqedonia e Veriut ka pak mbi 1 milion e 800 mijë votues të regjistruar. Nuk pritet që nesër të ketë fitues, ndërsa dy kandidatët me më tepër vota do të kalojnë në balotazhin e 8 majit.
Partitë shqiptare gjatë fushatës, në qendër të vëmendjes kishin rrezikun për vendin nga ndikimi rus. Ndërsa Bashkimi Demokratik për Integrim me Frontin Evropian akuzojnë opozitën shqiptare se po bie pre e ndikimit keqdashës rus të shfaqur përmes paraqitjeve të VMRO-së, koalicioni i njohur si VLEN akuzon BDI-në për afërsinë me regjimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç. Por, asnjëra palë nuk ka arritur të ofrojë argumente mbi akuzat e bëra.
Retorika midis BDI-së dhe VMRO-së nga ana tjetër ka qenë po aq e ashpër. VMRO akuzon partinë shqiptare për korrupsion, kapjen e shtetit dhe dëmtime të interesave të popullit maqedonas.
Garuesit shqiptarë Bujar Osmani dhe Arben Taravari shprehin bindjen se do të kalojnë në balotazh, por kjo vështirë se mund të ndodh. Të dy koalicionet, ndërkohë e quajnë veten fitimtarë.
Bujar Osmani tha në tubimin përmbyllës në sheshin qendror të Shkupit se: “Si presidenti juaj zotohem se do ta bëjmë vendin anëtar të Bashkimit Evropian dhe atë deri në vitin 2030. Zotohem para jush për aleancë të pandarë me SHBA-në. Zotohem për zgjedhje të presidentit në Kuvend me shumicë të dyfishtë. Zotohem për një bord ndërkombëtar për certifikimin e të gjithë bartësve të posteve publike për lidhje me Rusinë dhe për korrupsion”, tha zoti Osmani.
Ndërkohë, Arben Taravari i koalicionit “Vlen” duke folur nga sheshi Skenderbe në Shkup tha se programi i tij për president do ta bëjë Maqedoninë e Veriut një shtet më të mirë për të gjithë: “Programi ka katër shtylla kryesore. E para, integrimi në BE dhe jo një Ballkanin e Hapur. E dyta, siguria dhe jo bizneset ruso-serbe. E treta, shteti i së drejtës dhe jo korrupsioni dhe e katërta, demokracia konsensuale dhe jo majorizimi”.
Kandidatja e VMRO-DPMNE-së Gordana Siljanovska është shprehur se koha e kësaj kushtetute ka kaluar dhe duhet një kushtetutë e re ku do të bëheshin ndryshime në çështjet e marrëdhëneve ndëretnike, duke lënë kështu hapësirë për rishikimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Presidenti aktual Stevo Pendrovski, i cili garon për një mandat të dytë thotë se është e pashembullt qasja e një profesoreje të Juridikut, siç është Siljanovska, 23 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit që së pari solli paqen dhe i vendosi themelet e shtetit dhe shoqërisë shumëetnike dhe bëri që vendi të anëtarësohet në NATO dhe të avancojë drejt BE-së, ta kontestojë këtë dokument.
“Mesazhi im për ata është: Mos luani me fatin e Maqedonisë. Këto Marrëveshje janë themelet e sigurisë së shtetit. Thoni qytetarëve se çka keni ndër mend të bëni me standardin jetësor në aspketin e ekonomisë, çështjeve sociale, luftën kundër korrupsionit, por, mos e prekni anëtarësimin në NATO, në BE; mos i prekni marrëveshjet që paraqesin bazë të ekzistencës sonë dhe të pajtimit midis nesh, sepse e çoni vendin drejt një zone të rrezikut”, u shpreh zoti Pendarovski gjatë një tubimi në qytetin e Manastirit.
Në garë janë edhe Maksim Dimitrievski, i cili aktualisht ëhtë kryetar i komunës së Kumanovës dhe drejtues i partisë së quajtur ZNAM, Stevçe Jakimovski i Opsionit Qytetar për Maqedoninë dhe kryetar aktual i komunës së Karposhit në Shkup; së fundmi i përcaktuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit për korrupsion të lartë dhe Biljana Vankovska e partisë nacionaliste “E Majta” që kundërshton anëtarësimin e vendit në NATO dhe shpreh mosbesim ndaj Bashkimit Evropian.
Gara presidenciale shikohet po ashtu si një lloj matësi i disponimit të elektoratit për zgjedhjet parlamentare të 8 majit.
Maqedonia e Veriut ka pak mbi 1 milion e 800 mijë votues të regjistruar. Që një garues për president të fitojë në raundin e parë i duhen 50 përqind, plus një votë më tepër e elektoratit që duhet të ketë kaluar shkallën e daljes prej 40 për qind në votime.
Kjo, pothuajse asnjëherë nuk ka ndodhur dhe dy kandidatët me më tepër vota kalojnë në balotazh pas dy javësh.
Votat e elektoratit shqiptar zakonisht përcaktojnë fituesin nga radhët e dy partive më të mëdha maqedonase, por për këtë duhet të bëjnë thirrje partitë shqiptare se kujt duhet dhënë vota./VOA
Të tjera
-
Parashikimi i motit për të hënën
Për të hënën parashikohet të mbajë mot i vranët, ku pritet depërtimi i një ci...
-
Donald Trump emëron gjeneralin Keith Kellogg si të dërguarin e tij special për Ukrainën dhe Rusinë
Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka zgjedhur Gjeneralin Keith Kellogg si të...
-
Kurti ua lypë mërgimtarëve 74 mijë vota: Paramendojeni çka bojmë me na i dyfishu ju votat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota...
-
Bedri Hamza takon profesorin e tij: Ato që i thotë, ka me i realizu, se ia njoh karakterin dhe mentalitetin
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, në rrjetet e tij...
-
Kush është fajtori kryesor për moskalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare?
Ani pse pas një takimi të Albin Kurtit më kreun e PDK-së, u votuan disa marrë...
-
“Ka qenë i veçantë, një djalë i sjellshëm, i urtë, me të gjitha notat 5-she, ato që i premton edhe i realizon”, profesor Xhaferi vlerëson lart nxënësin e tij Bedri Hamzën
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij,...
-
Bejta falënderon stafin e Komunës së Prishtinës për punën e palodhshme: Viti tjetër, edhe me më shumë suksese
Kandidatja për deputete nga LDK, Fiknete Bejta, ka publikuar disa fotografi n...
-
Pasaporta e Kosovës në mesin e 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se viti 2024 ka qenë viti...
-
Kërkohet ndihmë për 16-vjeçarin nga Istogu që vuan nga Leukemia, ka nevojë për shërim jashtë vendit!
Familja Dani nga Kërrnina e Istogut kërkon ndihmë për shërimin e djalit ! ...
-
Incidenti në Novi Sad, mijëra njerëz protestọjnë kundër regjimit të Vuçiqit
Studentët, të cilët prej javësh i kanë bllokuar fakultetet në Universitetin e...
-
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar...
-
Java nis me reshje bore – Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Moti nga e hëna parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme b...