Lajme

Haziri fajëson Kurtin për vonesën e finalizimit të autostradës Gjilan-Prishtinë

Autori: Gazeta inFokus 15:38 | 15 August 2024

Autostrada Gjilan-Prishtinë, një projekt i infrastrukturës rrugore që është vonuar shumë së finalizuari në krahasim me afatet e caktuara, po vazhdon të vonohet edhe sot e kësaj dite.

Në vitin 2018 kur është paraqitur projekti për autostradën, sipas ish-ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe ish-kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ky projekt do të ndikonte pozitivisht në zhvillimin ekonomik dhe do ta lehtësonte lëvizjen e qytetarëve.

Ish-kryetari Haziri në një prononcim për Telegrafin thotë se fajin për finalizimin e projektit e ka vet Kurti personalisht dhe qeverisja aktuale lokale.

-Advertisement-

“I vetmi fajtor është Qeveria Kurti, vetë Kurti personalisht, i cili në vend se ta përfundojë brenda 16 mujave sipas planit dinamik, ai për 3 vite e gjysmë e ka stagnuar krejt këtë proces dhe ka shkaktuar amulli edhe më të madhe”, ka thënë Haziri.

Ndër të tjera, Haziri thotë se asgjë nuk ka të bëjë për funksionalizimin dhe përfundimin e autostradës dhe sipas tij qytetarët e kanë humbur besimin në këtë projekt.

“Duke dashur që ta mbajë shpresën dhe besimin për këtë rrugë, ata kanë shpallur vlerësimin për punimet e rrugës prej Gllamës në Konçul, që është pjesa finale e rrugës, por që asgjë nuk ka të bëjë asgjë për funksionalizimin dhe përfundimin e Autostradës së Gjilanit. Fatkeqësisht, qytetarët e kanë humbur besimin në këtë projekt dhe përgjegjësi kryesor është qeveria Kurti” potencoi ai.

Ai thotë se Anamorava është përjashtuar totalisht nga Qeveria Kurti nga e drejta për qasje të shpejt me kryeqytetin.

“Për ne, në fakt është përjashtuar nga çdo lloj prioriteti e çdo lloj interesimi nga Qeveria. Anamorava është përjashtuar nga Qeveria Kurti nga e drejta për qasje të shpejt me kryeqytetin”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Haziri thotë se komuna ka qenë totalisht e painteresuar, sepse sipas tij Gjilani është pa kryetar.

“Ndërkaq, Komuna ka qenë totalisht e painteresuar, zatën nuk ka kurrëfarë ndikimi sepse Gjilani fatkeqësisht është pa kryetar. Së paku, ky që po administron me Gjilanin është dashur të interesohet dhe të ketë kërkimfalje”, ka thënë ai.

Haziri thotë se ka tri vite e gjysmë që projekti për finalizim është larguar nga çdo prioritet, derisa sipas tij në emër të përfundimit të autostradës, filluan edhe hetime.

“Ka tri vite e gjysmë që autostrada është larguar nga çdo prioritet. Në emër të përfundimit të këtij projekti, filluan gjoja me hetime të një lloji e që nuk dihet asgjë nga ai pretendim”, ka thënë Haziri për Telegrafin.

Ai thekson se tani nuk është punuar asgjë, përpos disa shtyllave për ndriçim publik, shtylla këto të cilat sipas Hazirit dolën si prodhim në Serbi.

“Tani nuk është punuar asgjë, përpos disa shtyllave për ndriçim publik në pjesën e Zhegocit të Ulët, të cilat dolën si prodhim në Serbi dhe pas presionit medial, është ndalur cdo lloj aktiviteti. Punime rutinë ditore vërhehen me pak punëtorë, por nuk ka asgjë nuk ka në këtë drejtim që mund ta funksionalizojë deri në Gllamë të Bresalcit çështjen e Autostradës së Gjilanit”, ka theksuar ai.

Tutje, Haziri thotë se qëllimi i tij dhe i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka qenë që ta afrojë Gjilanin afër Prishtinës dhe Tiranës.

“Qëllim imi dhe i LDK-së ka qenë që ta afrojë Gjilanit afër Prishtinës e Tiranës, për shkak se afro gjysmë milion banorë jetojnë në këtë zonë, ku përfshihet edhe Kosova Lindore”, ka thënë ai

Meqenëse ky projekt ka filluar qysh nga qeverisja lokale e LDK-së, Haziri thotë se nuk ka pasur probleme në menaxhimin e fondeve dhe sipas tij kanë qenë dy parime të vendosura në lidhje me këtë.

“Asnjë problem nuk ka pasur në menaxhim të fondeve. Kanë qenë dy parime të vendosura, që të ndërtohet me kapacitete vendore, praktikisht që ta realizojnë kompanitë vendore me partnerët e tyre, dhe, e dyta, është ‘favorizuar’ biznesi i Kosovës”, thotë ai.

Ai thekson tutje se nuk ka pasur probleme në terren lidhur me shpronësimet.

“Kurrëfarë probleme nuk ka pasur e as nuk janë paraqitur në terren lidhur me shpronësimet, hyrje-daljet dhe vendpunishtet e projektuara”, ka theksuar ai

Haziri thotë se në atë kohë në kuadër të këtij projekti e kanë paraprë edhe zhvendosjen e Kazermës së Ushtrisë së Kosovës dhe sipas tij kjo ka qenë arsyeja se pse i kanë bërë hyrje-daljet në Zhegocin e Ulët dhe atë të Epërm.

Sipas tij, në të ardhmen vetëm kështu batalioni i reagimit të shpejt mund të ketë akces në tërë territorin e Kosovës.

“Ne, po ashtu, e kemi paraparë që në Zhegoc të ndërtohet Kazerma e re e ushtrisë së Kosovës, që të zhvendoset nga Gjilani. Për këtë arsye i kemi bërë hyrje-daljet në Zhegocin e Ulët dhe në Zhegocin e Epërm, në mënyrë që në të ardhmen Batalioni i Reagimit të Shpejt që është në kazermën e Gjilanit të ketë akces në tërë territorin e Kosovës”, ka thënë ai.

Haziri theksoi se ky projekt ka degraduar dhe sipas tij është ndalur projekti zhvillimor më i madh i Anamoravës.

“Një projekt i cili është dashur të dalë në Bresalc për 16 muaj, për tri vite e gjysmë ka mbetur në atë pikë dhe fatkeqësisht është degraduar. Është ndalur projekti i zhvendosjes së Kazermës, është ndalur projekti i përfundimit Autostradës, që do të thotë është ndalur projekti zhvillimor më i madh i Anamoravës”, ka përfunduar ai.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Afati i fundit për regjistrime në programin MSc. Data Science & Analytics në UNI – Universum International College – Powered…
-Advertisement-

Të tjera