Lajme

Haradinaj: Qeveria ka mundësi për rritje të pagave e pensioneve deri në 25-30%, Albini po mashtron dhe po abuzon me numra

Autori: Gazeta inFokus 15:04 | 29 August 2024

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vazhduar me kritikat e tij ndaj kryeministrit të vendit, Albin Kurti, të cilit i ka thënë se nuk qeveriset gjithmonë me mashtrim.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Haradinaj ka thënë se askush nuk beson më në shifrat e Kurtit dhe madje sipas tij, edhe militantët e dinë që po mashtron dhe po abuzon me numra për zhvillim ekonomik dhe punësim.

Ai më tej ka pyetur Kurtin se përse nukpo rrit pagat e pensionet të paktën për 25 për qind.

-Advertisement-

“Mashtrimi s’kalon! Nuk ndërtohet vendi e as nuk qeveriset gjithmonë me mashtrim. Nëse nuk ta kanë thënë dhe nëse nuk e din vetë, çka unë dyshoj, jeta e qytetarit të Kosovës nuk është duke u përmirësuar por është duke u varfëruar. Askush nuk ju beson më shifrave tua e edhe militantët që të rrinë përreth e dijnë që je duke mashtruar dhe po abuzon me numra për zhvillim ekonomik dhe punësim. Nëse e ke rritë buxhetin për 35%, pse të paktën s’po i rritë pagat e pensionet, bile të paktën 25%? Ndoshta po pret fushatën zgjedhore e pastaj ta realizosh rritjen se të duhet për vota. S’ka lidhje. Përfito me këtë formë të ulët mashtrimi por veç ngriti pagat sepse njerëzit e këtij vendi janë dhe kanë shumë nevojë për rritje pagash e pensionesh. Çdo ekspert buxheti e din që ke mundësi për rritje deri në 25-30% pa asnjë problem qysh sot”, shkroi ai.

Haradinaj po ashtu ka përmendur sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian, duke thënë se Kosova ka humbur rreth 500 milionë euro për një vit.

Ai ka akuzuar kryeministrin Kurti se ka dëmtuar pozicionin e Kosovës në integrime euroatlantike dhe ka dëmtuar raportet me investitorë.

“Albin, në Kosovë për katër vite nuk është krijuar asnjë vlerë e re, as politike as ekonomike dhe nuk ka progres në asnjë sferë të jetës. Kemi sanksione nga BE dhe kemi humbur për një vit rreth 500 milionë EURO veç nga këto masa. E ke dëmtuar rëndë pozicionin e Kosovës në integrime euro-atlantike dhe askush nga vendet aleate nuk të sheh si partner por si person që duhet menaxhuar. Ke dëmtuar raportet me investitorë dhe ke mbajtur ata larg nga Kosova. Agjencioni i Statistikave që është pjesë e zyrës së Kryeminstrit të ka tregu që 211, 749 qytetarë e kanë braktisë Kosovën për 4 vite sa ti ke qeverisë. Nëse flet me të rinj, shumë prej tyre janë duke aplikuar dhe duke u përpjekur që të ikin dikah. Nuk ke asnjë ide asnjë koncept me ndihmu vendin përveç populizmit, fjalëve të bukura dhe veprimeve boshe”, shkroi më tej Haradinaj.

Ish-kryeministri i është drejtuar Kurtit me thirrjen që të mos abuzojë me statistika dhe të mos mashtrojë, teksa është shprehur se me trendet që ka shefi i Qeverisë, nuk i duhet fitorja në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do mbahen më 9 shkurt 2025.

“Mos abuzo me statistika e mos mashtro. Kërkah s’është drejtimi që i ke dhënë Kosovës. Me trendet që i ke nuk besoj që të duhet fitorja në zgjedhje. Nuk përfiton Kosova e jam i sigurt që as ti, sepse “zullumi këputet për së trashi” thotë populli”, përfundoi Haradinaj.

Reagimi i Haradinajt vjen pas deklaratës së kryeministrit Kurti, i cili sot tha se gjatë këtyre tri viteve të qeverisjes së tij, ka pasur punësim të shtuar dhe ai është rritur për 20 për qind.

“Sigurisht kjo është përkthyer me punësim të shtuar krahasuar para tre vjetëve në Kosovë është rritur punësimi për 20 përqind, përfshirë këtu dyfishimin e të rinjve të punësuar. E pa dyshim që kjo ka ndikuar edhe në rritjen e fitimit dhe zgjerimin e aktivitetit të sektorit privat”, ka thënë ai para të pranishmëve në në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave me përfituesit nga Programi për Zhvillim Rajonal të Balancuar.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fito 50 € për dyshekun e vjetër dhe merr dyshkeun e ri Cloud për vetëm 549 €
-Advertisement-

Të tjera