Lajme

Haradinaj i reagon Kurtit/ Rritja në 350 euro është poshtërim, premton 500 euro pagë minimale

Autori: Gazeta inFokus 11:58 | 28 August 2024

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se paga minimale prej 350 euro për të cilën vendosi sot Qeveria, është poshtërim e se po bëhet për qëllime elektorale.

Sipas Haradinajt, paga minimale qysh sot duhet të jetë 450 euro.

“Ata që s’kanë preokupim tjetër përpos si të mbeten në pushtet, gjithmonë në prag të zgjedhjeve, dalin me mashtrimet e radhës për rritje pagash, ulje çmimesh, vende pune e lloj-lloj mrekullirash të tjera. Në kuadër të një fushate për zgjedhje, Qeveria e VV-së, sot paska marrë vendim që të rritet paga minimale në 350 euro. Premtimi për këtë pagë minimale është poshtërim”, ka shkruar Haradinaj.

-Advertisement-

Haradinaj ka thënë se Kurti pagën minimale e konsideron “ndihmë sociale”.

“Paga minimale qysh sot duhet të jetë 450 euro, e që në ditën e parë të qeverisë së re, më së paku 500 euro, natyrisht duke shënuar rritje të përvitshme, në bazë të rritjes ekonomike e inflacionit dhe në këtë pagë minimale duhet të përfshihen të gjitha kategoritë e pensioneve. Vendet e rajonit, qysh moti e kanë kaluar pragun e pagës minimale prej 500 eurosh, ndërsa ky kryeministër, jo vetëm që është vonuar me rritje pagash për katër vjet, por edhe sot pagën minimale e konsideron ndihmë sociale”, ka shkruar tutje ai.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin që niveli i ri i pagës minimale të jetë 2 euro për orë për punë të rregullt apo 350 euro bruto në muaj për punë me orar të plotë.

Kryeministri Albin Kurti tha se paga minimale do të jetë e liruar nga tatimi, derisa shtoi se kjo është rritja e dytë brenda këtij mandati qeverisës.

Sipas Kurtit, nga kjo rritje preken mbi 150 mijë të punësuar, kryesisht të sektorit publik.

“Me hyjen në fuqi të Ligjit për Pagën Minimale, më në fund u hap rruga që edhe zyrtarisht të rritet paga minimale pas një pritje prej 13 vjetësh. Ndërkaq sot do të shqyrtojmë propozimin e Ministrisë së Punës, Financave dhe Transfereve që niveli i ri i pagës minimale të jetë 2 euro për orë punë të rregullt apo 350 euro bruto në muaj për punë më orar të plotë. Paga minimale do të jetë e liruar nga tatimi. Kjo është rritja e dytë e pagës minimale brenda këtij mandati qeverisës”, deklaroi Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Ministri i Financave, Hekuran Murati bëri me dije se kjo pagë do të hyjë në fuqi nga 1 tetori.

“Do të hyjë në fuqi nga data 1 tetor që t’u japim kohë organizatave dhe bizneseve t’i bëjnë përshtatjet e nevojshme”, tha Murati.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Thyhet REKORDI I ZBRITJEVE!
-Advertisement-

Të tjera