Lajme

Hamza: Hapja e urës mbi lumin Ibër të bashkërendohet me NATO-n dhe aleatët strategjikë të Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 21:16 | 09 August 2024

Kryetari i komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza thotë se hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë duhet të kryhet në bashkërendim me NATO-n dhe aleatët strategjikë të Kosovës.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai tha se duhen shmangur veprime që mund të çonin në tensionim të situatës. “Duhet të ketë bashkëpunim, bashkërendim dhe koordinim me NATO-n , që ka trupat e vet në kuadër të KFOR-it, me ambasadat në Kosovë, me diplomacitë e vendeve mike me qëllim që të mos shkaktohet një situatë që në vend që të ketë progres të lëvizim në regres dhe të përballemi me një situatë e cila më pastaj do ta bllokonte urën për lëvizje për një kohë më të gjatë”, u shpreh ai.

Zoti Hamza, tha se çështja e urës ishte temë në takimet që ai ka patur me zyrtarë amerikanë gjatë qëndrimit në Uashington.

-Advertisement-

Autoritetet në Kosovë mbyllën të hënën zyrat e postës së Serbisë në veri dhe filluan të enjten testimin e qëndrueshmërisë së urës kryesore mbi Ibër që shënon vijën ndarëse të Mitrovicës, si përgatitje për hapjen e saj për lëvizjen e makinave, mes kundërshtimeve të KFOR-it dhe diplomatëve perëndimorë

Qeveria e Kosovës thotë se hapja e urës do të ishte simbol i normalizimit të marrëdhënieve ndëretnike ndërmjet veriut të banuar me shumicë serbe dhe jugut me shumicë shqiptare.

Zëri i Amerikës: Qyteti juaj është vënë përsëri në qendër të vëmendjes pas planeve të qeverisë së Kosovës për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër për makinat. A duhet të hapet ura për lëvizjen e automjeteve, cili është mendimi juaj ?

Bedri Hamza: Ura për këmbësorë është e hapur, por duhet hapur edhe për automjete. Mirëpo duhet të ketë bashkëpunim, bashkërendim dhe koordinim edhe me faktorë të tjerë, në këtë rast edhe me NATO-n, që ka trupat e vet në kuadër të KFOR-it, me ambasadat në Kosovë, me diplomacitë e vendeve mike me qëllim që të mos shkaktohet një situatë që në vend që të ketë progres të levizim në regres dhe ku mund të kemi dhe të përballemi me një situatë e cila më pastaj do ta bllokonte urën për lëvizje për një kohë më të gjatë.

Ndaj, ura, e dimë rolin e saj, është për të lehtësuar qarkullimin, për të lëvizur njerëzit, idete kapitali, në pjesën jugor të qytetit të Mitrovicës është e hapur, janë të mirëpritur kushdo kalon andej, janë të mirëpritur ta vizitojnë, të bëjnë biznes në Mitrovicë, të pijnë kafe në Mitrovicë, pa dallim etnie dhe në këtë drejtim ne duhet t’i kontribuojmë që të kemi një shtensionim të situatës, një krijim të kushteve që të kemi një normalitet në ketë pjesë të Kosovës dhe gjithsesi ne duhet të jemi ngushtë të koordinuar dhe të bashkëpunojmë që të kemi përkrahjen edhe të partnerëve tanë strategjikë në këtë drejtim.

Zëri i Amerikës: Hapja e urës ishte parashikuar në një marrëveshje të arritur në bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel, dhjetë vjet më parë. Përse nuk është zbatuar një gjë e tillë?

Bedri Hamza: E them me keqardhje që Mitrovica e veriut të Kosovës vazhdon të jetë temë që pas luftës. Kemi një numër të konsiderueshëm të marrëveshjeve që janë arritur, disa prej tyre kanë prodhuar efekt, disa prej tyre nuk janë zbatuar dhe dihet që problemi i moszbatimit të pjesës së madhe të marrëveshjeve është Serbia, janë institucionet në Serbi. Prandaj dhe në këtë drejtim, ka patur një ndikim nga ana e Serbisë përmes strukturave në pjesën veriore të Kosovës që të ketë probleme sa i përket lirisë së lëvizjeve dhe qarkullimit të njerëzve, të makinave, ideve, kapitalit e të tjera. Prandaj është e nevojshme që të kemi hapje të urës edhe për automjete, sepse e theksova dhe po e ritheksoj, për këmbësorët është e qarkullueshme, por kjo të jetë në partneritet, në koordinim, në bashkërendim me partnerët tanë strategjikë.

Zëri i Amerikës: A u shtrua çështja e urës në takimet tuaja këtu në Uashington dhe cili ishte mesazhi i zyrtarëve amerikanë?

Bedri Hamza: Unë kam patur takime të nivelit të lartë, mjaft të dobishme, produktive në Shtëpinë e Bardhë, Këshillin e Sigurisë Kombëtare, në Departamentin amerikan të Shtetit, ku kemi biseduar me personalitete të larta të administratës amerikane dhe një prej temave sigurisht që ka qenë edhe çështja e urës. Ëshë i qartë qëndrimi i partnerëve tanë strategjikë, që kjo çështje duhet të shkojë në partneriteti dhe në pajtueshmëri me KFORI-n, me NATO-n, me partnerët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Europian, jo të prodhohet në një situatë ku realisht mund të kemi tensione dhe realisht të kemi zhvillime të cilat e dëmtojnë më pas këtë çështje.

Zëri i Amerikës: Qeveria e kryeministrit Albin Kurti thotë se hapja e urës nënkupton zbatim të marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe veprimet si ai për mbylljen e degëve të Postës së Serbisë në veri, janë pjesë e shtrirjes së sovranitetit në atë pjesë. A nuk ishte ky qëllimi edhe i qeverisë suaj dhe qeverive të tjera të Kosovës?

Bedri Hamza: Po sovraniteti, po tërësia territoriale e Republikës së Kosovës, integriteti, karakteri unitar i shtetit, rendi dhe ligji, mirëpo për çështje të caktuara duke ditur që për sigurinë në Kosovë garanton edhe NATO përmes trupave që i ka të KFOR-it, ne duhet të dakordohemi edhe me partnerët tanë strategjikë, do të thotë, nuk ka dilema rreth sovranitetit, tërësisë territoriale dhe zbatimit të ligjit, por në tema të caktuara duhet të kemi partneritet dhe bashkërendim.

Zëri i Amerikës: Pas dështimit të nismës për të patur zgjedhje të parakohshme përmes një marrëveshjeje të të gjitha forcave politike si është situata sot? A ka ndonje nismë për zgjedhje të parakoshme apo do bëhen në kohën e rregullt?

Bedri Hamza: Edhe veprimet të cilat janë duke ndodhur, të cilat i biseduam, më tepër po bëhen për efekte elektorale. Përndryshe, bëjnë veprime, marrin inisiativa, ngrenë tema, përse nuk po i bëjnë? Le t’i bëjnë. Zgjedhjet në afat të rregullt. Presidentja e vendit i ka ftuar partitë politike në konsultime dhe si data të mundshme janë datat me 26 janarit dhe 16 shkurtit. Ne presim që Presidentja të dalë me një datë të saktë për mbajtjen e zgjedhjeve, në një afat të rregullt. Ka patur një inisiativë që në Kosovë të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Realisht partia në pushtet ka deklaruar se është e gatshme, por në fund kur ne si Parti Demokratike kemi dhënë mbështetjen për shpërndarjen e Kuvendit ka patur një hezitim, një mos gatishmëri nga partia në pushtet që të shkohet në zgjedhje të parakohshme që kanë qenë të planifikuara në qershor apo në fillim të korrikut. Prandaj ne presim që zgjedhjet të jenë në afat të rregullt ligjor, kushtetues dhe jemi duke u përgatitur që të dalim sa më mirë në zgjedhje dhe jemi optimist që do të kemi rezultat të mirë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Afati i fundit për regjistrime në programin MSc. Data Science & Analytics në UNI – Universum International College – Powered…
-Advertisement-

Të tjera