Gruaja e Bedri Rexhepit rrëfen bisedën e fundit që kishte pasur me të ditën kur dyshohet se u vra
Autori: Gazeta inFokus 11:30 | 26 April 2023
Gruaja e Bedri Rexhepit, Dardane Shyti, po dëshmon sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës, lidhur me rastin e vrasjes së burrit të saj, për të cilën akuzohen dy vëllezërit Jeton dhe Nexhat Vllasaliu.
Gazetari i T7, Çlirimtar Morina, është duke e përcjellë këtë seancë, prej ku po raporton për dëshminë e saj.
Shyti ka treguar për bisedën e fundit që ka pasur me bashkëshortin e saj, Bedri Rexhepin, ditën kur ai ishte larguar nga banesa për t’u takuar me Jeton Vllasaliun.
Sipas saj, Rexhepi i kishte thënë se Jeton Vllasaliu ia kishte ofruar dy vetura në këmbim të borxhit.
“Dita kritike e 8 prillit e vitit 2021, u nis si një ditë e zakonshme, rreth orës 15 Bedriu erdh në banesë edhe më tha nuk po ndihem mirë, e kishte një shqetësim, unë ia lash gjendjes shëndetësore pasi kishte probleme me shëndetin, rreth orës 16:00, Bedriu doli nga shtëpia, para 10 minutash më tha Jetoni m’i ka ofruar dy kerre në këmbim te borxhit, me çmime të volitshme edhe tha po shkoj me i marrë, mjetet financiare ishin në banesë, i mori ato edhe u nis me u taku me Jetonin në Ferizaj. Gjatë bisedës Bedriu mendoi edhe për Jetonin, tha nuk mendoj me lanë keq Jetonin, kam me u mundu me ja bo një kerr shumë të mirë”, ka deklaruar Shyti.
Sipas aktakuzës, Jeton e Nexhat Vllasaliu kishin planifikuar vrasjen e 38-vjeçarit që nga 9 janari i vitit 2021.
Ata kishin planifikuar vrasjen për t’ia marrë 30 mijë euro që besonin se Bedri Rexhepi i kishte me vete, por që, sipas prokurorisë, ai kishte pasur vetëm 8 mijë euro.
“Prej periudhës 9 janar 2021 deri më 8 prill 2021, të pandehurit Jeton Vllasaliu dhe Nexhat Vllasaliu, në bashkëkryerje, pas marrëveshjes paraprake, kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta me qëllim të fitimit të dobisë pasurore të dëmtuarin Bedri Rexhepi. Ata fillimisht i kishin ndarë rolet dhe planifikuar veprimet, dhe Jeton Vllasaliu, duke e shfrytëzuar besimin që i dëmtuari/ndjeri Bedri Rexhepi e kishte ndaj tij, e vë në lajthitje të dëmtuarin Bedri Rexhepi. Duke filluar nga data 9 janar 2021, ku i kishte ofruar për shitje dy vetura: një Range Rover dhe një BMË X3, për vlerën prej 30 mijë eurosh”.
Në aktakuzë thuhet se Jeton Vllasaliu e ka privuar nga jeta Bedri Rexhepin, duke e ngulfatur.
“I pandehuri Jeton pastaj në mënyre tinzare duke e ngulfatur e privon nga jeta Bedri Rexhepi, duke menduar se ka me vete shumën e të hollave dhe atë në vlerë prej 30.000 € (tridhjetë mijë euro), siç edhe ishin marrë vesh për shitjen e veturave. Mirëpo, pas vrasjes tek viktima kishte gjetur vetëm shumën prej 8000 € (tetë mijë euro) që i ka ndarë me të pandehurin Nexhat Vllasaliu”, thuhet në aktakuzën e publikuar në media.
Sipas ekspertizës së mjekësisë ligjore, Bedri Rexhepi ka vdekur si pasojë e shtypjes mekanike të organeve të frymarrjes dhe enëve të gjakut (asfiksi mekanike).
Aty thuhet se Rexhepit i ishin thyer brinjët e krahërorit, nga veprimi mekanik “i mjetit të fortë mbretës”.
“Thyerja e kocës hioide e përshkruar në pikën 1 të përshkrimit të dëmtimeve e cila gjendet në regjionin e majtë të përparmë të qafës, me besueshmëri është shkaktuar gjatë strangulimit të regjionit të qafës. Thyerja e brinjve të kafazit të kraharorit të përshkruar në pikën 2 të përshkrimit të dëmtimit janë shkaktar nga veprimi mekanik i mjetit të fortë mbretës (jo I mprehtë, I topitur) rreth kohës së vdekjes”, thuhet në raportin e IML’së, që është përfshirë në aktakuzë.
Sipas Prokurorisë, pas vrasjes, dy vëllezërit Vllasaliu kishin vazhduar planin për fshehjen e trupit.
Në aktakuzë thuhet se kokën ia kishin mbështjellë me qese të zezë të najlonit, e trupin me perden e shtëpisë së Nexhat Vllasaliut dhe se pastaj e kishin lidhur me litar.
“Pastaj, kufomën e të ndjerit e dërgon në katin e tretë të shtëpisë dhe, në pamundësi për ta varrosur, e kishte mbështjellë kokën e tij me qese të zezë të najlonit, kurse tërë trupin me perden e shtëpisë së të pandehuir Nexhat, dhe e kishte lidhur me një litar. Pastaj, veturën e të ndjerit Bedri Rexhepi e kishte dërguar në arat e fshatit Sushisë-Janjevë. Nga aty, i pandehuri Jeton i kishte telefonuar të pandehurit Nexhat, i cili pastaj e kishte marrë veturën e tipit, mu në rrugën që dërgon te vendi ku e kishte lënë automjetin”, thuhet në aktakuzë.
Sipas Prokurorisë, dy të akuzuarit kishin diskutuar edhe se si do të përgjigjeshin para hetuesve që ta kenë një versionin e njejtë për t’i krijuar alibi njëri-tjetrit, pasi e dinin se do të kontaktoheshin. “Ku edhe me datë 8 prill paradite, takohen në shtëpinë e tyre në Vllasali dhe sigurohen se nuk ka shumë njerëz dhe frekuentimin e tyre në ditë pune – ditë e enjte, dhe një vend ku më pas mund të zhdukin provat inkriminuese dhe trupin e të dëmtuarit Bedri Rexhepi, veprimi i dërgimit të automjetit në fshatin Sushicë, pra me kilometra larg vendit ku kryhet vrasja e rëndë. Koordinimi që Nexhati të dalë e ta marrë Jetonin për ta kthyer në shtëpi si dhe shkuarja e nesërme herët në mëngjes, pa u zbardhur dita, që ta varrosin kufomën e të ndjerit në një vend ku nuk është i paraparë për varreza dhe rrallë i frekuentueshëm edhe nga vetë banorët e fshatit Vllasali. Krijimi i një tregimi të përbashkët që në rast të marrjes në pyetje nga organet e drejtësisë, ta kenë versionin e njëjtë për t’i krijuar alibi njëri-tjetrit”, thuhet në aktakuzë.
Të tjera
-
Fundosen veturat te ura e Stacionit të Autobusëve në Prishtinë
Të paktën dy automjete janë fundosur në afërsi të urës së Stacionit të Autobu...
-
Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën, ky është rendi i ditës
Kryesia e Kuvendit ka bërë të ditur se do të mblidhet të hënën. Kjo mbledh...
-
Parashikimi i motit për vikend
Reshjet e shiut që filluan ditën e premtë, më vonë gjatë mbrëmjes dhe natën, ...
-
Konfiskimi i ạrmạtimit në veri, Kurti: Siguria e njerëzve dhe e të gjithë vendit mbeten prioritet
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në X ka bërë një shkrim në lidhje me konf...
-
Kurti: Qeveria që ka investuar më së shumti në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore islame në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nën udhëheqjen e tij, Qe...
-
Durmishi bën apel pas reshjeve të vazhdueshme të borës: Kujdes gjatë vozitjes, ekipet e mirëmbajtjes janë në terren
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka dalë me një apel pa...
-
Rrugët e Prishtinës vërshohen, njohësi i emergjencave: Përsëri dështoi infrastruktura nëntokësore në kryeqytet
Njohësi i i çështjeve të emergjencave civile, Tahir Ahmeti ka reaguar pasi si...
-
Dita e Alfabetit, studiuesit: Duhet unifikim të praktikave të gjuhës në tri shtetet ku shqipja është zyrtare
Tashmë një ditë feste zyrtare, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, nuk vjen pë...
-
KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës stërviten së bashku të hënën
KFOR-i njofton së bashku me EULEX-in dhe Policinë e Kosovës do të zhvillojnë ...
-
Refuzohet kërkesa e Shalës për mosparaqitje ose shtyrje të seancës
Gjykata Speciale njofton se Trupi Gjykues i refuzoi kërkesën e Mbrojtjes që t...
-
Zemaj Kurtit e Vitisë për QKMF’në e Mamushës: Jeni definicioni i propagandës, preni shirita për punët që i kam bërë unë si ministër
Deputeti i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj ka thënë sot se kryemi...
-
Riker: Mbyllni procesin e dialogut dhe zgjidhni problemet
Ish-zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit, Filip Riker, dekla...