Lajme

Gjykimi për shtytje në vrasjen e trefishtë, mbrojtësi i të akuzuarit thotë se prova kryesore është nxjerrë në mënyrë të kundërligjshme

Autori: Gazeta inFokus 21:12 | 14 February 2023

Mbrojtësi i të akuzuarit Manojl Gjidodaj, avokat Ndrecë Dodaj, ka deklaruar se prova bazë e cila është burim i të gjitha provave të tjera, është nxjerrë duke u shkelur neni i Kushtetutës së Kosovës i cili ka të bëjë me privatësinë e qytetarit.

Këtë deklarim i njëjti e ka bërë në seancën e së martës, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, duke i hedhur poshtë pretendimet e prokurorisë se Manojl Gjidoda kishte shtytë një person që të kryejë vrasje të trefishtë, duke i premtuar të holla në shumën e përgjithshme prej 320 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi’.

Paraprakisht, në këtë seancë u dëgjua dëshmitari Qëndrim Shala, në cilësinë e palës së dëmtuar, i cili në lidhje me pyetjet e prokurores Dëshire Jusaj tha se Brahim Shalën e ka babë, dhe se Lekë Markun nuk e njeh dhe as nuk e ka njohur në të kaluarën.

-Advertisement-

Sa i përket incizimit të bërë në mes të Lekë Markut dhe Manojl Gjidodës ai tha se nuk e ka dëgjuar, por që Brahimi Shala, babai i tij në një vizitë familjare, i ka treguar se është gjetur një incizim në të cilin përmendet së bashku me të.

I njëjti tha se, “e kam pyetur babain se a i kemi borxh familjes Gjidodaj, më është përgjigjur se jo, por që këtë përgjigje do ta gjejë prokuroria dhe do e kuptojmë se çka është në pyetje. Babai nuk me ka përmendur ndonjë emër se kush mund të qëndroj pas saj, pasi unë dhe familja jonë e dimë shumë mirë prej kujt kemi pasur sulme të vazhdueshme”, tha ndër të tjerash dëshmitari.

Më pas gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor palët kanë dhënë fjalët e tyre përfundimtare.

Prokurorja Jusaj, në fjalën e saj përfundimtare deklaroi se nga provat të cilat janë në shkresat e lëndës vërtetohet në tërësi gjendja faktike si në aktakuzë, se i akuzuari Manojl e ka kryer veprën penale të shtytjes në kryerjen e veprës penale të vrasjes së mbetur në tentativë, të cilën e dëshmojnë edhe dëshmitë e të dëmtuarve të dhëna në polici, prokurori dhe në gjykatë.

Sa i përket asaj se i pandehuri është mbrojtur në heshtje, prokurorja Jusaj theksoi se i njëjti po tenton që t’i shmanget përgjegjësisë penale, dhe se motiv i saj ka qenë vrasja e trefishtë.

Mbrojtësi i të dëmtuarit Brahim Shalës, avokat Ilir Hoxha, në fjalën përfundimtare duke i mbështetur deklarimet e prokurores tha se, përmbajtja e bisedës e dëgjuar përmes CD-së, gjatë këtij shqyrtimi, në mënyrë të qartë specifikon emrin e palës së dëmtuar, përgatitjen, pagesën, dhe rrethana të tjera deri te kryerja e vrasjes të cilat i kishte planifikuar i akuzuari.

Ndërsa, avokat Agron Kuçi, mbrojtësi i të dëmtuarit Gjelbrim Gjoshi, ndër të tjerash në fjalën e tij përfundimtare tha se nga dëshmitë e dëshmitarëve, dhe nga audio-incizimi, është vërtetuar skena për privimin nga jeta të Brahim Shalës, Qëndrim Shalës, dhe Gjelbrim Gjoshit, duke shtuar se me rast përmendet koha brenda së cilës duhet të bëhen vrasjet, shuma e parave, vendi nga do të vijnë paratë, si dhe emri i personit kyç për ekzekutimin e të lartpërmendurve.

Në fund i akuzuari deklaroi se fjalët i ka thënë nën ndikim të alkoolit, dhe se nuk ka pasur kërkesë për ta kryer këtë vepër nga ana e tij, dhe se nuk do të ketë kurrë kërkesa për kryerjen e veprave të tilla, as në të ardhmen.

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Ilir Rashkaj shpalljen e aktgjykimit për këtë rast e ka caktuar të bëhet me 20 mars 2023.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, thuhet se Manjol Gjidoda, nga fundi i muajit janar dhe në fillimi i muajit shkurt të vitit 2020, me dashje shtytë personin tjetër dhe atë Lekë Markun, që të kryej vrasje të trefishtë, duke i premtuar të holla, në shuma të larta për kryerjen e këtyre vrasjeve.

Sipas aktakuzës, i akuzuari fillimisht e thërret kinse për të biseduar rreth shitëblerjes së një banese në Gjakovë, më pas takohet në lokalin “Scorpion”, ndërsa të nersëmen në parkingun e restorantit “Metropol” në Gjakovë, me veturë të Lekës shkojnë tek Liqeni i Radoniqit dhe aty bisedohet për kryerjen e tri vrasjeve, dhe atë për vrasjen e Brahim Shalës do të jepe shuma prej 20 mijë euro, për vrasjen e Gjelbrim Gjoshit shuma prej 200 mijë euro, dhe për vrasjen e djalit të Brahimit që gjendet në vuajtje të dënimit Qëndrimit shumën prej 100 mijë euro.

Tutje sipas aktakuzës, duke i thënë bindshëm i akuzuari Lekës se “Unë t’i bi paret ty, në atë minut që ja shohim syretin në pander, unë t’i bi senet në Kosovë, ty s’do të njeh askush sa të jetë toka me gjinë, kurrë, njeriu që ka mu njoftë kam me kanë unë, se kam me i pru paret, askush s’ka me ditë kush shka u ba, pse e çka u ba, paret do të vijnë dy herësh në dorë, si t’i knohet taklini ktij, këtu e marrin vesh se e kena kry, dillen të thirri unë ty dhe të thom deri me 10 maj me kanë I krym, me 15,17 maj qat 20.000 ta bi edhe kur të tjerat janë të kryme”, pastaj pas disa ditësh Lekë Markaj shkon tek restoranti “Potok”, ku kishte lënë takim me Gjelbrim Gjoshin , të cilin e njofton në tërësi për personin i cili ishte duke e shtytë për të kryer vrasjen me pagesë ndaj tij dhe dy të tjerëve.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Shtytje në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë të mbetur në tentativë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.8 lidhur me nenin 32 dhe 28 të Kodit Penal./BetimipërDrejtësi

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe pjesëmarrës në panairin “Gulfood Fair 2024” në Dubai

Të tjera