Lajme

Gjykata Speciale mund të zhbëhej me vetëm 31 vota

Autori: Gazeta inFokus 14:40 | 24 December 2017

Të premten mbrëma, e tërë Kosova ishte me sy e vesh kah Kuvendi i Kosovës, ku ishin mbledhur deputetë të pozitën e opozitës, njëra palë për të mbajtur një seancë të jashtëzakonshme në të cilën do të shfuqizonin Ligjin e Gjykatës Speciale, e pala tjetër për ta kundërshtuar një veprim të tillë.
Kjo tentativë erdhi pas rreth 16 mijë nënshkrimeve të mbledhura nga OVL të UÇK-së në peticionin e tyre për të rrëzuar Gjykatën Speciale.

Por, edhe pas dy tentimeve të kreut të Kuvendit, Kadri Veseli, për të mbledhur Kryesinë nga ku do të procedohej më pas në sallën e Kuvendit votimi për zhbërjen e Speciales, kjo gjë nuk ndodhi pasi nuk pati kuorum.

E pasi kjo dështoi, deputetë nënshkrues të kërkesës së 43 ligjvënësve të Kuvendit të Kosovës për ta shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale thanë se nuk e ditën çfarë po votojnë.

-Advertisement-

Njëri nga ta doli të ishte deputeti i Nismës, Milaim Zeka, i cili e quajti “hile” peticionin e iniciuar nga deputetët e PDK-së për ta zhbërë Gjykatën Speciale.
Ai tha se deputetët u mashtruan për të marrë nënshkrimet e tyre.

“Na kërkuan nënshkrimet pa asnjë shkresë tjetër. Menduam se do të debatonim rreth peticionit, asgjë më shumë”, ka thënë Zeka.
Por, këtyre pretendimeve të deputetëve nuk po u beson Albert Krasniqi nga KDI. Ai thotë se deputetët e kishin të qartë se për çfarë po nënshkruanin, mirëpo, kjo, siç thotë ai, ka qenë e planifikuar.

Ky është postimi i Krasniqit:

Katër hapa për të shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale:

1. Thirr seancë të jashtëzakonshme përmes të paktën 40 nënshkrimeve të deputetëve;
2. Sigurohu që në sallë i ke të paktën 61 deputetë për të arritur kuorumin për mbajtje të seancës;
3. Sigurohu që 2/3 e deputetëve të pranishëm votojnë për shmangie nga Rregullorja e punës së Kuvendit, që gjithçka të shkoj me procedura të përshpejtuara;
4. Bindi të paktën shumicën e deputetëve të pranishëm dhe që votojnë për shfuqizim të ligjit.
Edhe nëse keni përmbushur të gjithë këta hapa, Gjykatën Speciale nuk e keni shpërberë krejtësisht, pasi baza e ekzistencës së saj është e përcaktuar në Kushtetutë. Për ta bërë këtë ju duhet të ndryshoni Kushtetutën, që kërkon votat e 2/3 të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë 2/3 e deputetëve që mbajnë vende të garantuara.
Çfarë keni arritur të bëni me shfuqizimin e ligjit, është të pamundësoni ushtrimin e funksioneve të gjykatës.
Nëse dështoni qysh në fillim, thuani që deputetët nuk kanë ditur se çfarë po nënshkruajnë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday ne Artmotion
-Advertisement-

Të tjera