Gjykata Kushtuese thotë se Kuvendi e ka shkelur Kushtetutën
Autori: Gazeta inFokus 15:24 | 15 December 2021
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka konstatuar se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës në momentin kur ka vendosur për shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës në qershor të këtij viti.
Në një njoftim të lëshuar për media, Kushtetuesja ka bërë të ditur se e kanë cilësuar të pranueshme kërkesën e parashtruar nga deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri dhe dhjetë deputetë të tjerë, shkruan Gazeta Infokus.
Kushtetuesja ka vendosur që të shfuqizojë një vendim të tillë të Kuvendit meqë i njëjti nuk është në përputhje me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës.
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi kërkesën KO 127/21, të parashtruar nga Abelard Tahiri dhe dhjetë (10) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në të cilën u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit [nr. 08-V-029], të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të 30 qershorit 2021, për shkarkimin e pesë (5) anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të kontestuar të Kuvendit, Gjykata njëzëri vendosi që (i) kërkesa është e pranueshme; (ii) Vendimi [nr.08/V-029] i 30 qershorit 2021 i Kuvendit nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës; (iii) të shfuqizojë Vendimin e lartcekur; (iv) të shfuqizojë Masën e Përkohshme të përcaktuar përmes Vendimit të Gjykatës, të 21 tetorit 2021; dhe (v) të refuzojë kërkesën për seancë dëgjimore”, thuhet në vendim. /Gazeta Infokus/
Njoftimi i plotë:
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi kërkesën KO 127/21, të parashtruar nga Abelard Tahiri dhe dhjetë (10) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në të cilën u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit [nr. 08-V-029], të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të 30 qershorit 2021, për shkarkimin e pesë (5) anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të kontestuar të Kuvendit, Gjykata njëzëri vendosi që (i) kërkesa është e pranueshme; (ii) Vendimi [nr.08/V-029] i 30 qershorit 2021 i Kuvendit nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës; (iii) të shfuqizojë Vendimin e lartcekur; (iv) të shfuqizojë Masën e Përkohshme të përcaktuar përmes Vendimit të Gjykatës, të 21 tetorit 2021; dhe (v) të refuzojë kërkesën për seancë dëgjimore. Gjykata rikujton që më 30 qershor 2021, duke u bazuar në rekomandimin e Komisionit të Kuvendit për Administratë Publike, Kuvendi votoi për shkarkimin e pesë (5) anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës.
Duke kontestuar kushtetutshmërinë e këtij akti, parashtruesit e kërkesës, ndër të tjera, pretenduan para Gjykatës se Vendimi i kontestuar i Kuvendit, cenon pavarësinë e Këshillit, të garantuar me nenin 101 [Shërbimi Civil] dhe me nenin 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës, duke theksuar se Këshilli, si organ i pavarur kushtetues, nuk mund t’i nënshtrohet ndërhyrjeve nga ana e Kuvendit dhe se për shkarkimin kolektiv të anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, nuk janë përmbushur asnjë nga kriteret e përcaktuara përmes Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Pretendimet e dorëzuara në Gjykatë nga një deputet i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje!, ndër të tjera, theksojnë se Kuvendi në nxjerrjen e Vendimit të kontestuar ka vepruar në përputhshmëri me funksionin e tij mbikëqyrës, ndërsa rasti i ngritur para Gjykatës, nuk ngërthen çështje kushtetuese.
Në vlerësimin e pretendimeve përkatëse dhe rrethanave që ngërthen rasti, Gjykata (i) fillimisht elaboroi statusin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës dhe anëtarëve të tij, duke u bazuar në Kushtetutë, ligjet e aplikueshme dhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës; (ii) elaboroi kompetencën e Kuvendit dhe kufizimet përkatëse në ushtrimin e funksionit të mbikëqyrjes së Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës; dhe në fund (iii) aplikoi këto parime në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të kontestuar të Kuvendit. Përkitazi me pavarësinë institucionale të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, Gjykata, ndër të tjera, theksoi se (i) Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës është institucion i themeluar me nenin 101 të Kushtetutës për dallim nga Agjencitë e Pavarura të cilat themelohen nga Kuvendi, përmes ligjeve, bazuar në nenin 142 të Kushtetutës; (ii) Kushtetuta i ka përcaktuar Këshillit statusin e institucionit të “pavarur”, me theks në ushtrimin e funksionit të tij kushtetues, përkatësisht, “sigurimin e respektimit të rregullave dhe parimeve që rregullojnë shërbimin civil”; (iii) vendimmarrja e pavarur e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës është kusht për ushtrimin e këtij funksioni kushtetues; (iv) bazuar në praktikën gjyqësore të konsoliduar të Gjykatës, është përcaktuar se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës gëzon prerogativat e një “tribunali” në kuptim të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe se vendimet e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës janë “përfundimtare, të detyrueshme dhe të ekzekutueshme”; dhe (v) kontrolli i ligjshmërisë së vendimeve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës bëhet përmes inicimit të konflikt administrativ në gjykatën kompetente, rrjedhimisht, ato i nënshtrohen kontrollit të pushtetit gjyqësor dhe jo atij legjislativ.
Përkitazi me pavarësinë e anëtarëve Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, Gjykata theksoi se (i) pavarësia e ushtrimit të funksionit kushtetues të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për “sigurimin e respektimit të rregullave dhe parimeve që rregullojnë shërbimin civil” nënkupton edhe pavarësinë e anëtarëve të tij në vendimmarrje; dhe (ii) për të njëjtin qëllim, vetë Kuvendi përmes Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, ka përcaktuar edhe imunitetin e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës nga ndjekja penale, paditë civile ose shkarkimi “lidhur me vendimmarrjen në kuadër të funksioneve kushtetuese dhe ligjore të Këshillit”, përkatësisht, për pikëpamjet e shprehura, mënyrën e votimit apo vendimet e marra gjatë punës së tyre si anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës.
Përkitazi me kompetencën e Kuvendit për të mbikëqyrur Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, Gjykata theksoi se (i) kompetenca e Kuvendit për të mbikëqyrë punën e Qeverisë dhe të institucioneve të tjera publike, të cilat, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve, i raportojnë Kuvendit është e përcaktuar në paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës; (ii) kjo kompetencë ushtrohet në përputhje me garancitë kushtetuese për pavarësinë e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të përcaktuar me paragrafin 2 të nenit 101 të Kushtetutës; dhe (iii) kompetenca e mbikëqyrjes së Kuvendit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës është më tej e detajuar përmes Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës dhe përfshinë, ndër të tjera, edhe autorizimin e Kuvendit për ndërprerjen e mandatit të anëtarëve të Këshillit në rrethanat e përcaktuara me nenin 15 (Ndërprerja e mandatit të anëtarit të Këshillit) të këtij ligji. Megjithatë, Gjykata tutje theksoi se, ushtrimi i autorizimit ligjor për ndërprerje të mandatit, përjashton ndërprerjen e të njëjtit për shkak të “vendimmarrjes” së anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, sepse rrethana të tilla, (i) do të cenonin pavarësinë institucionale të Këshillit dhe anëtarëve të tij, siç është përcaktuar me paragrafin 2 të nenit 101 të Kushtetutës; dhe (ii) do të ishin në kundërshtim edhe me vetë përcaktimin e Kuvendit që anëtarët e Këshillit të gëzojnë imunitet nga shkarkimi për vendimmarrjen, siç është përcaktuar përmes dispozitave përkatëse të Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të kontestuar të Kuvendit, Gjykata rikujtoi se i njëjti është referuar në pikat 1.3 dhe 1.1 të paragrafit 1 të nenit 15 të Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. E para, përkatësisht pika 1.3 e nenit 15 e këtij ligji, përcakton mundësinë e ndërprerjes së mandatit “në rastet e kryerjes së detyrave në papajtueshmëri me funksionin e tij”. Megjithatë, Vendimi i kontestuar i Kuvendit, nuk përmban asnjë fakt e arsyetim se si pesë (5) anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës kolektivisht, mund të kenë ushtruar detyrat e anëtarit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës në papajtueshmëri me funksionin e tyre. Ndërsa, e dyta, përkatësisht pika 1.1 e nenit 15 të ligjit të lartcekur, përcakton mundësinë e ndërprerjes së mandatit “për shkelje të dispozitave të këtij ligji”.
Në kontekst të kësaj të fundit, Vendimi i kontestuar i Kuvendit, thekson se “është vlerësuar se Këshilli ka vepruar në kundërshtim me nenin 12 të Ligjit për KPMSHCK, për arsye se nuk ka zbatuar ligjet e aplikueshme gjatë vendimmarrjes.” Gjykata, ndër të tjera, theksoi se Vendimi i kontestuar i Kuvendit, nuk i referohet asnjë fakti e arsyetimi në mbështetje të shkeljes së pretenduar të kësaj dispozite nga pesë (5) anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës kolektivisht, përpos vënies theks në “vendimmarrjen” e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës. Kjo për më tepër, rezulton edhe nga fakti që Vendimit të kontestuar, i kishin paraprirë një sërë veprimesh dhe pyetjesh të Komisionit përkatës të Kuvendit drejtuar Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës përkitazi me vendimmarrjen në raste konkrete.
Në këtë kontekst, Gjykata theksoi se (i) Kuvendi ka kompetencë kushtetuese të mbikëqyrë Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, duke përfshirë mundësinë e ndërprerjes së mandatit të anëtarëve të tij në rastet e përcaktuara në Ligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës; por se (ii) anëtarët e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës nuk mund të shkarkohen vetëm për shkak të “vendimmarrjes” së tyre sepse përkitazi me të njëjtën kanë pavarësi kushtetuese dhe ligjore, si dhe imunitet nga shkarkimi, siç është përcaktuar në vetë ligjin që ka miratuar Kuvendi. Gjykata gjithashtu theksoi se Kuvendi duke shkarkuar (5) pesë anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës në mënyrë kolektive dhe pa shtjellimin e asnjë fakti e të bazuar në ligj, por vetëm me arsyetimin se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës “nuk ka zbatuar ligjet e aplikueshme gjatë vendimmarrjes”, përkatësisht për shkak të vendimmarrjes së tyre në raste konkrete, për të cilën anëtarët e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës gëzojnë pavarësi kushtetuese dhe imunitet nga shkarkimi dhe e cila vendimmarrje, për më tepër, i nënshtrohet kontrollit të pushtetit gjyqësor dhe jo atij legjislativ, ka tejkaluar kufijtë e kompetencës së mbikëqyrjes së punës së institucioneve publike, të përcaktuar me paragrafin 9 të nenit 65 të Kushtetutës, në cenim të garancive përkitazi me pavarësinë e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës në ushtrimin e funksionit të tij, të përcaktuar me paragrafin 2 të nenit 101 të Kushtetutës.
Gjykata nënvizoi që, në ushtrimin e kompetencës kushtetuese për mbikëqyrjen e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, Kuvendi ka gjithashtu detyrimin që të ruajë pavarësinë e Këshillit, të cilën vetë ia ka atribuuar përmes miratimit të Kushtetutës dhe Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Për pasojë dhe përfundimisht, Gjykata konstatoi se Vendimi [nr. 08/V-029] i Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me shkarkimin e pesë (5) anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Vërejtje: Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretariati i Gjykatës vetëm për çështje informative.
Teksti i plotë i vendimit do t’u dorëzohet palëve të përfshira në rast, do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare, pasi të jenë përfunduar procedurat përkatëse të përcaktuara në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës. Përmbledhja e publikuar përmes këtij Njoftimi mund t’i nënshtrohet korrigjimeve gjuhësore dhe teknike në draftin final të vendimit. Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në: https://gjk-ks.org/vendimet/
Të tjera
-
Bedri Hamza takon profesorin e tij: Ato që i thotë, ka me i realizu, se ia njoh karakterin dhe mentalitetin
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, në rrjetet e tij...
-
Kush është fajtori kryesor për moskalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare?
Ani pse pas një takimi të Albin Kurtit më kreun e PDK-së, u votuan disa marrë...
-
“Ka qenë i veçantë, një djalë i sjellshëm, i urtë, me të gjitha notat 5-she, ato që i premton edhe i realizon”, profesor Xhaferi vlerëson lart nxënësin e tij Bedri Hamzën
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij,...
-
Bejta falënderon stafin e Komunës së Prishtinës për punën e palodhshme: Viti tjetër, edhe me më shumë suksese
Kandidatja për deputete nga LDK, Fiknete Bejta, ka publikuar disa fotografi n...
-
Pasaporta e Kosovës në mesin e 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se viti 2024 ka qenë viti...
-
Kërkohet ndihmë për 16-vjeçarin nga Istogu që vuan nga Leukemia, ka nevojë për shërim jashtë vendit!
Familja Dani nga Kërrnina e Istogut kërkon ndihmë për shërimin e djalit ! ...
-
Incidenti në Novi Sad, mijëra njerëz protestọjnë kundër regjimit të Vuçiqit
Studentët, të cilët prej javësh i kanë bllokuar fakultetet në Universitetin e...
-
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar...
-
Java nis me reshje bore – Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Moti nga e hëna parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme b...
-
NATO trajnon trupat ushtarake ukrainase në Lituani dhe Poloni
Ushtarët ukrainas janë trajnuar nga trupat e NATO-s që kur Rusia sulmoi Ukrai...
-
Mediat ndërkombëtare jehonë lajmit për mbylljen e TikTok në Shqipëri
Lajmi për mbylljen e TikTok në Shqipëri ka gjetur pasqyrim të gjerë në mediat...
-
Ndalohet një autobus në Merdare, në një valixhe kapet nga Dogana një armë me 50 fishekë
Dogana e Kosovës ka njoftuar se në pikën kufitare në Merdare gjatë kontrollit...