Lajme

Gjykata kroate merr vendim për shqiptaren që aksidentoi për vdẹkje vëlla e motër në Kroaci

Autori: Gazeta inFokus 14:52 | 01 August 2024

Zëdhënësi i Gjykatës Komunale të Dubrovnikut, Vlaho Boshkoviq, tha se Gjykata e Qarkut të Dubrovnikut ka ndryshuar pjesërisht vendimin e gjykatës së shkallës së parë.

“Është ndryshuar vendimi, është revokuar lirimi dhe masat e sigurisë, ndërsa të akuzuarit me vendim i konfirmohet paraburgimi. Vendimi tashmë është i formës së prerë dhe gjykata do ta shqyrtojë atë çdo dy muaj, pra kur të zgjatet paraburgimi. Tani hapi tjetër në procedurë është konfirmimi i aktakuzës, i cili është caktuar për disa ditë, ku ajo do të gjykohet me procedurë urgjente”, tha Boskoviq.

Vëllai dhe motra Stjepan 21 vjeç dhe Katarina Gjerek 19 vjeçe humbën jetën në një aksident trafiku më 9 prill 2024 në Ratac, mes Dubrovnikut dhe Sllanos, të shkaktuar nga shtetasja shqiptare Klevisa Ymeri 29 vjeçe. Dyshohet se shtetasja shqiptare që drejtonte një BMW me targa të Sllovakisë, bëri një parakalim të gabuar, derisa po e drejtonte mjetin me shpejtësi prej 170 km/h, e që u kushtoi me jetë dy të rinjëve kroatë, vëlla e motër. Ymeri ishte arrestuar menjëherë pas daljes nga spitali i Dubrovnikut dhe i ishte caktuar masa e paraburgimit prej një muaji, e cila ndërkohë është vazhduar, raporton Index.hr.

-Advertisement-

Më 9 maj, Prokuroria Komunale e Shtetit në Dubrovnik ngriti aktakuzë kundër Ymerit për kryerjen e veprës penale kundër sigurisë në komunikacion, përkatësisht shkaktimin e një aksidenti trafiku. Në aktakuzë është propozuar vazhdimi i paraburgimit për shkak të rrezikut të arratisjes dhe rrezikut të përsëritjes së veprës penale.

Më 10 korrik, këshilli i Gjykatës Komunale në Dubrovnik ia zgjati paraburgimin Klevisës për shkak të rrezikut të ikjes dhe anuloi një vendim paraprak që ajo të lirohet me kusht me anë të garancisë prej 70 mijë euro.

Për shkak të mundësisë së lirimit me kusht, më 20 korrik u mbajt një protestë para gjykatës në Dubrovnik. Rreth njëqind anëtarë të familjes së gjerë, miq dhe bashkëqytetarë nga lugina e Neretvës dhe Dubrovnikut u mblodhën, duke mbajtur pankarta dhe bluza të shumta me imazhin e viktimave Stjepan dhe Katarina. Familja ka nisur edhe një peticion online duke kërkuar “Drejtësi për Kata dhe Stipe”.

Gjykata e Qarkut në Dubrovnik është dashur të vendosë për vlefshmërinë e vendimit të Gjykatës Komunale më 23 korrik, por për shkak të shkeljeve të theksuara të procedurës penale, lëndën e ka kthyer në rigjykim.

Më 24 korrik, Gjykata Komunale në Dubrovnik ka marrë sërish vendim duke hapur mundësinë e lirimit me kusht dhe masa paraprake, ndërsa të martën, para vendimit të Gjykatës së Qarkut, është mbajtur protesta e dytë nga familjarët dhe miqtë e viktimave.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Çka do të thotë të gatuash shqip?
-Advertisement-

Të tjera