Lajme

Gjykata e dënon për herë të dytë me 250 euro avokatin e Shaban Gogajt

Autori: Gazeta inFokus 11:51 | 31 January 2022

Mbrojtësi i caktuar sipas detyrës zyrtare i të akuzuarit Shaban Gojgaj, avokati Gëzim Kollçaku, nuk ishte i pranishëm në seancë, për këtë Gjykata Themelore në Pejë për të dytën herë i shqiptoi dënimin me 250 euro gjobë për shkak të zvarritjes së gjykimit.

Vendimin e mori në seancën e së hënës, kryetarja e trupit gjykues Violeta Husaj-Rugova, duke potencuar se arsyetimet e mbrojtjes nuk kanë arsye ligjore për tërheqje, për çka po shkaktojnë vetëm zvarritje të procedurës gjyqësore, raporton ‘’Betimi për Drejtësi’’.

Avokati Gëzim Kollçaku i caktuar sipas detyrës zyrtare si mbrojtës i të akuzuarit Shaban Gogaj, me parashtresë të 20 janarit 2022, ka kërkuar që t’i aprovohet tërheqja si mbrojtës në këtë çështje që i njëjti nuk ishte paraqitur në seancë.

-Advertisement-

Këtë, avokati Kollçaku e kërkoi me  arsyetimin se me vendimin e Këshillit të Odës së Avokatëve, që Oda e Avokatëve nuk do të caktojë avokat sipas detyrës zyrtare dhe për këtë çështje këshilli ka lëshuar një reagim ku ka potencuar se nuk do të angazhojë avokat në këtë çështje penale.

Gjykatësja Husaj-Rugova tha se familjarët e të pandehurit nuk dëshiruan që të angazhojnë avokat tjetër apo të ketë avokat tjetër të caktuar sipas detyrës zyrtare në rast se ai ka një avokat sipas dëshirës së të pandehurit.

Andaj, trupi gjykues vlerësoi që pretendimet e mbrojtjes nuk janë arsye ligjore dhe nuk mund të kërkojë tërheqje nga mbrojtja, bazuar në vendimet e OAK-së, sepse e njëjta është e shfuqizuar sipas vendimit të qeverisë.

Gjithashtu, gjyqtarja Husaj-Rugova tha se edhe arsyeja e familjarëve të akuzuarit që nuk duan të kenë avokat sipas detyrës zyrtare nuk është arsye ligjore sepse nuk është dëshirë e familjarëve, ai ka obligim të paraqitet në seancë që të krijohen kushtet për mbajtjen e seancës.

Më pas gjykata mori vendim që ndaj avokatit Gëzim Kollçaku, të shqiptojë gjobë prej 250 euro për shkak të zvarritjes së procedurës. Me këtë aktvendim e njëjta tha që do të njoftohet edhe Oda e Avokatëve të Kosovës.

Më pas seanca e radhës u caktua për 16 shkurt 2022.

Edhe më 30 dhjetor 2021, kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova ka shqiptuar 250 euro gjobë ndaj avokatit Kollçaku, i cili kishte munguar në seancën e 29 dhjetorit, duke refuzuar ftesën e gjykatës.

Në seancën e 25 nëntorit, i akuzuari Gogaj kishte refuzuar të caktojë mbrojtës tjetër përveç avokatit Besnik Berisha.

Gjithashtu, kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), Behar Ejupi, në një konferencë për media të mbajtur më 10 dhjetor, lidhur me përjashtimin e avokatit Besnik Berisha në rastin e të akuzuarit Shaban Gogaj, ka thënë se këtij të fundit po i mohohet e drejta për zgjedhjen e avokatit. po ashtu, Ejupi në atë konferencë ka thënë se çdo avokat që nuk respekton vendimet e tyre bën shkelje disiplinore.

Më 25 dhjetor, Ministria e Drejtësisë (MD) ka miratuar propozimin për ndalimin e ekzekutimit të vendimit të OAK-së për moscaktim të avokatit në rastin Gogaj.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 12 qershor 2019, Shaban Gogaj akuzohet se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:04, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, përkatësisht në kompaninë “Gogaj AG”, me dashje e privon nga jeta Agonis Tetaj dhe me këtë ka vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve Agzon Hadërgjonaj dhe Faruk Zukaj.

Sipas aktakuzës, pasi i pandehuri merr një telefonatë nga e cila bisedë shihet se është dukshëm i acaruar dhe posa e përfundon këtë bisedë, i pandehuri nga karrigia e anës së majtë të banakut kalon në një tjetër që gjendej në mes të banakut, lakohet dhe nxjerr nga sirtari i fundit në anën e djathtë të tij revolen e tipi “Beretta”, vendos karikatorin dhe e repeton të njëjtën, e merr në shenjë tani të ndjerin Tetaj.

Në aktakuzë thuhet se tani ndjeri në ato momente ishte në mes të dy dëmtuarve tjerë dhe i pandehuri qëllon një herë në drejtim të tij dhe e kthen armën ku e kishte marr, më pas menjëherë çohet nga karrigia, me ç’rast për pasojë i dëmtuari merr plagë në kokë, ku si rrjedhojë pëson vdekje të menjëhershme.

Në këtë rast, për armëmbajtje pa leje akuzohet edhe Isuf Cacaj, ku sipas aktakuzës, më 23 shtator 2019, rreth orës 14:50 në Deçan, në shitoren “Gogaj AG”, ka mbajt në pronësi armë dhe atë pistoletën e tipit “Bloë TR 92”, e kalibrit 9mm, e gjetur nga policia në sirtarët nën banakun e arkës.

Kurse, sipas aktakuzës që ishte ricilësuar më 16 mars 2021, nga prokurori Agon Uka, Shaban Gogaj akuzohej se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:05:31, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, në kompaninë “Gogaj Ag”, nga pakujdesia i pandehuri Gogaj, e privon të ndjerin nga jeta, Agonis Tetaj.

Sipas ricilësimit, gjersa i pandehuri ishte duke komunikuar në telefon me Natyra Melaj, vajzën e hallës rreth shkuarjes së tij në bjeshkë, duke e porosit që të merrte gjësende ushqimore, posa e përfundon këtë bisedë, e lëshon telefonin në tavolinë, nga karrika në skajin e majtë të banakut ku ishte ulur, kalon në karriken tjetër që gjendet në mes të banakut, lakohet duke shikuar në anën e djathtë kah dritaret në drejtim të rrugës dhe nxjerr nga sirtari i tretë i anës së djathtë, revolen e llojit “Beretta”, Model 92 FS, e vendos karikatorin në armë, e reperton të njëjtën dhe shkrep një herë në drejtim të, Asgan Hadërgjonaj, Agonis Tetaj e Faruk Zukaj, të cilët kanë qenë në distancë rreth 70 cm në mes vete, ndërsa në raport me të pandehurin distance ka qenë 4-5 metra,

Nga kjo shkrepje, sipas prokurorit Uka, goditet tani i ndjeri Agonis Tetaj në mollëzën e djathtë të fytyrës, e pas këtij veprimi i akuzuari kthen armën ku e ka marrë duke e kap kokën me dy duart, duke menduar se ka shkrep me armën me gaz, për të cilën paraprakisht e ka njoftuar xhaxhi i tij, Isuf Cacaj, se arma me gaz ndodhet aty.

Sipas aktakuzës që ishte ricilësuar nga prokurori Uka, i akuzuari këtë veprim nuk e ka dëshiruar as pasojën e shkaktuar, përkatësisht pasoja shkaktohet kundër vullnetit të tij, si rezultat i moskujdesit apo indiferencës apo jo seriozitetit të tij, ashtu që përkundër përpjekjeve për ofrimin e ndihmës, tani të ndjerit Agonis, i njëjti nuk ka mundur t’i mbijetojë plagës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkëlqim Devolli dhe Adriatik Kelmendi e presin ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier
-Advertisement-

Të tjera