Lajme

Gjosha: Mos prezenca e opozitës në Këshillin e Stabilizimit me BE, hap mbrapa

Autori: Gazeta inFokus 08:40 | 16 November 2017

Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ish-ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, e ftuar në emisionin “Byro” në televizionin “ABCnews” ka folur rreth takimit të Këshillit të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE i zhvilluar në Bruksel.

Gjosha e ka konsideruar një hap mbrapa mos prezencën e opozitës në këtë këshill, pasi sipas saj gjithnjë opozita e ka pasur një përfaqësim aty.

“Mbetet 2018 tashmë për të parë nëse Shqipëria do të ketë një shans për të çelur negociatat apo jo. Ajo që mua më ra në sy në fakt është diçka tjetër. Këshilli i Stabilizim- Asociimit ka qenë gjithmonë me një format shumë të gjerë dhe me një përfaqësi të opozitës në të. Sot unë pashë që përfaqësia i takonte vetëm ministrit të Jashtëm, në krah dy zëvendësministret, por nuk pashë asnjë përfaqësues të opozitës dhe unë do ta quaja një hap mbrapa. E quaj një hap mbrapa sepse procesi i integrimit nuk është vetëm i qeverisë. Është i përbashkët dhe një rol të jashtëzakonshëm dhe shumë të rëndësishëm e luan edhe opozita”, tha Gjosha.

-Advertisement-

Sipas deputetes së Lëvizjes Socialiste për Integrim BE ka kërkuar sa më parë rezultatet e reformës në drejtësi dhe ky është një kusht për hapjen e negociatave.

Gjosha u shpreh se ajo që lihet gjithmonë jashtë vëmendjes kur bëhet fjala për procesin e integrimit evropian është ekonomia.

“Shqipëria është një vend që kërkon të negociojë me Bashkimin Evropian, kërkon të bëhet vend anëtar. Kjo do të thotë që ne jemi gjithnjë në test dhe duhet të tregojmë lidership në të gjithë procesin. Gjatë kohës që është diskutuar ardhja e OMN-së në Shqipëri. vendet anëtare të BE-së kanë qenë shumë skeptike. sepse donin të shikonin një Shqipëri me institucione funksionale. Duhet të kemi ne aftësi për të luftuar drogën, korrupsionin, krimin. Duhet të kemi një sistem funksional drejtësie dhe këtë duhet të bëjmë vetë.

Por kjo është vetëm pjesa politike e procesit të integrimit. Ajo çka ne harrojmë në këtë proces është kriteri ekonomik. Dhe ky është kriteri që është shumë i prekshëm edhe për qytetarët tanë. Unë do të doja të shikoja në buxhetin 2018 lehtësira fiskale për biznesin, që nuk ka. Nëse Shqipëria nuk arrin të ketë disa standarde në ekonomi do ta ketë shumë të vështirë të diskutojë negociatat. Unë do ta doja të shikoja në buxhetin e 2018-s projektet e mëdha të Procesit të Berlinit, dhe ato mungojnë”, tha ndër të tjera Gjosha.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Thyhet REKORDI I ZBRITJEVE!
-Advertisement-

Të tjera