Ekonomi

Gërxhaliu: Kriza Rusi-Ukrainë rrezikon kapitalin financiarë të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës

Autori: Samire Jaha 15:12 | 23 February 2022

Situata e krijuar mes Rusisë dhe Ukrainës ka shqetësuar gjithë botën, kjo pasi një luftë e mundshme mes dy shteteve ka rrezik që të përhapet gjithandej.

Por kjo krizë po prekë tashmë edhe Kosovën, të paktën në fushën e ekonomisë e financave.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, tha se rreziku më i madh janë tregjet financiare.

-Advertisement-

Gërxhaliu për Gazetën Infokus, tha se për fat të keq në Kosovë po anashkalohet kjo krizë dhe nuk po trajtohet si temë serioze.

“Definitivisht është rrezik i madh që po i kanoset Kosovës. Nuk është ndalja e importit të grurit, nuk është ngritja e çmimit të naftës, nuk është ngritja e çmimit të metaleve, por problemi më i madh është se sa do ti ruajmë parat e tona të investuara nëpër tregjet ndërkombëtare, që ato të mos jenë të goditura nga kjo tronditje e cila vërtetë është një rrezik që për fat të keq në Kosovë po anashkalohet dhe nuk po trajtohet si temë serioze”, tha Gërxhaliu për Gazetën Infokus.

E në lidhje me këtë Gërxhaliu, tha se duhet të tregohet maturi nga ana e bartësve të institucioneve kosovare, të mos vendoset në bazë të emocioneve por të shikohet me një arsyeshmëri ekonomike.

“Në anën tjetër duhet të kuptohet që kemi banka komerciale të cilat kanë depozita, para të investuara nëpër tregje të ndryshme, dhe ky është rreziku permanent që këto mjete dhe këto fonde të përjetojnë një devalvim dhe ta hupin vlerën aktuale që besojë kishte me qenë edhe rreziku më i madh. Prandaj është koha që duhet të tregohet maturi dhe një arsyeshmi ekonomike”, deklaroi Gërxhaliu për Gazetën Infokus.

Sipas tij, pjesa më shqetësuese është fakti që në Kosovë efektet e kësaj krize po varen dhe po maten vetëm ne dimensionin e metaleve apo produkteve tjera.

“Në rend të parë duhet të kuptohet e vërteta e hidhur që Kosova ka hyrë në krizë. Në rend të dytë është e pamundur që Kosova të jetë e anashkaluar që të goditet nga ky konflikt në mes të Rusisë dhe Ukrainës. Ajo çka është më shqetësuese është fakti që në Kosovë, efektet e kësaj krize apo e kësaj lufte maten vetëm në dimensionin e metaleve, por është një rrezik permanent tjetër duke pasur parasysh që Kosova ka shumë mjete financiare do të thotë në degëza të ndryshme ndërkombëtare dhe këto degëza që nga dje janë të lëkundura. Dhe kam drojën që do të pësojnë një goditje të pakontrolluar, e cila do të ketë efekte negative”, shtoi ai për Gazetën Infokus.

E nga këto tregje pritet të atakohet Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës.

Më 11 janar të këtij viti fondi ka njoftuar se ka në menaxhim 2.35 miliardë euro ku 77% e mjeteve nën menaxhim ishin të investuara në tregjet financiare ndërkombëtare, kurse pjesa tjetër në Kosovë – sipas kritereve të përcaktuara me ligj.

E sipas ekonomistëve këto tregje tashmë kanë filluar të preken si pasojë e krizës.

Edhe drejtuesit e TRUST-it kanë paraparë luhatje të tregjeve financiare por më tepër për shkak të pandemisë, vonesave në zinxhirin furnizues, inflacionit dhe faktorët e tjerë.

Ndryshe një ditë më parë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka dalë me reagim pasi Rusia nisi t’i fusë forcat e saj në Donetsk dhe Luhansk, dy rajonet në Ukrainën Lindore, të cilat paraprakisht presidenti rus Vladimir Putin i njohu si të pavarura.

MPJ thotë se Kosova qëndron me Ukrainën, derisa ka shtuar se bota duhet t’i përgjigjet Putinit me vendosmëri./Gazeta Infokus/

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!
-Advertisement-

Të tjera