Lajme

Gërvalla: Perëndimi duhet të ndryshojë strategjinë, Lajçak shpesh mbron qëndrimet e Vuçiqit

Autori: Gazeta inFokus 20:55 | 21 June 2023

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, kërkon nga perëndimi që të ndryshojë strategjinë dhe të mbajë qëndrim më të ashpër ndaj Serbisë.


Gërvalla, në një intervistë për të përditshmen vjeneze “Standard”, ka vlerësuar se është gabim i rëndë strategjik që BE-ja e kërcënon Kosovën me masa nëse nuk i tërheq pjesëtarët e policisë speciale nga veriu.

“Kërcënimet kundër demokracisë aleate që mbron ligjin dhe përfaqësuesve të zgjedhur kundër kriminelëve të dhunshëm që përdorin granata dore kundër ushtarëve të KFOR-it janë një sinjal fatal. Kjo është një thirrje për përshkallëzim – dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po përshkallëzon më tej: forcat speciale serbe pushtuan vendin tonë dhe rrëmbyen tre policë. Agresioni i hapur është alarmues: kështu i nisi luftërat ish-presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviq në vitin 1991. Prej kohësh kemi paralajmëruar se do të ketë vdekje nëse Vuçiq nuk ndalet. Ky shembull do të lërë gjurmë përtej rajonit, sepse vë në pikëpyetje parimet dhe besueshmërinë e Perëndimit në nivel global dhe këtë e dëgjojmë nga pjesë të tjera të botës”, shpjegoi ajo.

-Advertisement-

E pyetur se në çfarë kushtesh do të tërhiqej policia speciale, Gërvalla u përgjigj se, si në Vjenë, Graz apo Linz, policia tërhiqet kur ekstremistët e dhunshëm nuk kërcënojnë më shtetin ligjor dhe kryebashkiakun.

“Asnjë shtet ligjor nuk duhet të tolerojë dhunën dhe zbrazëtitë ligjore”, nënvizoi ajo.

Në përgjigje të deklaratës se SHBA-ja dhe BE-ja kërkojnë që kryetarët e komunave në veri të punojnë nga lokacione alternative, ajo tha se “Kosova nuk mund të bëjë vetëvrasje politike as për miqtë e saj më të ngushtë”.

E pyetur për rolin e Kremlinit në situatën aktuale, Gërvalla thotë se Rusia po luan me Perëndimin.

“Ne kemi paralajmëruar për një kohë të gjatë, por shumë partnerë perëndimorë, përfshirë Austrinë, nuk duan të dëgjojnë apo të shohin. Të flasin, të japin këshilla, kjo është ajo që duan. Fatkeqësisht, gjërat po shkojnë mirë për Kremlinin. “shtoi ajo.
E pyetur se në çfarë kushtesh mund të mbahen zgjedhjet e reja në katër komuna të veriut, Gërvalla ka treguar se për këtë presidenti vendos në bazë të ligjit.

Përshkallëzimi është rezultat i një strategjie të gabuar, tha Gërvalla e pyetur se cilat janë efektet e ngjarjeve të fundit në dialogun me Serbinë.

“I dërguari i BE-së për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Miroslav Lajçak, shpesh mbron qëndrimin e Vuçiqit. Jo vetëm që është fatal për ndërmjetësim, por gjithashtu inkurajon Vuçiqin të përshkallëzojë situatën. Situata është jashtëzakonisht e rrezikshme, madje edhe trupat e Wagnerit janë në skenë. nevojitet urgjentisht një strategji e re, duke përfshirë personel të ri, nëse duam të ndalet përshkallëzimi”, theksoi ajo.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nis bashkëpunimi serioz dhe strategjik midis Comodita dhe JYSK International
-Advertisement-

Të tjera