Lajme

Gashi: Dje në Kuvend pati shkelje të rëndë kushtetuese, u votua për një çështje që s’ishte në rendin e ditës

Autori: Gazeta inFokus 15:31 | 12 November 2024

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, tha se është shkelur Kushtetuta dje në Kuvendin e Kosovës.

Ai tha se në “kundërshtim me rregullat e përcaktuara dhe me Kushtetutën e Kosovës, Kuvendi ka votuar për një çështje që nuk ishte përfshirë në rendin e ditës”.

“Në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, është evidentuar një shkelje e rëndë kushtetuese dhe procedurale”, tha Gashi, duke shtuar se rregullorja e Kuvendit e bën të qartë se çdo ndryshim në rendin e ditës duhet të ndjekë një procedurë të përcaktuar qartë në nenin 53 të rregullores.

-Advertisement-

“1. Propozimin dhe votimin për heqjen ose plotësimin e çështjeve në rendin e ditës nga kryetarët e grupeve parlamentare ose të paktën gjashtë deputetë; 2. Mbështetjen nga 2/3 e deputetëve të pranishëm për shtimin e një çështjeje të re, apo procedura të tjera të veçanta për çështje urgjente”.

Gashi tha se në këtë rast, Kuvendi ishte thirrur për të diskutuar vetëm një çështje të rendit të ditës: shqyrtimin e projektligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2025.

“Ndryshimi i rendit të ditës nuk është realizuar sipas rregullores dhe nuk ka pasur votimin e kërkuar nga deputetët për të miratuar këtë ndryshim. Ky veprim është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimin e shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit, të garantuar nga Kushtetuta e Kosovës. Çdo veprim i Kuvendit që nuk respekton rregulloren dhe procedurat zyrtare shkel parimet e transparencës dhe sigurisë juridike për deputetët dhe qytetarët”.

Gashi tha se ky precedent rrezikon integritetin e procesit vendimmarrës dhe dobëson besimin e publikut në institucionet demokratike të vendit.

“Ndjekja e rreptë e ligjit dhe respektimi i procedurave janë themelore për të ruajtur një sistem të drejtë dhe funksional në Republikën e Kosovës”.

Gashi tha se do ta ndjekin këtë çështje.

“Ne mbetemi të përkushtuar për të ndjekur këtë çështje dhe për të kërkuar që çdo vendim në Kuvendin e Kosovës të respektojë Kushtetutën dhe rregulloren në fuqi”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fito 50 € për dyshekun e vjetër dhe merr dyshkeun e ri Cloud për vetëm 549 €
-Advertisement-

Të tjera