Lajme

Gashani e vlerëson primitivizëm gjuajtjen me armë në ahengje

Autori: Gazeta inFokus 19:06 | 30 June 2023

Ministria e Punëve të Brendshme ka filluar fushatën “Festo me zemër, jo me armë”, e ku janë të përfshirë të gjithë akterët që marrin pjesë në grumbullime të shumta të qytetarëve të Kosovës për qëllime festive.

Fushata udhëhiqet nga Koordinatori Nacional për Armë të Vogla dhe të Lehta, njëherësh zëvendësministër i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani.

Ky i fundit në magazinën “Info Plus” në RTK, ka theksuar se kjo fushatë tenton të jetë më gjithëpërfshirëse. “Shpresojmë që sivjet kjo fushatë të jetë më kreative, jo vetëm standarde. Sivjet po e organizojmë pak më herët edhe për arsye të sezonës verore, kur janë pushimet, kur familjet janë në ahengje dhe kur vjen mërgata. Në këtë periudhë kemi gëzime e dasma, por dikush po e keqpërdor këtë mundësi dhe po kemi edhe të shtëna festive”, ka theksuar Gashani.

-Advertisement-

Ai ka thënë se kjo fushatë nuk kufizohet vetëm me luftimin e këtij keqpërdorimi, por është më e gjerë.

“Kjo fushatë do të fukusohet në këtë aspekt sidomos në dy muajt e ardhshëm, mirëpo nuk do të përfundojë me kaq sepse aktivitetet do të shtrihen edhe gjatë vjeshtës, kur kemi edhe hedhje të fishekzjarreve për shkak të festave të fundvitit”, ka shtuar zv/ministri i Punëve të Brendshme.

Ai ka bërë të ditur se tashmë kanë filluar me disa aktivitete, në mënyrë që t’i zënë nxënësit në bankat shkollore, pasi sipas tij keqpërdorimi i armëve dhe jo vetëm i atyre të zjarrit por edhe armëve të ftohta shpesh ka ndodhur përreth shkollave.

“Kemi punuar me Këshillat Komunal të Sigurisë në Bashkësi, por edhe me Bashkësitë Fetare dhe me të gjithë akterët institucional sepse jemi të bindur se vetëm duke punuar së bashku mund ta shërojmë këtë plagë dhe ta heqim këtë shenjë primitivizmi. Nganjëherë kjo tingëllon si e ashpër, por jemi të bindur se festimi me armë zjarri është e tillë”, ka nënvizuar Gashani, duke shtuar se nuk ka asnjë arsyetim që në gëzimet tona familjare të përdoret arma.

Ai ka thënë se Ministria e Brendshme e ka një plan shumë kreativ, por ka thënë se për ta implementuar duhet edhe ndihma e qytetarëve, prandaj fushata e filluar sipas tij do të ndihmojë në këtë aspekt.

Ai ka bërë të ditur se çdo e shtënë me armë të zjarrit, qoftë edhe në ajër, si shenjë tradite e shqiptarit nëpër dasma, është vepër penale dhe do të ndëshkohet sipas ligjit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Studio MASTER në UNI, Merr Diplomë dhe lejeqëndrim t’përhershëm në GJERMANI
-Advertisement-

Të tjera