Lajme

Ganimete Musliu: S’do ta votojmë projekt-buxhetin, u favorizuan sërish komunat që udhëhiqen nga VV

Autori: Gazeta inFokus 19:44 | 01 November 2023

Partia Demokratike e Kosovës nuk do ta votojë projekt-buxhetin për vitin 2024, që u aprovua dje nga Qeveria e Kosovës. Nga kjo parti thonë se ky buxhet është tërësisht shpenzues dhe se nuk ka ndonjë efekt në ekonomi, derisa drejtojnë akuza ndaj ekzekutivit se ka favorizuar komunat që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje.

Qeveria e Kosovës ka miratuar dje projektbuxhetin për vitin 2024. Vlera e buxhetit do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro. Pas miratimit nga qeveria, projekt-buxheti do t’i shkojë për votim Kuvendit të Kosovës.

Nga Partia Demokratike e Kosovës kanë thënë se nuk do ta votojnë.

-Advertisement-

Deputetja e PDK’së, Ganimete Musliu, ka deklaruar se ky buxhet nuk i kontribuon zhvillimit ekonomik dhe në rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

“Buxhetin për vitin 2023 e kemi marrë sot, do ta analizojmë në detale dhe do të dalim me qëndrimin tonë. Nga ajo që kemi pas mundësi me analizu për këtë kohë të shkurtër, ky buxhet nuk është buxhet që i kontribuon zhvillimit ekonomik, nuk ndikon në rritjen e mirëqenies së qytetarëve, prandaj ne nuk do ta votojmë”, ka deklaruar Musliu.

Musliu vlerëson se ky buxhet nuk ka ndonjë efekt në ekonomi. Thotë se Qeveria Kurti “po vazhdon t’i mashtrojë qytetarët”.

“Ky buxhet është tërësisht shpenzues pa ndonjë efekt në ekonomi. 72% e buxhetit është planifikuar të shpenzohet për shpenzime rrjedhëse, që nuk kanë ndonjë ndikim në zhvillimin ekonomik. 32% e buxhetit është planifikuar të shpenzohet për subvencione dhe transfere, ku qeveria Kurti vazhdon me i mashtru qytetarët me sadakavitra në vend se me i rritë pagat dhe qytetarët me jetu dinjitetshëm me pagën e tyre. Për paga e mëditje janë parparë 24% nga shpenzimet e tërsishme, rritja e koeficientit nga 105 në 110 nuk ka kurrfarë efekti në pagën e të punësuarve në këtë rrethana të rritjes enorme të inflacionit. 16% shpenzimeve të buxhetit do të shkojnë për luksin e qeveritarëve për mallra dhe shërbime. Vetëm 25.9% janë paraparë mjete ku përfitojnë qytetarët, për investime kapitale përfshi edhe klauzolën e investimeve”, thotë Musliu për Express.

Lidhur me mjetet e ndara për investime kapitale, Musliu thotë se vetëm 49 milionë janë për projekte të tjera. Ajo e akuzon Kurtin edhe për manipulime me shifra.

“Nuk ka ndonjë risi krahasuar me vitet e kaluara. Nga 858 milion euro të planifikuara në vitin 2024 për investime kapitale, vetëm 49 milionë janë projekte të reja. Të gjitha projektet tjera janë projekte të bartura nga viti 2023 dhe vitet tjera. Çka është më e keqja ka manipulu me shifra në buxhet duke paraqitur % të rritjes së buxhetit nëpër sektor që nuk qëndrojnë”, ka deklaruar Musliu.

E për mjetet e ndara për komunat, Musliu thotë se edhe në këtë buxhet, sa i përket projekteve të ndara nga ministritë, janë favorizuar komunat që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Buxheti për komuna ndahet sipas formulës së ligjit për buxhetin e komunave. Problemi qëndron te ndarja e projekteve të ministrive nëpër komuna. Nga ajo që shohim në këtë projekt buxhet, trendi i planifikimit është i njejtë me tri vitet paraprake ku projektet e ndara nga ministritë kanë shkuar kryesisht në komuna ku qeverisë VV. 30,83% e investimeve kapitale të buxhetit të vitit 2023 kanë shkuar në komunën e Gjilanit, 17,20% në komunën e Shtimes. E njëjta gja ka ndodhë edhe në buxhetin e vitit 2024”, thotë Musliu.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkolla Finlandeze lanson programin IMPACT: Tani edhe në gjuhën shqipe, me çmim të përballueshëm
-Advertisement-

Të tjera