Lajme

Ganimete Musliu: Parlamenti urgjentisht të mblidhet për Specialen dhe t’u thotë STOP përndjekjeve politike

Autori: Gazeta inFokus 10:08 | 07 December 2024

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka thënë se Kuvendi i Kosovës duhet të mblidhet urgjentisht dhe të debatojë për Gjykatën Speciale, pas aktakuzës së re që mbrëmë u konfirmua për ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.

Në postimin e saj, Musliu ka thënë se Kuvendi duhet t’u thotë “STOP përndjekjeve politike”.

“Parlamenti i Kosovës duhet të mblidhet urgjentisht dhe të debatoj për Gjykatën Speciale në Hagë dhe ti thot STOP përndjekjeve politike!”, ka shkruar Musliu.

-Advertisement-

Në aktakuzën e re, Thaçi ngarkohet me tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Thaçi – i cili është duke u gjykuar nga kjo gjykatë në një rast të ndarë kundër ish-krerëve të UÇK-së për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit – akuzohet se bashkërendoi “tri grupe të veçanta” së bashku me Smakajn, Kilajn, Kuçin dhe Fazliun për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të prokurorisë në rastin kundër tij dhe të tjerëve për krime lufte.

“Së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit, z. Thaçi u dha zotit Smakaj, zotit Kilaj, zotit Fazliu dhe zotit Kuçi informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë”, thuhet në aktakuzë.

Thaçi bashkë me ish-shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarin e Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliun, do ta kenë nesër paraqitjen e parë lidhur me aktakuzën që iu konfirmua mbrëmë për ndikim mbi dëshmitarët. Ndërkohë, ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, do ta ketë paraqitjen e parë të hënën.

Në njoftimin e Gjykatës Speciale thuhet se seanca do të fillojë me paraqitjen e Thaçit.

“Në përputhje me Rregulloren e Procedurës dhe të Provave të DHSK-së,  seancat e paraqitjes së parë për katër nga të akuzuarit në këtë çështje gjyqësore – z. Thaçi, z. Smakaj, z. Fazliu dhe z. Kilaj – janë caktuar për të dielën, 8 dhjetor 2024, duke filluar nga ora 09:30, me paraqitjen e parë të z. Thaçi. Seanca e paraqitjes së parë të Hajredin Kuçit është caktuar për të hënën, 9 dhjetor 2024, në orën 10:00”, thuhet në njoftim.

Seancat e paraqitjes së parë do të jenë publike dhe mund të ndiqen në gjuhët shqipe, anglishte ose serbishte përmes faqes së transmetimit në faqen e internetit të DHSK-së, me një vonesë prej 10 minutash, ose nga galeria për publikun në selinë e Gjykatës

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vrasja e Lulzim Fejzullahut, vjen reagimi i parë nga ministrja Haxhiu
-Advertisement-

Të tjera