Lajme

Frika nga sulmet kibernetike, BE ashpërson rregullat për pajisjet “smart”

Autori: Gazeta inFokus 06:54 | 21 September 2022

Krahu ekzekutiv i Bashkimit Europian propozoi një legjislacion të ri që do t`i detyrojë prodhuesit të sigurohen se pajisjet e lidhura me internetin do të përmbushin standardet e sigurisë kibernetike.

Synimi i një lëvizjeje të tillë është që ta bëjë bllokun 27-vendesh sa më pak të prekshëm ndaj sulmeve të tilla. BE-ja thotë se një i ashtëquajtur sulm “ransomware” ndodh çdo 11 sekonda, ndërsa kostoja globale e krimit kibernetik për vitin 2021, u vlerësua në 5.5 trilionë euro.

Vetëm në Europë, sulmet kibernetike kushtojnë nga 180 deri në 290 miliardë euro çdo vit, sipas zyrtarëve të bllokut. Komisioni Europian shprehet se një rritje e sulmeve kibernetike u dëshmua që gjatë pandemisë së koronavirusit, ndërsa lufta e Rusisë në Ukrainë ka ngritur shqetësime se infrastruktura energjetike europiane gjithashtu mund të vendoset në shenjestër në mesin e krizës së energjisë. Drafti i mbiquajtur Akti i Rezistencës Kibernetike, kërkon të heqë nga tregu i BE-së të gjitha produktet me elemente digjitale që nuk janë të mbrojtura siç duhet.

-Advertisement-

Sipas Komisionit, ai jo vetëm do të reduktonte sulmet, por do të ndihmonte që të përfitonin edhe konsumatorët pasi do të përmirësonte mbrojtjen e të dhënave dhe privatësisë. Kur bëhet fjalë për sigurinë kibernetike, Europa është po aq e fortë sa hallka e saj më e dobët, qoftë një shtet anëtar i cenueshëm apo një produkt i pasigurt përgjatë zinxhirit të furnizimit”, u shpreh komisioneri i BE-së per tregun e brendshëm, Thierry Breton.

“Kompjuterët, telefonët, pajisjet shtëpiake, pajisjet e ndihmës virtuale, makinat, lodrat… secili prej këtyre qindra miliona produkteve të lidhura është një pikë e mundshme hyrëse për një sulm kibernetik”, shtoi ai. Breton pohoi se shumë produkte hardware dhe software aktualisht nuk i nënshtrohen asnjë detyrimi për sigurinë kibernetike. Nëse miratohet, rregullorja do t’u kërkonte prodhuesve të marrin parasysh sigurinë kibernetike në hartimin dhe zhvillimin e pajisjeve të tyre. Kompanitë do të mbeten përgjegjëse për sigurinë e produkteve për të paktën pesë vjet.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Kryetari Përparim Rama pjesë e ‘Mayor’s Talk’
-Advertisement-

Të tjera