Lajme

Flutura Kusari për rastin e Klanit: Vendim politik nga LVV-ja, Kurti e Hajdari dhe i jashtëligjshëm

Autori: Gazeta inFokus 19:20 | 28 July 2023

Juristja e mediave, Flutura Kusari, vlerëson se vendimi i sotëm i MINT-it për Klan Kosovën është i kundërligjshëm dhe vendim politik i marrë nga Lëvizja Vetëvendosje, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja Rozeta Hajdari.

Me anë të një postimi në Facebook ajo shprehet se vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit është politik, arbitrar, me bazë të gabuar ligjore, me procedurë të shpikur dhe nga autoriteti dhe zyrtarja që nuk ka kompetencë të pezullojë certifikata biznesore.

“Ky është sulmi më i madh që i është bërë pluralizmit të medias dhe demokracisë në Kosovë nga një parti politike. Asnjëherë nuk kam besuar që në vendin tonë do të ndodhte një gjë e tillë. Asnjëherë”, shkruan Kusari në reagimin e saj.

-Advertisement-

Tutje ajo shprehet se vendimet fillestare kishin plot gabime, gjë që e detyroi ARBK-në t’i ndryshojë ato disa herë, dhe se edhe ky vendim ka gabime trashanike.

“Vendimi i lëshuar sot i referohet një dokumenti me referencë 2008-50/155020230079177 i datës 28 korrik 2023, i cili sipas vendimit të MINT i është bashkangjitur nga pala në ankesë (pra nga Klan Kosova). Klan Kosova nuk ka dorëzuar asnjë dokument sot dhe nuk ka në posedim asnjë dokument me këtë numër reference. Kjo e dëshmon qartazi që vendimi është i kundërligjshëm”.

“Klan Kosova ka mundësi të ankohet në gjykatë dhe kam shpresë në gjykatë, por kjo nuk e ndryshon qëndrimin politik të qeverisë për të mbyllur mediat në Kosovë”, deklaroi juristja e mediave, Flutura Kusari, e cila u bëri ftesë të gjithëve që të mos heshtin dhe të reagojnë e ngrisin zërin në platformat përkatëse.

“Kjo nuk është beteje vetëm e Klan Kosovës. Kjo është betejë e gjithë shoqnisë”, përfundoi ajo.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Hapet shkolla e mesme profesionale në Qytetin e Ferizajit
-Advertisement-

Të tjera