Fokus

Flet Behgjet Pacolli: Kosova do të humbë mbështetjen nga aleatët nëse Kurti sillet si fëmijë i lazdruar

Autori: Samire Jaha 18:05 | 10 November 2022

Ish ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka shfaqur frikën se veprimet e fundit të kryeministrit, Albin Kurti në veri, mund të kenë pasoja të mëdha në raportet me miqtë e Kosovës veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan Gazeta Infokus.

Në një prononcim për Gazetën Infokus ai ka deklaruar se nuk ka kuptim të vazhdohet me këtë situatë në të cilën gjendet Kosova.

“Nuk ka kuptim të vazhdohet me këtë situatë dhe duhet guxim e lidership që të dilet nga ky rreth vicioz. Bota po ndryshon dhe krizat e ndryshme nuk do të mundësojnë që Kosova të ketë vëmendjen ndërkombëtare përgjithmonë, por as përkrahjen nëse sillet si fëmijë i lazdruar. Nëse ne dështojmë të arrijmë një marrëveshje gjatë Administratës Biden, ku establishmenti i politikës së jashtme ka qenë i përfshirë në një apo tjetër formë në Kosovë në këto tri dekada, atëherë kemi probleme serioze”, ka shtuar tutje Pacolli për Infokus.

-Advertisement-

Ai po ashtu është shprehur se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë ka arritur një pikë bllokuese dhe strategjia e tanishme e qeverisë për të shkuar vetëm në takime sa për të thënë se jemi konstruktivë është demaskuar nga vet ndërmjetësi, Bashkimi Evropian.

E kjo sipas Pacollit është tejet e rrezikshme për Kosovën.

“Po frikohem që në ketë situatë Kosova duhet me trajtu asociacionin në këmbim të kthimit të serbëve në Institucione e jo me njohje nga Serbia! Si duket dialogu ka arritur në një pikë bllokuese dhe strategjia e tanishme e qeverisë për të shkuar vetëm në takime sa për të thënë se jemi konstruktivë është demaskuar nga vet ndërmjetësi, Bashkimi Evropian. Besoj se Kosova duhet të koordinohet me aleatët, të ketë unitet të brendshëm dhe të gjejë forcën për të synuar një marrëveshje që sjell njohje të ndërsjellë dhe zhbllokimin e Kosovës në arenën evropiane dhe ndërkombëtare. Ne duhet të kemi më pak frikë nga dialogu dhe më shumë vizion që të shënojmë progres. Aktualisht asgjë s’po fiton Kosova nga bllokada në dialog dhe izolimi në të cilin është katandisur. Përkundrazi, vetëm se janë acaruar marrëdhëniet me aleatët”, ka deklaruar Pacolli për Infokus.

Sa i përket kryeministrit Kurti, Pacolli thotë se ai nuk po e dëshiron një zgjidhje të problemit e që duhet ta ketë të qartë se Kosova aktualisht është duke humbur.

“Qasja e Kryeministrit Kurti dhe e Qeverisë në raport me aleatët, tregon qartë që Kurti nuk po dëshiron zgjidhje të problemit. Megjithatë ai duhet ta ketë të qartë që Kosova është duke humbur. Largimi i serbëve nga insitucionet, i provokuar nga një vendim i pakordinuar me aleatët të cilët kanë shprehur zhgënjim, është shumë i dëmshëm për vendin. Kētë zhgënjim të aleatëve me Kosovën po e shfrytëzon mjaft mirë Serbia dhe Vuçiqi”, është prononcuar më tej Pacolli për Infokus.

Ndryshe sot është pritur që të ketë një takim të përbashkët në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq.

E ndërkaq sipas raportimeve vendimi për vizat pritet që të hyjë në fuqi në nëntor të vitit të ardhshëm./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
A prishet cilësia e gjumit nëse pini kafe në mbrëmje?
-Advertisement-

Të tjera