Lajme

Fjala e kryeministrit Kurti në Kuvend për buxhetin e Republikës së Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 14:00 | 11 November 2024

Kryeministri Albin Kurit ka bërë prezantimin e Projektligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025. Në fillim ai ka thënë se është kryeministri i parë që prezanton buxhetin e katërt të mandatit për ta shënuar kështu qeverinë e parë që e qon mandatin deri në fund.

Duke prezantuar projektbuxhetin, kryeministri Kurti ka kërkuar nga deputetët që ta votojnë atë, sepse do të përfitojnë bizneset dhe ekonomia e Kosovës.

Fjala e kryeministrit Kurti në seancën e Kuvendit në lidhje me Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025

-Advertisement-

Kam nderin dhe kënaqësinë që sot para jush të bëhem kryeministri i parë që prezanton buxhetin e katërt të mandatit, për ta shënuar kështu edhe qeverinë e parë që e çon mandatin deri në fund.

Siç tashmë edhe e dini, buxheti për vitin 2025 është projektuar të jetë 3.6 miliardë euro apo rreth 9% më i lartë sesa buxheti i vitit 2024, ose 60% më i lartë sesa buxheti i vitit 2020.

Për të arritur deri këtu, këto katër vjet kaluam nëpër shumë sfida, globale dhe të brendshme. Por njëkohësisht, e për dallim nga të tjerët para nesh, u siguruam që buxheti të orientohej aty ku kthimi ishte më i larti, te qytetarët tanë. Duke bërë këtë, vit pas viti, rritej edhe buxheti, pa ndryshuar asnjë politikë tatimore, sepse investimi në qytetarët tanë vazhdonte të kthente rritje të qëndrueshme.

Buxheti i vitit 2025 është buxheti i katërt me radhë që po e prezantojmë si qeveri në këtë mandat. Miratimin në Qeveri dhe prezantimin e buxhetit në Kuvend çdoherë e kemi bërë sipas rregullave të përcaktuara me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike. Buxhetin për vitin 2022 në Kuvend e kemi prezantuar më 25 nëntor 2021. Buxhetin për vitin 2023 e kemi prezantuar më 17 nëntor 2022. Buxhetin për vitin 2024 më 16 nëntor 2023, dhe sot, buxhetin për vitin 2025 përsëri po e prezantojmë në muajin nëntor madje kësaj radhe në gjysmën e parë të tij këtij muaji. Më i madh buxheti i shtetit secilin vit, aq më i hershëm edhe prezantimi i tij në Kuvend secilën herë.

Karakteristikat tjera të buxhetit 2025 janë me sa vijon:

Buxheti për paga dhe shtesa është 13.85% më i lartë se në vitin 2024 ose 111.5 milionë euro;

Buxheti për mallra dhe shërbime (duke përfshirë edhe shërbimet komunale) është 3.2% më i lartë se në vitin 2024;

Buxheti për subvencione dhe transfere është 8.75% më i lartë se në vitin 2024 e këtu luajnë rol masat e reja si pensionet, shtesat për fëmijët, rimëkëmbja ekonomike, etj;

Buxheti për investime kapitale është 8.3% më i lartë se në vitin 2024.

Për këto katër vitet e qeverisjes, Bruto Produkti Vendor është rritur aq sa për herë të parë sivjet do ta kalojë shifrën prej 10 miliardë eurove, kurse për vitin e ardhshëm pritet të shkojë përtej 11 miliardë euro. Sivjet do të kemi Bruto Produkt Vendor afër shtatë herë më të lartë sesa viti 2000, që është viti i parë pas çlirimit, apo afër tri herë më i lartë sesa viti 2008, që është viti i shpalljes së pavarësisë, dhe gati 50% më i lartë sesa në 2019, apo viti i parë parapandemik.

Kur e shikojmë në distancë kohore, të nderuar deputetë, pandemia globale COVID-19 duket si një ëndërr e keqe, e cila uroj të mos na bie ta harrojmë kurrë sepse ishte një kohë me shumë vuajtje, e shumë familje humbën më të dashurit e tyre. Ne si qeveri, u ballafaquam me këtë sfidë qysh në ditën e parë. Siç edhe kishim premtuar, u mobilizuam shpejt, siguruam vaksinat dhe arritëm që për pak muaj të vaksinonim shumicën e popullsisë. Si rezultat i vaksinimit të shpejtë, u mundësua hapja e ekonomisë sonë, por më e rëndësishmja, u mundësua futja e Kosovës si destinacion i sigurt në listat e shteteve tjera. Kjo hapi rrugën që mërgata jonë të vinte si kurrë më parë, pas pamundësisë që të të vinin në vitin 2020, kur kufijtë ishin të mbyllur. Kjo ardhje e mërgatës në numra rekord, i dha edhe ekonomisë sonë infuzionin aq të nevojshëm financiar, për të arritur rritjen rekorde që e kemi gëzuar si shtet prej 10.7% të Bruto Produkt Vendor.

Por kjo etapë siç e dimë nuk zgjati shumë, sepse porsa nisëm trajektoren e rritjes pas pandemisë, kontinentin Evropian e goditi kriza energjetike, ku as Kosova nuk kishte se si të shpëtonte pa pasoja.

Si qeveri e përgjegjshme, ndërmorëm veprimet e nevojshme dhe ndamë pakon më të madhe mbështetëse për qytetarët, ashtu që çmimet stratosferike nga bursat ndërkombëtare të importit të energjisë elektrike të mos barteshin edhe te qytetarët e bizneset. Mijëra familje i mbështetëm në renovimin dhe izolimin e shtëpive ashtu që të ulej konsumi i energjisë elektrike dhe kjo vazhdon edhe tani kur po afrohen javët e muajt e fundit të mandatit tonë.

Subvencionuam edhe mijëra familje tjera për të blerë pajisje efiçiente, përfshirë edhe kondicionerët me ngrohje që shpenzojnë pak, ashtu që faturat e energjisë elektrike të peshonin sa më pak në arkën e familjes. I mbështetëm edhe ata që kursyen energjinë elektrike, ku mbi 208 mijë familje për 6 muaj me radhë përfituan nga mbulimi i një pjese apo komplet faturës, varësisht se sa kishin kursyer. Pra ata që kursejnë, i shpërblejmë. Si rezultat i këtyre masave, Kosova vazhdon ta ketë çmimin më të lirë të energjisë elektrike në rajon, sipas Eurostat, dhe kjo është një karakteristikë tejet e rëndësishme për investimet e huaja dhe riinvestimin që bëhen në Kosovë.

Sikur të mos mjaftonte kriza energjetike në Evropë, Federata Ruse hapi front duke sulmuar Ukrainën, gjë që çrregulloi të gjitha bursat botërore të çmimeve, e sidomos ato të ushqimeve bazë. Pasojat u vërejtën në tërë kontinentin, edhe kësaj radhe Kosova nuk kishte se si të evitonte pasojat njësoj sikurse shtetet që janë shumë më të fuqishme ekonomikisht sesa ne. Edhe për këtë sfidë, ndërmorëm masat e nevojshme duke miratuar Pakon për Përballje me Inflacionin, përmes së cilës mbështetëm punëtorët e sektorit privat e publik, pensionistët, dhe studentët dhe kjo pako si përqindje e Bruto Produktit Vendor është më e madhja në rajonin tonë sipas Bankës Botërore.

Si pjesë të pakos, miratuam edhe Ligjin për Pagën Minimale për të mundësuar rritjen e pagës minimale në sektorin privat, si dhe Ligjin për çmime tavan që të parandalohej abuzimi i tregtarëve të papërgjegjshëm që manipulonin me çmime.

Siç edhe e dini, të nderuar deputetë, që të dyja ligjet, deputetë opizitarë i bllokuan duke i dërguar në Gjykatë Kushtetuese. Eventualisht, Gjykata që më shpesh bën bilanc politik sesa që ndan drejtësi, njërin ligj na e rrëzoi – atë për çmime tavan, kurse tjetrin e miratoi – atë për pagën minimale. Dëm gjithsesi. Për të parin, sepse nuk hyri kurrë në fuqi, kurse për të dytin, sepse u vonua një vit zbatimi i tij.

Pra, qytetarë të dashur, përveç problemeve e krizave globale, neve na u desh të navigonim edhe nëpër sfidat, pengesat, e vonesat e brendshme, që na u shkaktuan.

Edhe pse në shumicën e ekonomive në botë, një prej shqetësimeve kryesore ka qenë niveli i lartë i çmimeve të konsumit, ne kemi arritur që ta stabilizojmë inflacionin përmes masave mbështetëse për qytetarët. Mesatarja deri në shtator 2024 ka shënuar vlerën 1.9%, duke shfaqur një tendencë rënëse të inflacionit dhe pritet të mbajë trend të ulët rritjeje edhe për pjesën e mbetur të vitit.

Dhe megjithatë, ia dolëm bashkërisht, që të gjitha këto sfida globale t’i tejkalonim me shumë më pak dëme sesa plot shtete të tjera që janë shumë herë më të fuqishme se ne ekonomikisht. E përkundër sfidave, arritëm që ta rrisim edhe punësimin e bashkë me të edhe ekonominë e vendit duke ndihmuar kësisoj që fuqia blerëse e gërryer nga sfidat globale, të rikuperohej përmes zhvillimit e punësimit brenda.

Për katër vjet me radhë, numri i të punësuarve u rrit në mënyrë konsistente, gjë që nuk ka ndodhur në asnjë ekzekutiv, në asnjë mandat qeveri para nesh. Prandaj, edhe jemi qeveria me numrin më të madh të vendeve të punës të shtuar brenda mandatit, që aktualisht ende pa e përfunduar, po arrin në 78 mijë vende pune më shumë sesa kur e kemi marrë mandatin në pranverën e vitit 2021.

Për katër vjet me radhë, rritja ekonomike mesatare ishte 6%, dhe në asnjë vit të vetëm nuk ka rënë nën 4%, ani se u ballafaquam me kriza globale që ndodhin, madje edhe vetëm një herë në shekull. Në qeverisjet e kaluara, qoftë edhe kriza më e vogël e jashtme, sikur kriza greke në vitin 2012, e ngadalësonte rritjen ekonomike në 1.7%.

Për katër vjet me radhë, rritëm të hyrat buxhetore dhe tani me buxhetin e vitit 2025 i bie të jenë dyfishuar në krahasim me të hyrat buxhetore që i gjetëm kur e morëm mandatin. Të hyrat buxhetore, ashtu si edhe në vitin e mëparshëm, kanë vazhduar performancën e tyre tejet të kënaqshme dhe gjatë periudhës janar – shtator të vitit që ndodhemi, 2024, kanë shënuar një rritje të konsiderueshme prej më shumë se 7.1% apo rritje me rreth 150 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja e punësimit, rritja e qëndrueshme e ekonomisë edhe përballë sfidave më të rënda, e rritja e të hyrave, na ka mundësuar që të kemi edhe këtë buxhet historik prej 3.6 miliardë eurove, që po e prezantojmë sot para jush, të nderuar deputetë.

Ky buxhet është buxhet për familjen, sepse secila familje duhet e do të përfitojë.

Në një familje të re që ka tre fëmijë, nëna lehonë përfiton gjashtë muaj nga 170 euro apo 1,020 euro gjithsej, ndërkaq për fëmijët i marrin nga 90 euro në muaj, apo 1,080 euro në vit. Asnjë qeveri para nesh nuk ka mbështetur gratë dhe fëmijët. Për këtë kemi buxhetuar 145 milionë euro, që shkojnë direkt në arkat familjare të mbi 200 mijë familjeve të Kosovës.

Në një familje që i ka dy studentë, djali që studion dizajnin grafik, e ka semestrin falas dhe është pranuar në punë përmes platformës Superpuna, ku për gjashtë muaj do të marrë nga 350 euro apo 2,100 euro gjithsej, ndërkaq vajza që studion shkencat kompjuterike, e ka po ashtu semestrin falas, por merr edhe bursë STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri e Matematikë) në vlerë prej 1,000 euro. Pra, mbi 3,100 euro mbështetje direkte dhe semestri pa pagesë. Asnjë qeveri para nesh nuk ka mbështetur të rinjtë kaq shumë. Për këtë kemi buxhetuar mbi 30 milionë euro, të cilat lehtësojnë barrën e familjeve që kanë studentë apo fëmijë apo edhe të rinj të moshës 18-29 vjeç.

Një familje dëshmori, e ku djali është pranuar në punë si polic, do të marrë pensionin e rritur për 20% për prindin dëshmor dhe polici pagën e rritur për 55 euro nga janari dhe pastaj për 110 euro nga korriku e tutje i vitit 2025. Për rritjen e pagave në sektorin publik kemi buxhetuar 110 milionë euro shtesë.

Në një familje, ku kryefamiljari punon me pagë minimale dhe me dy pensionistë në shtëpi, që marrin ta zëmë njëri pensionin bazik e tjetri atë kontributpagues, do të përfitojnë nga rritja e pagës minimale nga 170 euro në 350 euro, dhe pensionistët do ta marrin pensionin me 20% rritje. Për këtë kemi buxhetuar 100 milionë euro tjera shtesë për pensionet e rritura.

Ka panumër shumë kombinime të familjeve të ndryshme: familje me pensionistë, familje me fëmijë nën 16 vjeç, familje të kategorive të luftës çlirimtare, familje me punonjës në sektorin publik e privat, por e përbashkëta e tyre është se secila do të përfitojë nga buxheti i përbashkët i shtetit tonë, si asnjëherë më parë, e si me asnjë qeveri tjetër.

Kemi ofruar mbështetje edhe për ato familje që nuk kishin asnjë të punësuar përmes masës Qeveria për Familje, duke subvencionuar 70% të pagës për gjashtë muaj, ku deri më tani janë rreth 4 mijë familje që kanë përfituar, e shumica dërrmuese janë nga familjet që më parë ishin të varura nga asistenca sociale e pakët sociale.

Në këtë buxhet kemi edhe kompletimin e reformës sociale, e cila tashmë ka filluar zbatimin përmes pilotimit, ku për familjet që marrin asistencë sociale është paraparë të hiqen kriteret diskriminuese, por edhe të inkurajohet punësimi i qëndrueshëm, ashtu që familjet të krijojnë pavarësi ekonomike afatgjate.

Pra, me fjalë tjera, ky buxhet e shikon familjen si tërësi dhe si njësi, dhe parasheh rritjen e fuqisë blerëse për secilën familje, duke u siguruar që të mirat që vijnë nga rritja ekonomike të shpërndahen te të gjithë, e jo vetëm te grupe të caktuara interesi.

Me këtë buxhet, të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës përfitojnë edhe bizneset dhe ekonomia.

Së pari, përfitojnë nga rritja e fuqisë blerëse të familjes, për të cilën porsa fola, sepse sa më shumë para në llogarinë e familjes, aq më shumë aktivitet ekonomik për bizneset, aq më e madhe kërkesa agregate në ekonomi. Kjo vërtetohet kur e shohim qarkullimin e bizneseve ndër vite: nga 12 miliardë euro sa ishte në vitin para qeverisjes sonë, për vitin 2024 pritet ta tejkalojë vlerën prej 22 miliardë euro. Me mandatin tonë ndërmjet qarkullimi i bizneseve kalon nga 12 miliardë në 22 miliardë euro, pra pothuajse dyfishim i qarkullimit të bizneseve përgjatë katër vjetëve të kësaj qeverisje demokratike e të mirë.

Së dyti, bizneset përfitojnë nga mirëqenia dhe pagesa me kohë e faturave për punën e kryer. Nëse e marrim fundin e vitit 2020, niveli qendror i qeverisjes, pra pa i përfshirë komunat këtu, u kishte borxh bizneseve 143 milionë euro fatura të papaguara. Bizneset tona kryejë punë, shteti mos i paguaj ato. Një shumë kaq e lartë e papaguar nënkupton që biznesi që ka kryer punën për shtetin nuk po paguhej dhe kështu fillonte të kishte probleme me likuiditet e edhe me pagesë të detyrimeve ndaj furnitorëve apo me pagat e punëtorëve të tyre. Prandaj e kemi marrë me prioritet ndryshimin e kësaj situate, të nderuar deputetë, dhe në fund të vitit 2023 niveli qendror ka pasur vetëm 33 milionë euro fatura të papaguara, sepse një pjesë patjetër është çdoherë në qarkullim. Pra, me një veprim të vetëm, kemi shtuar likuiditetin e bizneseve që kryejnë punë për qeverinë me 110 milionë euro. Nga 143 milionë sa ishte borxhi në vetëm 33 milionë euro.

Ngjashëm është situata edhe me pagesat për shpronësimet për pronat private, ku nga 103 milionë euro sa e kemi gjetur, kjo shifër tani ka rënë në vetëm 17 milionë euro, që nënkupton se 86 milionë euro më shumë janë në duart e qytetarëve dhe të bizneseve.

Së treti, bizneset si me asnjë qeveri tjetër, mbështeten në mënyrë të drejtpërdrejtë në hapjen e vendeve të reja të punës, ku shteti subvencionon një pjesë apo pagën e plotë për një periudhë të caktuar. Masat si Qeveria për Familje, platforma Superpuna, programi Kosovo Generation Unlimited bashkë me Unicef, apo praktika në punë përmes Agjencisë së Punës, janë disa nga mekanizmat zbatues të kësaj mbështetjeje.

Së katërti, buxhet të shtuar ka edhe mbështetja përmes granteve dhe subvencioneve që shpërndahen nga ministritë e linjës, si ta zëmë mbështetja rekord për sektorin e bujqësisë, ose mbështetja për prodhues e start-up-e nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë apo edhe Ministria e Zhvillimit Rajonal.

Së pesti, ky buxhet parasheh mbështetje të bizneseve edhe për qasje në financa, duke shtuar kapitalin dhe dritaret në Fondin për Garanci Kreditore, apo përmes masave mbështetëse që subvencionojnë kreditë investuese.

Kjo mbështetje vjen si vijim i mbështetjes së realizuar gjatë këtyre viteve që lamë pas, ku subvencionuam koston e energjisë elektrike, ashtu që bizneset dhe prodhuesit tanë të vazhdonin të kishin energjinë elektrike më të lirën në rajon, apo kur subvencionuam kreditë investuese deri në nivelin prej 100 milionë euro, vetëm për pajisje apo linja të prodhimit.

Kontributi kryesor në rritjen ekonomike gjatë periudhës së ardhshme afatmesme 2025-2027 pritet të vijë nga konsumi, investimet publike dhe ato private. Konsumi do të rritet nga katër lloj rritje:

Rritja e pensioneve, në masën prej 20% për të gjitha kategoritë e pensioneve të moshës dhe pensionet e përcaktuara me Ligjin për kategoritë e luftës;

Rritja e shtesave të fëmijëve, jo çfarëdo rritje por dyfishim e trefishim;

Rritja e koeficientit për të gjithë të punësuarit në sektorin publik, njëherë rritja e vlerës së koeficientit e tash së fundmi edhe rritja e numrit të koeficienteve; si dhe

Rritja e pagës minimale që ndodh pas më shumë se një dekadë stagnimi.

Të dashur qytetarë,

në këtë buxhet e kemi prioritet arsimin e shëndetësinë, por edhe infrastrukturën e mbrojtjen. Ky buxhet, ka edhe shumë detaje e specifika tjera, por që po besoj në vijim ato do të keni mundësinë t’i dëgjoni nga vetë ministrat e linjës.

Me këtë buxhet, e kemi prioritet zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, vazhdimin e krijimit të vendeve të reja të punës dhe rritjen e mirëqenies për të gjithë. Për vitin e ardhshëm presim që rritja ekonomike të arrijë në 5.6% të Bruto Produktit Vendor në terma realë, dhe synimi ynë është që këtë rritje ta bëjmë duke i përfshirë të gjithë, ashtu siç na takon, ashtu siç e meritojnë qytetarët, duke mos e lënë asnjeri anash.

Prandaj, edhe ju ftoj ta votoni Buxhetin 2025.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Çka do të thotë të gatuash shqip?
-Advertisement-

Të tjera